OSBE e SHBA: Tryeza e Topit të zgjidhë krizën
Autori i Lajmit: Suela Topi
Tryeza e presidentit Bamir Topi është mënyra më e mirë për të zgjidhur krizën politike. Kështu shprehet prezenca e OSBE-së në vendin tonë, por dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një deklaratë të publikuar dje në faqen zyrtare të OSBE-së theksohet se ky organizëm mirëpret nismën e Kreut të Shtetit për tryezën si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual. Më tej në deklaratë, OSBE vlerëson reagimet pozitive të kryetarëve të dy partive kryesore në vend për të marrë pjesë në këtë tryezë dhe gjetjen e një zgjidhjeje për të kapërcyer krizën. Edhe ambasada amerikane, nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë në media, deklaron se mbështet presidentin Topi dhe përshëndet zhvillimin e tryezës politike. Me tej ambasada amerikane u bën apel partive politike të kontribuojnë në zgjidhjen sa më të shpejtë të ngërçit për të vazhduar më pas në procesin euroatlantik të Shqipërisë.
SHBA
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e presidentit Topi dhe Këshillit të Evropës për të ndërmjetësuar zhbllokimin e vazhdueshëm të situatës politike”,- thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve. Në qëndrimin e SHBA-ve inkurajohet dhe roli i presidentit Topi. “Në këtë kontekst, ne përshëndesim udhëheqjen e presidentit shqiptar, Topi, në mbikëqyrjen e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës që do të fillojë më 13 shkurt”, - thotë deklarata e SHBA. Por veç kësaj, kërkohet dhe një gjetje e dialogut nga palët në proces. “Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën euroatlantike të Shqipërisë”,- citohet më tej në të njëjtin dokument.
OSBE
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët, ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual”,- ka deklaruar kreu i prezencës së OSBE-së, Robert Bosh. Gjithashtu, ambasadori ka përshëndetur dhe gatishmërinë e treguar nga kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, për të marrë pjesë në negociata. “I mirëpresim, gjithashtu, edhe reagimet publike pozitive të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive për të shqyrtuar bashkërisht mënyrat në të cilat mund të kapërcehen vështirësitë”,- është shprehur Bosch. Tryeza që do të ulë përballë dy kundërshtarët politikë, do të zhvillohet të shtunën më 13 shkurt 2010, në orën 11:00, në selinë e Presidentit. Takimi zhvillohet në vijim të takimeve me kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan; me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse; me ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, John Uidhers II, si dhe pas kontakteve telefonike me kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndërsa dy ditë më parë presidenti Topi zhvilloi takim dhe me ambasadorin gjerman, Boshardt.
Ky lajm është publikuar: 11/02/2010