Ndryshon ligji “Për konkurrencën”, tani më shumë gjoba për shkelësit
Ervin KOÇI
Qeveria ka ndryshuar dje Ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, duke kryer në të përmirësime dhe ndryshime që do t’i japin Autoritetit të Konkurrencës më shumë fuqi dhe dispozita. Ndryshimet më të fundit vijnë menjëherë pas nisjes së hetimeve dhe kontrolleve të ndryshme gjatë kohëve të fundit që AK-ja po zhvillon në vend ndaj skemave monopol të subjekteve të ndryshme në tregun shqiptar. Sipas ligjit të ri, “ndalohet çdo abuzim me pozitën dominuese nga një ose më shumë ndërmarrje, që e zotërojnë këtë pozitë në treg”. Ndryshimet prekin ndërmarrjet publike dhe ndërmarrjet, të cilave i janë dhënë të drejta ekskluzive ose të drejta të veçanta. Ndërmarrjeve, të cilave iu është besuar ushtrimi i veprimtarisë në fushën e shërbimeve me interes ekonomik të përgjithshëm, ose të monopoleve të orientuara drejt sigurimit të të ardhurave, kontrollohen në bazë të ligjit të ri në veprimtarinë e tyre. Sipas ligjit të ri, “Pozitë dominuese”, është ajo fuqi ekonomike e mbajtur nga një ose më shumë subjekte të afta të veprojnë, për sa i takon ofertës ose kërkesës, në mënyrë të pavarur nga pjesëmarrësit e tjerë në treg, si konkurrentët, klientët ose konsumatorët. Sipas ligjit, mund të përjashtohet nga zbatimi i pikës 1, të nenit 4, çdo marrëveshje e cila kontribuon në përmirësimin e prodhimit ose të shpërndarjes së produkteve ose shërbimeve, ose në nxitjen e progresit teknologjik apo ekonomik, nëse një pjesë e mjaftueshme e këtyre përfitimeve shkon në favor të klientëve e të konsumatorëve, dhe kur: 1) nuk përmban kufizime të veprimtarive të ndërmarrjeve pjesëmarrëse që nuk janë të domosdoshme për të arritur objektivat e sipërpërmendura; 2) nuk kufizon, në mënyrë të ndjeshme, konkurrencën në lidhje me produktet apo shërbimet, objekt i këtyre marrëveshjeve. Çështjet, procedurat hetimore dhe kontrollet e përqendrimeve, pavarësisht nga faza në të cilën ndodhen në çastin e hyrjes në fuqi të dispozitave të këtij ligji, do të vazhdojnë t’u nënshtrohen dispozitave të mëparshme deri në dhënien e vendimit përfundimtar të Komisionit të Konkurrencës.
Përjashtimi i marrëveshjeve
Komisioni, në zbatim të nenit 5, miraton rregullore për kategoritë e marrëveshjeve që përjashtohen nga ndalimi i parashikuar në pikën 1, të nenit 4. Në këto rregullore përcaktohen me hollësi kushtet që duhet të përmbushin marrëveshjet për të përfituar nga përjashtimi i ndalimit të parashikuar në pikën 1, të nenit 4.
Marrëveshjet me rëndësi të vogël
Mund të përjashtohen nga zbatimi i pikës 1, të nenit 4, ato marrëveshje, të cilat nuk e kufizojnë ndjeshëm konkurrencën në treg, në rast se pjesa e tregut e të gjitha ndërmarrjeve së bashku, pjesëmarrëse në këtë marrëveshje, nuk tejkalon: a) 10 për qind të tregut përkatës, ku pjesëmarrësit janë konkurrentë; b) 15 për qind të tregut përkatës, ku pjesëmarrësit nuk janë konkurrentë.
Përqendrimi i ndërmarrjeve
Përqendrim të ndërmarrjeve kemi në rastet se: a) dy ose më shumë ndërmarrjeve ose pjesë ndërmarrjesh të pavarura nga njëra-tjetra; b) kontrollit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë një ose më shumë ose të një pjese të këtyre të fundit. Kontrolli, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, mund të përfitohet nëpërmjet të drejtave, kontratave ose çdo mënyre tjetër, të cilat, në mënyrë të veçantë ose të kombinuar, në bazë juridike ose faktike, krijojnë mundësinë e ushtrimit të një ndikimi vendimtar mbi veprimtarinë ekonomike të një ndërmarrjeje, në veçanti, me anë të: a) së drejtës së pronës ose të së drejtës për të përdorur të gjitha ose një pjesë të aktiveve të një ndërmarrjeje; b) të drejtave ose kontratave, që ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në përbërjen, votimin ose vendimet e organeve drejtuese të një ndërmarrjeje. Krijimi i një ndërmarrjeje të përbashkët nuk përbën një përqendrim sipas këtij neni, në rast se ka për objekt apo pasojë bashkërendimin e veprimtarive konkurruese ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjesh të pavarura. Në këtë rast, krijimi i një ndërmarrjeje të përbashkët do të vlerësohet në bazë të nenit 4, të këtij ligji.”.
