E Shtunë, 31 Tetor 2026

1963/ Pekini: “Sulmet ndaj PPSH-së, dashakeqe”

Autori i Lajmit: Androkli DraloTokio, 15 qershor 1963 – Kina Komuniste nisi sot një nga sulmet më të ashpra ideologjike ndaj llojit sovjetik të marksizmit, që prej muajit të kaluar kur ra dakord për të zhvilluar bisedime me Moskën në korrik të këtij viti. Pekini zyrtar deklaroi se mosmarrëveshjet me politikat sovjetike ishin “të papajtueshme”. Si zakonisht këto sulme ishin indirekte po ashtu ishte edhe sulmi ideologjik, por shënjestra nuk kishte dyshim. Ai kishte për objektiv Bashkimin Sovjetik. Sulmi u transmetua nga Radio Pekini, i cili citonte atë që ishte shkruar në një editorial të organit zyrtar të Pekinit, “Peking Peoples Daily”. Në shkrim thuhej se “marksizëm-leninizmi (domethënë politika e Kinës së Kuqe) dhe revizionizmi modern (që është linja e bashkekzistencës paqësore të Rusisë) janë të papajtueshme”. Editoriali fillonte me një sulm ndaj presidentit jugosllav, Josif Tito. “Peking Peoples Daily” thoshte se më 18 maj, “Titoja mori rolin kryesor në fushatën e shpifjeve antikineze. - Që prej atëherë, udhëheqësit e këtij grupi tradhtar, të mëdhenj dhe të vegjël, kanë dalë njëri pas tjetrit për të drejtuar pritën e sulmeve shpifëse me fjalët më të këqija për Partinë Komuniste të Kinës dhe popullin kinez”, - thuhej në artikull. Kina i quajti gjithashtu “shpifëse dhe dashakeqe” sulmet ndaj Partisë së Punës të Shqipërisë dhe partive të tjera komuniste, të cilat i janë bashkangjitur në mënyrë të palëkundur marksizëm-leninizmit”, - shkruante më tej artikulli. “Sulmet e grupit të Titos dhe shpifjet nuk janë një risi: Ato janë thjesht pështymë e hedhur nga imperialistët dhe revizionistët e tjerë”, - shkruante “The Peoples Daily”. Organi partiak kinez duke përmbledhur gjithçka arriti në përfundimin se “çështja që duhet përballuar me guxim është: “Në njërën anë grupi i Titos, i cili këmbëngul në programin e tij revizionist dhe që po bën përpjekje të vazhdueshme për të minuar kampin socialist dhe lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Dhe në anën tjetër, janë partitë marksiste-leniniste, parti të cilat ruajnë pozicionet parimore të Deklaratës Komuniste Ndërkombëtare të Moskës (1960) ku dënohet Titoja, ndërsa ato qëndrojnë të vendosura kundër revizionizmit jugosllav dhe sigurojnë unitetin e kampit socialist dhe të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. “Tani cilën anë duhet të marrim? Marksizëm-leninizmi dhe revizionizmi modern janë në papajtueshmëri të plotë”.

Transmetohet fjalimi i Liut

Radio Pekini transmetoi gjithashtu dhe një fjalim mbajtur ditën e sotme nga presidenti Liu Shao Çi, i cili deklaroi se “strategjia e paqes” së presidentit amerikan, Xhon Kenedi, kishte për qëllim të mbulonte “procesin e zgjeruar të armatimit dhe përgatitjeve për luftë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Liu, duke folur gjatë një banketi të mbajtur në Pekin për nder të Çoi Jong Kunit, presidentit të Koresë komuniste të Veriut, tha se “historia kishte provuar dhe do të vazhdonte të provonte se natyra agresive e imperializmit nuk do të ndryshojë kurrë”. Ai shtoi se “imperializmi amerikan është forca kryesore e agresionit dhe luftës në botë. Ajo çka kërkon një kujdes të veçantë momentalisht, është fakti se administrata e Kenedit po përpiqet të përmbushë të ashtuquajturën “strategji paqeje” në mënyrë që të mbulojë zgjerimin e armatimit amerikan, përgatitjet për luftë dhe veprimet e tij agresive për të paralizuar popujt e vendeve socialiste dhe popujt revolucionarë të të gjithë botës”. Me sa duket, duke iu referuar debatit ideologjik mes Moskës dhe Pekinit, Liu tha se Kina e Kuqe dhe Koreja e Veriut “duhet të çojnë deri në fund kauzën e kundërshtimit të revizionizmit dhe mbrojtjes së marksizëm-leninizmit”. Më vonë, Radio Pekini dha lajmin se Kina i kishte dërguar një letër të re Bashkimit Sovjetik për bisedimet e ardhshme ideologjike në Moskë. Radioja tha se letra kineze, në përgjigje të letrës sovjetike më datë 30 mars, iu dorëzua në Moskë nga ambasadori kinez, Pan Tzu Li, anëtarit të presidiumit dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë Sovjetike, M. A. Suslov. Detajet e përmbajtjes së letrës kineze nuk u bënë të ditura.

Sovjetikët tashmë kishin sulmuar direkt

Pesë muaj më parë gazeta e Partisë Komuniste, “Pravda”. botoi pa doreza, të plotë, debatin e Bashkimit Sovjetik me Kinën e Kuqe, duke e quajtur për herë të parë direkt regjimin e Pekinit si mbështetës të “pikëpamjeve dogmatike dhe ndarëse” brenda bllokut komunist. “Pravda” në një editorial prej 2 faqesh, mbrojti doktrinën sovjetike të bashkekzistencës paqësore dhe dënoi me ashpërsi qasjen e “fortë” të Kinës Komuniste ndaj politikave të botës. Sulmi shënoi herën e parë që sovjetikët bënë hapa pas, duke iu referuar kinezëve në mënyrë indirekte ose duke lejuar të tjerët që ti përmendnin me emër. Vëzhguesit perëndimorë thanë se editoriali i gazetës “Pravda”, me sa duket, ishte një pikë e rëndësishme kthese në luftën kino-sovjetike.

Përgjigjja e letrës së Pekinit

“Udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze morën krejtësisht një qëndrim tjetër dhe bënë gjithçka për të përdorur udhëheqësit shqiptarë si megafonë të tyre. Tani dihet që shokët kinezë i kanë shtyrë ata haptazi në rrugën e luftës kundër Bashkimit Sovjetik, vendeve të tjera socialiste dhe partive vëllazërore.... Komunistët sovjetikë e dinë se dallimet për një sërë çështjesh ideologjike vazhdojnë në mbeten mes Partisë Komuniste Sovjetike dhe Lidhjes (Partisë) Komuniste Jugosllave... por do të ishte gabim po ta “përjashtonin” Jugosllavinë për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve nga socializmi, - për ta copëtuar atë nga vendet socialiste dhe për ta shtyrë në kampin e imperializmit, ashtu siç po bëjnë udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze. Kjo është pikërisht ajo çka dëshirojnë imperialistët”.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›