E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista e Presidentit Topi dhënë për “Zërin e Amerikës” në Nju Jork.

25 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dhënë sot një intervistë të drejtpërdrejtë në studion e “Zërit të Amerikës”, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Gazetarja (Laura Konda): Zoti President, mirëmbrëma!

Presidenti Topi: Mirëmbrëma!

Gazetarja: Zoti President, ndërsa ju bëtë thirrje që OKB-ja ta pranojë sa më shpejt Kosovën si një vend anëtar, Organizata ndërkombëtare po shqyrton kërkesën e Serbisë që çështja e pavarësisë t’i kalojë për shqyrtim gjykatës ndërkombëtare. Nga qëndrimi i këtyre ditëve në Nju Jork, nga takimet që keni patur, a keni krijuar një ide më të qartë nëse kjo kërkesë do të pranohet apo jo nga Asambleja e Përgjithshme?

Presidenti Topi: Unë besoj që kërkesa e Serbisë për ta rivendosur në fokus çështjen e Kosovës, duket një kërkesë jashtë çdo lloj konteksti racional dhe ajo që unë kam ndjerë, jo vetëm në takimet që kam patur me homologë, kryesisht të rajonit të Ballkanit, por dhe me interlokutorë të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, çështja e Kosovës është një çështje tashmë e konsoliduar nga pikëpamja jo vetëm e njohjes, por dhe e projektimit të këtij vendi, të një shteti të ri në rajonin ballkanik drejt sfidave të integrimit euroatlantik. Kështu që besoj, që kjo tentativë apo ky inkursion i Serbisë për të rikthyer në vëmendje këtë çështje, e cila tashmë konsiderohet një çështje që ka filluar të dalë në plan të parë në axhendën e takimeve bilaterale të lidershipit kosovar, por edhe të pjesëmarrjes së Kosovës edhe në tavolina ndërkombëtare, besoj që ecën në një plan jo fort të pranueshëm nga pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e lidershipit politik botëror.

Gazetarja: Ju u shprehët dje në fjalimin tuaj, po ju citoj: “Çdo ndërmarrje kundër forcimit të shtetit të Kosovës, politike, ekonomike, ushtarake, apo diplomatike, nuk është veçse një përpjekje e pashpresë kundër proceseve integruese në NATO dhe në Bashkimin Evropian, të rajonit të Ballkanit. A keni parasysh me këto qëndrime politikat e Rusisë ndaj Kosovës?

Presidenti Topi: Tashmë situata e konjukturës ndërkombëtare është e qartë. Nuk ka më asnjë lloj iluzioni që Rusia në një lidhje të shkurtër me interesat e Serbisë, e ka kontestuar, vazhdon ta kontestojë dhe do ta kontestojë vazhdimisht çështjen e pavarësisë së Kosovës. Ne e kemi thënë vazhdimisht që Kosova është një rast “sui generis” dhe kjo nuk është përdorur për retorikë, por ka një kontekst historik, ka një “background” historik, ka një situatë specifike kushtetuese, dhe në të drejtën ndërkombëtare, po të shikojmë çështjen e Kosovës në kompleksitet janë dashur mjaft vite që të vijmë deri në momentin kur Kosova u shpall një shtet i pavarur më 17 shkurt të vitit 2008. Asnjëherë përpjekjet që bëhen nga politika serbe apo nga politika ruse nuk sjell në vëmendje që ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte një ndërhyrje për të shpëtuar popullin e Kosovës nga genocidi i ushtruar në mes të ditës nga xhelati i Ballkanit, nga Millosheviçi. Sot jemi, natyrisht jemi vite mbrapa, jemi gati 10 vjet mbrapa, politika botërore ka filluar që ta njohë Kosovën, bile mendoj që dhe shtetet e rajonit ballkanik, të cilat në mënyrë elokuente nuk janë shprehur për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kanë dhënë të kuptojnë që ato të mbajnë një pozicion, sikurse mbajnë shtetet e Bashkimit Evropian, shtetet e NATO-s, sepse sfidat e tyre integruese, natyrisht i diktojnë ato që të jenë sinergjiste në marrjen e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Unë mendoj që sot situata për Kosovën është e qartë çdo ditë. Ndonëse sot kemi 47 vende që e kanë njohur, është për të vënë në evidencë që janë 22 vende mjaft të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, mjaft të fuqishme, mjaft potente, qoftë nga pikëpamja politike, dhe nga pikëpamja ekonomike që e kanë njohur, dhe natyrisht, vendet e tjera që janë në kuadrin e shumë vendeve të botës, besoj që gradualisht, hap pas hapi, falë edhe takimeve bilaterale, falë interesave globale, janë të tilla që krijojnë premisa që Kosova patjetër do të njihet në një proces hap pas hapi.

