Neni 87 vë sot në provë mazhorancën në Kuvend
Neni 87 vë sot në provë mazhorancën në Kuvend. Kampi blu është i ndarë në dy rryma të ndryshme, që lidhen në një pikë të përbashkët, mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Vota e fshehtë do të vërë në sprovë mazhorancën, por edhe dy partitë më të mëdha në Kuvend. PD e përçarë nuk mund të sigurojë 94 vota bashkuar me Partinë Socialiste, por as mbështetësit e Topit nuk mund të sigurojnë votat nëse nuk nisin negociatat me kampin rozë. Gjatë ditës së sotme, mbështetësit e Presidentit Topi do të takohen me kreun e shtetit për të biseduar lidhur me qëndrimin e Kryesisë së PD-së, por edhe atë më të fundit në mbledhjen maratonë të grupit kuvendor. Nga ana tjetër, edhe aleatët qeverisës kanë deklaruar votën e tyre në favor të zgjedhjes së Presidentit nga populli, duke kundërshtuar në këtë mënyrë zgjedhjen e kreut të shtetit me shumicë të thjeshtë në raundin e fundit. Me gjithë këmbënguljen e Kryeministrit Berisha për të bindur grupin e PD-së për të votuar ndryshimet kushtetuese, deputetët demokratë kanë shprehur votën e tyre kundër variantit që Presidenti të zgjidhet me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Mbledhja e firmave për zgjedhjen e Presidentit nga populli ka bërë të mundur që ky variant të votohet në Kuvend bashkë me atë të miratuar në Komisionin e Ligjeve. Shumica parlamentare do të shkojë në Kuvend me dy variante lidhur me ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që kampi rozë i kërkon PD-së të jetë më i vendosur në variantet e tij. Pretendimi i kampit rozë është se dyzimi për Presidentin mund të hedh në erë reformën zgjedhore, megjithatë kampi blu vendos të votojë të dyja variantet në Kuvend.