E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takon Administratorin e Përgjithshëm të PNUD-it, Kemal Dervish.

24 shtator 2008
Nju Jork,
SHBA

Presidenti Topi zhvilloi sot një takim të veçantë pune me Administratorin e Përgjithshëm të PNUD-it, Kemal Dervish.

Në fillim të bisedës, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim me z. Kemal Dervish, si dhe mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e PNUD-it për promovimin dhe realizimin e shumë projekteve në Shqipëri. Duke vënë theksin tek bashkëpunimi i ngushtë i shtetit dhe qeverisë shqiptare me PNUD-in për arritjen e objektivave, edhe nëpërmjet zbatimit të projektit “Një OKB”, Presidenti Topi shprehu besimin se ky projekt do të rigjallërojë mbështetjen e OKB-së ndaj vendit tonë dhe se fakti i të qënit vend pilot në këtë projekt përbën angazhim e përgjegjësi të veçantë për Shqipërinë. Në këtë kuadër, Kryetari i shtetit shqiptar garantoi vullnetin maksimal për ta bërë këtë inisiativë të suksesshme.

Z. Dervishi vlerësoi arritjet e vendit tonë në reformat e ndërmarra, përpjekjet në rivendosjen e shtetit ligjor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për biznesin. Ai theksoi gjithashtu se reformat duhet të synojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Administratori i PNUD-it, z. Dervishi shprehu mbështetjen e mëtejshme për Shqipërinë përmes projekteve konkrete të PNUD-it.

* * *

Po sot, Presidenti i Republikës, Bamir Topi takoi Zëvendëspresidenten për Politikat dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Korporatës së Qeverisë së Shteteve të Bashkuara “Millennium Challenge Corporation” (MCC), Maurin Herrington.

Në këtë takim, Presidenti Topi e njohu zonjën Harrington me zhvillimet dhe arritjet më të fundit në Shqipëri, me hapat e ndërmarra kryesisht në fushën ekonomike, si dhe me politikat që po ndjek Shqipëria në drejtim të zvogëlimit të nivelit të varfërisë, nëpërmjet zbatimit të një sërë programesh të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Duke falënderuar për kontributin e deritanishëm të kësaj Korporate për Shqipërinë dhe duke nënvizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit institucional, Presidenti Topi vuri në dukje kontributin që kjo korporatë ka dhënë në drejtim të parandalimit të korrupsionit dhe përmirësimit të mjedisit për veprimtarinë e biznesit. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi gjithashtu strategjitë që zhvillon Korporata në drejtim të rritjes së tregtisë në sektorin privat dhe të investimeve.

Zonja Harrington, duke shprehur e kënaqur për këtë takim, nënvizoi përmirësimet dhe zhvillimet e shpejta që po ndodhin në Shqipëri dhe theksoi se së shpejti Korporata do të marrë në konsideratë kërkesat e shtetit shqiptar për asistencë amerikane lidhur me tre inisiativat e saj specifike: reduktimin e korrupsionit në administratë dhe politikat e taksave; reduktimin e korrupsionit dhe realizimin transparent të prokurimeve të qeverisë; luftimin e korrupsionit në fillimin dhe regjistrimin e biznesit.

E themeluar në 2004, “Millennium Challenge Corporation” ka si mision zvogëlimin e varfërinë botërore përmes promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Bordi i drejtorëve kryesohet nga Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Kondoleza Rice. Implementimi i programit të miratuar për Shqipërinë mbikqyret në emër të Qeverisë shqiptare, nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›