Gazetarja: Është një fakt i njohur tashmë, që Kosova është njohur nga 47 vende të botës, por ende dy nga fqinjët e saj, Maqedonia dhe Mali i Zi, nuk e kanë njohur atë. Në takimet dypalëshe që sapo përmendët që keni patur në Nju Jork, a keni patur rastin të bisedoni edhe me homologët tuaj nga vendet fqinje për këtë çështje?

Presidenti Topi: Natyrisht, me homologët e vendeve fqinje ne mbajmë kontakte permanente, kemi pasur takime pune, takime zyrtare, kemi shfrytëzuar tavolinat rajonale, qoftë dhe takimet në OKB, dhe unë kam rastin të them që ka një predispozicion të dukshëm, aspak të fshehur që këto vende dëshirojnë që në sfidat e tyre të integrimit euroatlantik t’i japin zgjidhje edhe çështjeve që kanë mbetur për t’u deklaruar. Nuk ka absolutisht asnjë deklaratë eksplicite të këtyre vendeve për momentin, por natyrisht ne si politikanë, qoftë dhe në politikën e institucioneve tona, dhe në politikën ndërkombëtare shikojmë tendencat dhe besoj tendencat në këtë lloj konteksti që ju e shtruat pyetjen, janë mjaft pozitive. Unë shpresoj që vendet e rajonit do të jenë koshiente që pavarësia e Kosovës do të thotë stabilitet i këtij shteti të ri në Ballkan, që injekton stabilitet në të gjithë rajonin ballkanik. Sot fryma e stabilitetit në rajon është e tillë që të imponon jo vetëm marrëdhënie intensive dhe dialog intensiv politik, por të imponon marrëdhënie institucionale në të gjitha planet, duke e rikthyer rajonin ballkanik në një territor, ku investimet ekonomike janë ato që duhet të predominojnë. Dhe patjetër stabiliteti i Kosovës, stabiliteti i Maqedonisë, stabiliteti i të gjitha vendeve të rajonit i fut këto vende, realisht dhe psikologjikisht, në sfidat e integrimit euroatlantik. Ne kemi takuar, vazhdojmë të takohemi, dhe besoj që i takon këtyre vendeve që të japin dhe një shembull të qartë, që dhe vendet e tjera që sot shprehin një lloj skepticizmi, një lloj dyshimi, ta kenë më të lehtë që të marrin zgjidhje dhe të shprehen për pavarësinë e Kosovës. Tashmë, kjo është një tendencë e qartë, pozitive, dhe unë kam bindjen se njohja e Kosovës në radhë të parë do të vijë nga vendet e rajonit, dhe ju e keni parë që ka pasur mënyra alternative për të dhënë, për të kuptuar që ato e njohin Kosovën, sikurse ka qenë njohja e pasaportave të Kosovës, sikurse është pjesëmarrja në tavolina të përbashkëta dhe besoj që ky proces do të intensifikohet me kalimin e ditëve. Dhe nuk besoj që do të jenë muaj kur do të shohim që dhe këto shtete do të prononcohen në mënyrë të drejtpërdrejtë për këtë çështje që ia imponon dhe realiteti rajonal, po ia imponon dhe konjuktura ndërkombëtare, dhe partneriteti me partnerët strategjikë, të cilët në mënyrë të qartë, qysh në ditët e para, kanë bërë njohjen e Kosovës, si një shtet i ri sovran, i cili, më lejoni ta them tani, besoj ka surprizuar edhe më skeptikët përsa i përket dirigjimit dhe administrimit të pushtetit politik. Kemi parë një lidership kosovar që në thelb ka pasur planin e Ahtisarit, ka pasur çështjet e decentralizimit të pushtetit, marrjen në konsideratë të interesave të minoritetit dhe besoj që klima në Kosovë sot konsiderohet realtivisht e qetë. Sot ka një moment kur të gjithë po e kërkojmë, po e kërkojmë dhe ne, që të shkojë përfundimisht transferimi i pushtetit nga UNMIK-u tek EULEX-i për të bërë të mundur që qetësia që sot është në Kosovë, të kthehet në predispozicion për investime ekonomike në Kosovë, ku dhe planet e institucioneve të vendeve më të rëndësishme janë që ta nxjerrin këtë vend përfundimisht nga kriza dhe ta bëjnë pjesë të inisiativave rajonale për integrim, qoftë në Bashkimin Evropian, qoftë në NATO.

