E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista, Vasilika Hysi “Djegia e mandateve, vendi në zgjedhje të parakohshme”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Partia Socialiste do të hyjë në Kuvend vetëm pas transparencës së zgjedhjeve”,- kështu pohon në një intervistë për “Ballkan” deputetja socialiste Vasilika Hysi. Sipas saj, nuk do të ketë vajtje në Kuvend vetëm për të mbrojtur mandatet. Sipas saj, nëse Topalli vendos djegien e mandateve, atëherë kriza do të thellohet më tej. Hysi ka besim se Kreu i Shtetit do të bindë mazhorancën për transparencën e zgjedhjeve, duke pohuar se kjo është dhe një kërkesë e ndërkombëtarëve. Hysi e sheh si të pamundur dhe një përçarje të re të PS-së, pavarësisht mendimeve të shumta ndryshe brenda saj.
Situata politike në vend duket mjaft problematike. Në një kohë që presidenti Topi ka vendosur ditën e tryezës së negociatave, deklaratat e PD-së dhe PS-së nuk flasin aspak për një frymë konsensusi. Madje, Partia Demokratike akuzon selinë rozë se nuk do të zbatojë rekomandimet e Rezolutës së KE-së. Si i komentoni këto deklarata?
Në kohë dhe momente të ndryshme, Partia Demokratike ka akuzuar dhe vazhdon të akuzojë Partinë Socialiste se nuk respekton Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në fakt, është e kundërta. Partia Socialiste, jo vetëm e mirëpriti Rezolutën, ndonëse do të ishte mirë që kriza politike të zgjidhej në Shqipëri dhe nga vetë shqiptarët, por edhe ka shprehur gatishmërinë ta zbatojë atë.
Rezoluta shprehet për nevojën e një hetimi të zgjedhjeve në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e brendshme dhe dhënien fund të bojkotit. Partia Socialiste, jo vetëm është dakord me këtë rekomandim, por e ka kërkuar që në fillim hetimin parlamentar të zgjedhjeve, i cili, pa dyshim, do të bëhet sipas Kushtetutës dhe në respekt të ligjeve, por edhe ka theksuar më shumë se një herë se bojkoti është i kushtëzuar dhe se pranimi i bërjes së transparencës së zgjedhjeve dhe hetimi i një sërë aspektesh që lidhen me to, do ti japë fund bojkotit të imponuar nga mazhoranca.
Deklaratat e mazhorancës nuk janë në favor të zgjidhjes së krizës politike, pavarësisht se betohet se është e gatshme ti japë fund asaj dhe i kërkon opozitës të kthehet në Parlament.
Zoti Rama ka deklaruar se është i gatshëm për tryezën e negociatave të kryesuar nga Topi, por nuk tërhiqet nga hapja e kutive. Zoti Berisha deklaron se kutitë nuk hapen. A është i mundur dialogu në këtë situatë? Sa besim keni në një rezultat pozitiv nga tryeza e Topit?
Bojkoti i kushtëzuar i Partisë Socialiste është bazuar në faktin se mazhoranca nuk lejon transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009. Transparenca në zgjedhje është një e drejtë elementare e çdo qytetari të vetëm dhe jo më e elektoratit më të madh në numër në vend. Ajo është element i demokracisë. Në kushte të tilla, kam besim se klasa politike, sidomos mazhoranca që qeveris do ta kuptojë dhe do të pranojë se transparenca është element demokratik dhe se kjo transparencë nuk mund të bëhet pa hapjen e kutive.
Nga ana tjetër, uroj dhe shpresoj që Presidenti i Republikës, që qëndron mbi palët dhe është përfaqësuesi më i lartë i shtetit demokratik, do të arrijë të negociojë me palët, të bëjë mazhorancën të ndërgjegjshme se një vend kandidat për në BE duhet të jetë transparent dhe të japë llogari para publikut dhe të respektojë parimet e tjera të demokracisë.