Kontrolli i përqendrimeve
Përqendrimet e ndërmarrjeve njoftohen në autoritet për të marrë autorizim, nëse në vitin e fundit financiar, para përqendrimit: a) xhiroja e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku në tregun ndërkombëtar është më shumë se 7 miliardë lekë dhe xhiroja e të paktën një ndërmarrjeje pjesëmarrëse, në tregun e brendshëm, është më shumë se 200 milionë lekë; b) xhiroja e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku në tregun e brendshëm është më shumë se 400 milionë lekë dhe xhiroja e të paktën një ndërmarrjeje pjesëmarrëse, në tregun e brendshëm, është më shumë se 200 milionë lekë. Përqendrimet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, njoftohen brenda nga lidhja e marrëveshjes për bashkim dhe nga publikimi i ofertës publike për blerje ose shkëmbim. Ndërmarrje pjesëmarrëse, në kuptimin e këtij neni, janë: a) në rast bashkimi, ndërmarrjet që bashkohen; b) në rast përftimi kontrolli, ndërmarrjet dhe/ose personat e parashikuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 10, që përftojnë kontrollin, dhe ndërmarrjet ose pjesët e ndërmarrjeve, që bëhen objekt të përftimit të kontrollit;
Ankimi
Kundër vendimeve të komisionit për vendosjen e sanksioneve mund të bëhet ankim në gjykatë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit për vendimin. Gjoba e vënë nga AK-ja është titull ekzekutiv dhe ekzekutohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Civile. AK-ja nuk ka detyrim që të parapaguajë taksën apo tarifën për shërbimin përmbarimor.
Hetimi në sektorët e ekonomisë
Autoriteti, me nismën e tij, me kërkesën e Kuvendit me kërkesën e institucioneve rregullatore të sektorëve përkatës, mund të kryejë një hetim të përgjithshëm në një sektor të ekonomisë, nëse ngurtësia e çmimeve ose rrethana të tjera të bëjnë të mendosh se konkurrenca në treg kufizohet ose shtrembërohet. Autoriteti mund t’u kërkojë ndërmarrjeve ose grupimeve të ndërmarrjeve që t’i sigurojnë të gjitha informacionet e nevojshme për kryerjen e hetimit. Sekretariati, me miratimin e komisionit, mund të fillojë hetimin paraprak, me nismën e tij, me ankesë të palëve të interesuara ose të treta, për kufizime, shtrembërime apo pengime të konkurrencës. Sekretariati fillon hetimin paraprak, sa herë që kërkohet nga komisioni. Autoriteti ruan mbetjen anonim të ankuesit, sa herë që ky i fundit e paracakton një gjë të tillë.
Hetimi i thelluar
Kur vihen re shenja të kufizimeve të konkurrencës, sekretariati, me miratim të Komisionit, fillon një procedurë të thelluar hetimi. Ai fillon një procedurë të tillë, sa herë që i kërkohet nga komisioni. Komisioni me vendim përcakton hapat për realizimin e këtij hetimi. Afati i përfundimit të procedurave të hetimit të thelluar është si rregull 6 (gjashtë) muaj nga data e vendimit të komisionit për hapjen e hetimit të thelluar. Afati sipas pikës 3, të këtij neni, mund të zgjatet me vendim të komisionit në rast se kërkohen hetime të mëtejshme, që kanë të bëjnë me prova, të dhëna shtesë dhe ekspertizë të specializuar për shqyrtimin e rastit. Procedurat hetimore, të parashikuara në nenet 41,42 e 43, të këtij ligji, kryhen sipas rregulloreve të dala në zbatim të këtij ligji. Komisioni shprehet me vendim për mbylljen e hetimit, në zbatim të neneve 41, 42, e 43, të këtij ligji, edhe në rastet kur nuk konstatohen shenja të kufizimeve të konkurrencës.
1 Korrik 2010