Shqipëria cakton grupin negociator për anëtarësimin e plotë në NATO
Këshilli i Ministrave ka vendosur dje ngritjen e Grupit negociator që do të ndjekë bisedimet lidhur me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Duke e vlerësuar ngritjen e këtij grupi si mjaft të rëndësishëm, shefi i kabinetit qeveritar, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë u shpreh se ky grup do të kompletojë me sukses integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO dhe në këtë mënyrë do të bëhet e mundur që Shqipëria të marrë karrigen e saj në tryezën e NATO-s në të gjitha nivelet. Kryeminitri Berisha deklaroi në mbledhjen e qeverisë se “ky grup do të komplomentojë me sukses integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO”. Ky grup, në përbërje të të cilit do të jenë diplomatë dhe përfaqësues të dikastereve të ndryshme (ekspertë), do të drejtohet nga Koordinatori Kombëtar për NATO-n, Glori Hysi. Duke e konsideruar si ‘kryefjalën’ e mbledhjes së Këshillit të Ministrave, procesin e integrimit të plotë të Shqipërisë në NATO, shefi i ekzekutivit Berisha vuri në dukje se “ky proces i shumëpritur nga shqiptarët, që njohu kulmin e tij me marrjen e ftesës në Bukuresht, duhet të ecë me shpejtësi për të përmbushur çdo detyrim që vjen nga kjo ftesë”. “Ne duhet të jemi të gatshëm për aktin e anëtarësisë të plotë në NATO, në një kohë sa më të shkurtër. Nuk duhet të ketë asnjë lloj çështje nga pala shqiptare që ta vonojë qoftë edhe një ditë këtë proces madhor të historisë tone”, tha Kryeministri, duke vlerësuar se “procesi para së gjithash është politik, pasi faktori përcaktues për marrjen e ftesës, ishin reformat e ndërmarra nga qeveria”. Sipas tij, këto reforma e bënë Shqipërinë një shembull frymëzues për vendet e rajonit dhe plotësuan dëshirën më të madhe politike të 95 përqind të qytetarëve shqiptarë, marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Duke u shprehur i sigurtë, se Shqipëria do të marrë anëtarësimin e plotë më shpejt se sa mendohet, kryeministri Berisha theksoi se përparësi absolute e qeverisë do të jenë reformat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat në fushën fiskale, ekonomike, në drejtësi, pra në të gjitha fushat. “Reformat në luftën kundër krimit të organizuar, reforma në fushën fiskale, ekonomike, në fushën e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit, në fushën sociale, të arsimit etj. duhet të jenë kryefjala dhe përparësia jonë absolute. Unë jam i bindur se më shpjet nga çmendohet Shqipëria do të marrë anëtarësimin e plotë”, tha Berisha duke shtuar se zbatimi i reformave të mëdha të ndërmarra nga qeveria, parlamenti dhe të gjitha institucionet e vendit ishin faktor përcaktues për marrjen e ftesës. “Këto reforma e bënë Shqipërinë një shembull frymëzues për vendet e rajonit, e bënë atë të përshtatshme dhe të përzgjedhëshme për të marrë ftesën, duke plotësuar kështu dëshirën më të madhe politike të 95 për qind të qytetarëve shqiptarë”, tha më tej Kryeministri. Për këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm, Kryeministri Berisha u bëri thirrje anëtarëve të qeverisë t’i përgjigjen me seriozitetin më të madhe detyrimeve që dalin nga ky proces dhe t’i japin mbështetje të fuqishme grupit negociator, në mënyrë të veçantë nga Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Jashtme, e cila drejton këtë proces që udhëhiqet nga Kryeministri, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes, që ka një pjesë të rëndësishme në procesin e negociatave. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian është mbështetur fort si nga qytetarët ashtu edhe nga opozita e majtë. Partia Socialiste dhe forca të tjera opozitare po japin mirëkuptimin e tyre për kryerjen e disa reformave në sistemin zgjedhor dhe atë të drejtësisë. Pozita dhe opozita po kalojnë një periudhë të veçantë bashkëpunimi për të kryer reformat e kërkuara që zhvillojnë vendin dhe shpejtojnë integrimin euro-atlantik të tij.
Basha: Procesi i anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO, ndodhet në një fazë dinamike/ Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha priti dje në një takim Grupin Ndërdikasterial të Punës për Hartimin dhe Monitorimin e MAP dhe njëkohësisht ekipin negociator për mbylljen e proçedurave për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryediplomati shqiptar, Lulzim Basha kërkoi impenjimin e të gjithë mekanizmave, institucioneve dhe individëve për të përballuar në kohë të gjitha angazhimet për përmbylljen me sukses të procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO. Gjatë takimit, ministri Basha theksoi se puna për realizimin me sukses të procesit të anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO nuk ka përfunduar ende, madje është futur në një fazë shumë interesante dhe shumë dinamike. Procesi, i cili filloi me një letërkëmbim të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës me Ministrin e Punëve të Jashtme, do të vazhdojë me negociatat e pranimit, të cilat parashikohen të zhvillohen në Bruksel në dy raunde, respektivisht më 23 prill 2008 dhe 9 maj 2008. Krahas negociatave do të vazhdojë puna për planizimin e reformave, përcaktimin e prioriteteve dhe afateve të tyre. Në përfundim të këtij procesi, më 9 korrik 2008, pritet të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të Protokollit të Pranimit nga Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Pas nënshkrimit, Shqipëria ftohet të marrë pjesë në shumicën e takimeve të NATO-s me statusin e vëzhguesit. Procesi i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO udhëhiqet personalisht nga Kryeministri Berisha, ndërkohë që procesi i negocimit për mbylljen e procedurave për anëtarësim drejtohet nga Ministria e Punëve të Jashtme. Grupi negociator, i cili përbëhet nga përfaqësues të dikastereve të linjës, kryesohet nga z. Glori Husi, Koordinator Kombëtar i MAP-it.