Zyrtarë të lartë të PS-së kanë pohuar se procesi i betimit është një akt formal dhe procedural që nuk ndikon në qëndrimin politik të selisë roze. Kjo nënkupton hyrjen ne Parlament për procesin e betimit dhe të vazhdojë qëndrimi i bojkotit?
Në një situatë, kur gati gjysma e Parlamentit është jashtë dhe lufton për ABC –në e demokracisë, shumë gazetarë dhe politikanë, madje edhe kolegë të mazhorancës, bëjnë fjalë dhe presione me mandatet tona. Pak e kuptojnë dhe vlerësojnë se, më së fundi, një pjesë e klasës politike dhe e shqiptarëve janë ndërgjegjësuar për nevojën e dhënies fund të zgjedhjeve jo me standarde, ku populli voton dhe qeveria numëron sipas oreksit të saj.
Moshyrja në Parlament nuk është neglizhencë ose mosvlerësim i votës së dhënë nga elektorati, por përkundrazi, respekt i aspiratave të tij dhe të gjithë shqiptarëve që kërkojnë një demokraci funksionale dhe të bazuar mbi standarde. Kjo do të thotë se ne nuk jemi formalë në përpjekjet tona, por luftojmë seriozisht për ti dhënë fund zgjedhjeve ku votohet nën presion, kur njerëzit hiqen nga puna për faktin se janë komisionierë të ndershëm dhe kur një pjesë e tyre detyrohet të mos bëjnë detyrën e tyre me korrektesë nën frikën e pushimit nga puna ose presioneve të tjera, përfshirë edhe aferat korruptive. Hyrja në Parlament lidhet pikërisht me transparencën e këtyre fenomeneve dhe jo me qëndrimin jashtë Parlamentit pa shkaqe të përligjura.
Në këtë situatë mundet ligjërisht kryeparlamentarja Topalli që pas datës 6 mars të kërkojë zëvendësimin e deputetëve socialistë, pra djegien e mandateve?
Nëse mazhoranca e bën këtë, djegia e mandateve është thellimi më i madh i krizës politike në vend që sjell në mënyrë të padiskutueshme zgjedhjet e parakohshme dhe dëmtimin më rëndë të demokracisë. Shkaktarë që deputetët socialistë janë jashtë, është mazhoranca e sotme, ndaj ajo nuk ka të drejtë të djegë mandatet, por duhet ti hapë rrugë hetimit parlamentar të zgjedhjeve dhe futjes së opozitës në Parlament. Në këtë mënyrë, diskutimet, nëse mandatet tona digjen ose jo, janë të tepërta.
Mund të dërgohet në Kushtetuese kërkesa për interpretim të dhënies dhe heqjes së mandatit të deputetëve?
Kushtetuta përcakton kur fillon mandati i deputetit dhe në cilat raste ndërpritet ai. Mendoj se para se të shqetësoheni për mandatet tona, publiku dhe sidomos media, si informuese dhe sensibilizuese e publikut, të mendojë sesi mund të bëjë më mirë sesa sot presionin mbi qeverinë që nuk respekton parimet e demokracisë, që është kundër transparencës së zgjedhjeve dhe informimit të publikut. Sot, është i nevojshëm ndërgjegjësimi më i mirë i qytetarëve për rolin e tyre në forcimin e demokracisë dhe në respektimin më të mirë të vullnetit të tyre, të pasqyruar në kutitë e mbyllura të votimit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka nisur nga qyteti i Tiranes një tur sqarues për arsyen e protestave. Në situatën aktuale politike, çfarë do të thotë kjo për socialistët?
Në fakt, ky është një bashkëbisedim, informim dhe transparencë ndaj gazetarëve dhe publikut, lidhur me qëndrimet dhe veprimet e mëtejshme të PS. Takimet nuk kanë pasur dhe nuk kanë në axhendë vetëm protestat, nëse nuk arrihet dialogu, por arsyet e krizës së gjithanshme që ka kapur vendin, sqarimin e qëndrimit të Partisë Socialiste në ditët në vazhdim. Kriza politike është e rëndë. Pa zgjidhjen e saj, nuk mund të ketë reforma ligjore, institucionale, juridike dhe ekonomike të suksesshme. Në këto takime z.Rama gjithashtu ka theksuar se vendi është edhe në një krizë të thellë ekonomike e institucionale, të cilat janë të lidhura me krizën politike dhe se ato nuk mund të zgjidhen pa u zgjidhur kriza politike. Në këtë aspekt, roli i medias dhe i publikut është i rëndësishëm.
