E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi fton Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

24 shtator 2008
Nju Jork,
SHBA

Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bamir Topi dhe Preësidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu patën sot një mëngjes pune, në të cilin u bisedua kryesisht për hapat dhe projektet konkrete në shërbim të zgjerimit, thellimit dhe konsolidimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve shumë të mira midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Presidenti Topi dhe Presidenti Sejdiu shprehën vullnetin dhe angazhimin e përbashkët për të dhënë gjithë kontributin e tyre për një bashkëpunim sa më të frytshëm dhe intensiv në fushat me interes të ndërsjellë, si atë të energjitikës, arsimit, turizimit, shëndetësisë, kulturës etj. Dy Presidentët ndanë të njëjtin mendim se përfundimi sa më i shpejtë i rrugës Durrës - Kukës - Morinë do të jetë një kontribut madhor në këtë drejtim, sidomos përmes mundësimit të garantimit të lëvizjes së lirë të mallrave, si dhe të njerëzve.

Gjatë bisedës së ngrohtë e vëllazërore, Kryetari i Shtetit, duke garantuar mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë, shprehu besimin se Kosova do të përballojë me sukses të gjitha sfidat e saj të së ardhmes. Presidenti Topi e ftoi Presidentin e Kosovës, Sejdiu për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit dhe u pranua me kënaqësi nga Presidenti kosovar.

* * *

Në vijim, Kryetari i Shtetit ishte i pranishëm në hapjen e Forumit “Clinton Global Initiative”, ku u paraqitën nisma për luftën kundër varfërisë, sëmundjeve të kancerit dhe AIDS, mbrojtjes së mjedisit, edukimit, etj. Në këtë veprimtari merrnin pjesë 60 krerë shtetesh dhe personalitete të tjera të larta të jetës politike, ekonomike dhe kulturore nga mbarë bota. Në një bashkëbisedim me ish-Presidentin e SHBA-së, Bill Klinton, Presidenti Topi i shprehu mirënjohjen për ftesën e pjesëmarrjes në këtë Forum të rëndësishëm dhe për gjithçka ai ka bërë për Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar. Nga ana e tij, ish-Presidenti i SHBA-së, Klinton, i premtoi Presidentit Topi se do të vazhdojë në këtë linjë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›