E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensioni SHBA-Francë, Sarkozi mbron vendimin e shitjeve të armëve Rusisë

Autori i Lajmit: Redaksia
Paris - Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, ka mbrojtur vendimin e vendit të tij për ti shitur Rusisë anije luftarake të tipit “Mistral”, duke theksuar se kjo shitje nuk do të kërcënojë sigurinë rajonale, ka njoftuar gazeta “Daily Herald”. Shitja e mundshme ka alarmuar disa ish-republika sovjetike, përfshirë këtu edhe ato, të cilat tani janë anëtare të NATO-s, në veçanti pas konfliktit mes Gjeorgjisë dhe Rusisë, në gusht të vitit të kaluar. Sarkozi, gjatë takimit që ka pasur të hënën me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates, i ka thënë këtij të fundit se shitja e anijeve nuk paraqet ndonjë problem ushtarak, sepse Rusia duhet të trajtohet si partnere e vërtetë. “Nuk mund të presim nga Rusia që të sillet si partnere, nëse nuk e trajtojmë si të tillë”, - ka thënë Sarkozi. Rusia më herët ka njoftuar se po e shqyrton mundësinë që të blejë një anije të tipit “Mistral”, në vlerë prej 400 deri 500 milionë euro, me mundësinë që më pas të ndërtojë tri apo katër anije të këtij lloji, në partneritet me kompaninë franceze “DCNS”. “Mistral”-i është në gjendje të mbajë 16 helikopterë dhe 70 automjete, përfshirë këtu edhe 13 tanke dhe 450 ushtarë. Ushtria ruse ka theksuar se anijet “Mistral do ti mundësonin flotës ruse që të ndërmerrte operacione më efektive në Detin e Zi. Nëse realizohet marrëveshja mes Francës dhe Rusisë, do të jetë kjo hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s i shet armatim Rusisë. Ministri francez i Mbrojtjes, Herve Morin, mbajti një takim në Paris me sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates, i cili shprehu shpresën që Franca të kontribuojë në stabilitetin evropian. Morin tha: ”Është e kuptueshme që për disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, plagët janë ende të hapura”, por shtoi se “Franca dëshiron që të ketë një marrëdhënie besimi në rritje me Rusinë.” Ndërsa, Robert Gates theksoi se ai, së bashku me Morin, kanë diskutuar shitjen dhe kanë shkëmbyer këndvështrime e tyre në këtë drejtim. Në Uashington, zëdhënësi i Pentagonit, Xhef Morel, tha se miqtë dhe aleatët e SHBA-së në Evropën Lindore janë të nervozuar rreth kësaj gjëje, veçanërisht Gjeorgjia dhe kjo me të drejtë. Ai, shtoi se “ata u frikësohen këtyre anijeve, pasi kjo i jep kapacitete shtesë Rusisë të kërcënojë edhe një herë Gjeorgjinë”. Kryetari i Komitetit Parlamentar të Gjeorgjisë për Integrim Evropian, Dejvid Darshiashvili, thotë se plani i shitjes së luftanijeve do të ndikojë në gjithë rajonin, ndaj duhet të diskutohet nga vendet anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. “Kjo blerje e planifikuar është vërtet një çështje shqetësuese për vendet fqinje të Rusisë dhe mendoj se duhet të jetë çështje e shqetësimit më të gjerë, në kontekstin e stabilitetit rajonal, të balancës dhe të sigurisë”. “Dhe, kjo duhet të jetë temë e diskutimeve për vendet anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian”, tha kryetari i Komitetit Parlamentar të Gjeorgjisë për Integrimin Evropian, i cili shtoi se ai pret që shumë vende në rajon do ta kundërshtojnë. “Në duart e Rusisë, ky nuk është vetëm një armatim i zakonshëm, ashtu siç është për çdo vend paqësor, që shqetësohet për sigurinë dhe mbrojtjen e tij”. “Mendoj se kjo marrëveshje do të ketë kundërshtime dhe këto kundërshtime nuk do të jenë vetëm nga ana jonë”,- tha Darshiashvili.

Ky lajm është publikuar: 10/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›