Deklarata më e fundit e zotit Rama është krijimi i Frontit për Shqipërinë. Cili është qëllimi i këtij Fronti?
Të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre, kanë vënë re se gjatë muajve që pasuan zgjedhjet e 28 Qershorit, transparencën e zgjedhjeve nuk e ka kërkuar vetëm PS, por edhe parti dhe grupime të tjera, të majta, të qendrës ose të djathta. Zhvillimet e kësaj periudhe, treguan se kriza në Shqipëri është politike, ekonomike dhe shteti i së drejtës nuk funksionon. Këto janë probleme që kanë interes për cilido qytetar të ndërgjegjshëm, që kupton sado pak rëndësinë që ka për demokracinë dhe shtetit e së drejtës angazhimi i tyre, pavarësisht përkatësisë politike. Sot në diskutim janë demokracia dhe shteti i së drejtës. Ju sjell në vëmendje edhe faktin se shumë nisma ligjore të qeverisë janë deklaruar antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Pra, kriza është më e gjerë sesa hapja e kutive të votimit.
Pjesë e kësaj mënyre të re organizimi të reagimit opozitar do të jenë dhe një sërë shoqatash si ish-pronarët, minatorët, ish-ushtarakët apo dhe sindikatat. Çfarë premton PS për këto shtresa shoqërore?
Demokracia është funksionale kur secili grupim dhe interesat e tyre janë të përfaqësuara. Në fakt shtresat e mësipërme jo vetëm që nuk janë mbështetur nga mazhoranca, por ato janë nëpërkëmbur në përpjekjet e tyre për të gjetur të drejtat e tyre. Mazhoranca e sotme, në një hark kohor të shkurtër ka ndërmarrë një mori nismash ligjore që nuk i zgjidhin çështjet ish- pronarëve dhe kanë sjellë një mungesë sigurie juridike në vend; ish -ushtarakët enden dyerve të gjykatave për të gjetur të drejtën e tyre të dhunuar më shumë se njëherë; sindikatat, që janë një aktorë i rëndësishëm në një demokraci dhe shprehëse i interesave të punonjësve në raport me qeverinë, nuk dëgjohen. Kur ato ngrenë zërin ndaj padrejtësive ose kërkojnë respektimin e të drejtave të punonjësve, goditen në forma nga më të ndryshme, me qëllim që të mos guxojnë herë tjetër, të kërkojnë të drejtat e tyre, madje edhe të vështirësojnë funksionimin e tyre.
Në rrethana të tilla, këto grupime të mëdha, që shprehin interesat e shumë shtetasve, të majtë ose të djathtë, kanë nevojë për mbështetje joformale, por reale për ti dhënë fund mbartjes së problemeve të pazgjidhura. Partia Socialiste, si në programin e paraqitur gjatë zgjedhjeve të 28 Qershorit, por edhe sot është mbrojtëse e interesave të këtyre grupimeve në deklarata e vazhdueshme politike dhe aq më shumë do ti mbrojë këto interesa kur të jetë në pushtet.
A rrezikon PS një përçarje të re, duke parë mendimet e shumta ndryshe brenda saj, kam parasysh këtu Lëvizjen për Mendimin Ndryshe?
Mendimet ndryshe në parti nuk janë përçarje, por shprehje e një demokracie, e cila kohët e fundit i ka kaluar kufijtë normalë të saj. Nuk mendoj se PS mund të përçahet në një kohë, kur PS po bashkëpunon edhe me grupime të tjera për çështje kaq të rëndësishme në një demokraci, siç është transparenca e zgjedhjeve.

Bisedoi: Suela Topi
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›