Afganistan, gati operacionet e Marjas
Autori i Lajmit: Redaksia
Marja – Duke iu drejtuar betejës për të marrë një bastion të talebanëve, marinsat amerikanë janë të vetëdijshëm se vetëm një arsye mund tu rrëmbejë fitoren. Ajo është vrasja e civilëve afganë. Vdekja e civilëve në përplasjet me trupave perëndimorë dhe rebelëve është një nga pikat më delikate të mosmarrëveshjeve mes presidentit Hamid Karzai dhe aleatëve të huaj. Kështu që në fushatën e sulmeve që pritet të nisë javën e ardhshme në qytetin e Marjas në jug të Afganistanit, gjenerali Larry Nicholson u ul me dhjetëra kryetarë fisesh afganë për të pirë çaj të ëmbël dhe për tu dhënë garancitë se prioriteti i tyre do të ishte sigurimi i jetës së qytetarëve civilë. “Si kundërpërgjigje për humbjen, çmimi janë njerëzit”, - tha Nicholson gjatë një interviste në kampin Leatherneck, bazën amerikane në provincën qendrore të Helmandit, që është njëkohësisht dhe pikënisja e ofensivës së trupave amerikane. Operacionet e Marjas janë përfolur për muaj me radhë nga marina. Një nga shkaqet që e ka detyruar Nicholsonin që të marrë këtë hap të pazakontë janë ankesat e shumta të civilëve. Amerikanët po paralajmërojnë civilët e shumtë që jetojnë në këtë qytet të mbipopulluar për të evituar sadopak shanset që ata të gjenden në mes të vijës së zjarrit. Nuk është ende e qartë nëse forcat e talebanëve do të luftojnë në Marja apo do të zhvendosen më tutje, për tu rigrupuar diku gjetkë. Por minimalisht, talebanët kanë pasur shumë muaj kohë për të ndërtuar të gjithë infrastrukturën guerile për të zënë në befasi marinsat amerikanë. Këta të fundit janë pajisur me makina të rënda, deri në 70 tonë për të pastruar rrugën nga kurthet e ngritura nga talebanët. Për të minimizuar humbjet në civilë, janë shpërndarë broshura për operacionet e sulmeve në rajonin e Marjas, ku u bëhet thirrje banorëve që të largohen nga ajo zonë. Shumë afganë nuk dëshirojnë të lënë shtëpitë dhe fermat e tyre. Për shkaqe kulturore, anëtarët e fisit pashtun, nuk do të lejojnë asnjë nga anëtarët e tyre të familjes, femra dhe fëmijë, që të strehohen diku pa praninë e një anëtari mashkull nga familja. Sulmet e Marjas do të jenë sulmet më të ashpra të ndërmarra ndonjë herë nga ushtarët amerikanë, pasi në këtë vend talebanët morën pushtetin në vitin 2001, ndërsa do të jetë gjithashtu sulmi i parë i administratës Obama që prej momentit kur SHBA vendosi shtimin me 30 ushtarë të trupave në Afganistan. Ky sulm do të jetë gjithashtu një test nëse beteja në shkallë të gjerë mund të realizohet dhe në një vend shumë të populluar me humbje minimale në njerëz. Në Marja jetojnë rreth 85 mijë njerëz dhe 45 mijë të tjerë mendohet të jetojnë në rrethinat e qytetit. Kur forcat e marinës zbarkuan në provincën Helmand verën e shkuar, komandanti i trupave të koalicionit, gjenerali Stanley A. Mçhrystal, ishte duke hartuar rregullat e reja të mbrojtjes së jetës së civilëve. “Derisa të sigurojmë maksimalisht jetën e civilëve, tha Mçhrystal për gazetarët këtë javë, ka shumë të ngjarë që ne të mos jemi perfekt për sa kohë nivelet e pasigurisë të jenë në këtë stad, por derisa njerëzit të na ndihmojnë, ne do të jemi plotësisht të përqendruar për tia dalë me sukses”.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2010