Gazetarja: Zoti President, Shqipëria ndodhet aktualisht në një periudhë të rëndësishme në historinë e saj, në përgatitjet për t’u anëtarësuar në organizmat euroatlantike. Këto përgatitje përfshijnë edhe plotësimin e disa kritereve, mes tyre një sistem drejtësie në nivelet e një shteti të zhvilluar. Kohët e fundit është hapur një debat në Shqipëri lidhur me një projektligj për Prokurorinë e Përgjithshme. Ka patur kritika mes tyre dhe shqetësimet e një diplomati amerikan se disa momente të projektligjit mund të shihen si një përpjekje për të vënë nën trysni këtë institucion. A jeni të shqetësuar nga kjo situatë apo nga përmbajtja e këtij projektligji?

Presidenti Topi: Fakti që në Shqipëri ka debat, kjo është një predispozitë pozitive, çka do të thotë që në Shqipëri, në institucionet e Shqipërisë, ka një terren demokratik ku debatohet, bile unë jam shprehur në mënyrë të qartë që është shumë e rëndësishme që, gjërat përpara se të vendosen, sidomos gjëra të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndryshime kushtetuese, me ligje të rëndësishme që i takojnë sistemit të drejtësisë, detyrimisht duhet të paraprihen nga një debat i gjerë politik, nga një debat i gjerë dhe i thellë profesional, nga një kombinim i interesave të politikës, që është ajo që merr vendime të rëndësishme, por dhe i grupeve të interesit që janë nëpër institucione, që janë jashtë institucioneve, por janë patjetër të interesuara që çështjet sidomos në sistemin e drejtësisë të jenë të kopsitura mirë, të jenë ndryshime që bëhen në favor të forcimit të kësaj linje, në mënyrë që në Shqipëri në mënyrë definitive të kthehet shteti i së drejtës, të merren në konsideratë interesat e qytetarit, të cilët kërkojnë më shumë drejtësi, të luftohet në mënyrë sistemike, problemi mjaft problematik do të thoja i parë në vite sikurse është i korrupsionit. Dhe unë mendoj që në Shqipëri po punohet mirë në dy linja: po punohet në një linjë të debatit politik, të vendimarrjeve politike, dhe një lloj autoreformimi brenda sistemit të drejtësisë, që natyrisht i takon Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjykatave dhe të gjithë grupeve të interesit. Është një proces transparent, unë uroj që ky proces të intensifikohet, sidomos në metodikën transparente, që njërëzit të shikojnë që ato do t’i përfaqësojnë në krye të gjykatave, të jenë njerëz që dalin në mënyrë transparente para publikut, por mjaft e rëndësishme është që këto gjëra të arrihen në kohë, sepse një nga standartet që kërkohet qoftë në Bashkimin Evropian, qoftë në integrimin në NATO, padyshim është që sistemi i drejtësisë të dalë plotësisht në standartet nga vendet që kërkohen, nga partnerët tanë perëndimorë. Përsa i përket çështjes tjetër të rëndësishme, që ka të bëjë me reformën elektorale, kam qenë vazhdimisht dhe besoj që do të jem katalizator i nxitjes së dialogut politik, në mënyrë që reforma elektorale, ndryshe nga retrospektiva ku jeni mësuar që ajo të realizohet në minutat e fundit, para se të jetë momenti i zgjedhjeve, ajo të bëhet në kohë, dhe unë jam i besimit që Komisioni parlamentar i posaçëm që është ngritur në parlament për hartimin e një ligji zgjedhor, të marrë në konsideratë të gjithë interesat e shqiptarëve, të partive politike, në mënyrë që zgjedhjet të kemi mundësi t’i realizojmë në kohë, të përgatisim një infrastrukturë zgjedhore, kur dhe partitë politike të jenë në gjendje dhe të kenë kohën e duhur për të bërë fushatën elektorale, kur njerëzit të kenë kohë për të reflektuar dhe më së fundi të kemi mundësi, dhe unë jam i besimit dhe kam bindje të tillë që zgjedhjet politike të vitit 2009 të jenë zgjedhje të lira, të ndershme, të denja për një Shqipëri që kërkon të integrohet në Evropë, për një Shqipëri, e cila sot është në momente shumë të rëndësishme të progresit të institucioneve, të ekonomisë dhe të shoqërisë. Dhe të kemi zgjedhje të pakontestuara do të thotë që Shqipëria të futet pa asnjë lloj paragjykimi në këto struktura dhe të jetë plotësisht në standartet që kërkohen.

Gazetarja: Zoti Topi, ju falënderoj për intervistën.

Presidenti Topi: Edhe unë ju falënderoj pa masë. Urimet më të mira!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›