Intervista/Luçiano Boçi: Suksesi i Durim Hushit, një triumf për kontributin e PD-së për qytetin e Elbasanit
Kryetari i PD për Elbasanin ndalet tek fushata moderne që po zhvillon “Aleanca për Qytetarin” dhe tek perspektiva që po shfaqet për qytetin nga investimet e pritshme, por edhe nga alternativa e një politikani karriere si Durim Hushi. Suksesi i pritshëm është një formulë që po vjen nga një koalicion tërësisht funksional
Zoti Boçi jemi në mesin e fushatës elektorale a mund të na thoni si po shkon ecuria e saj?
Fushata elektorale i është futur një hullie zhvilluese normale, angazhuese, aktive dhe sigurisht pretendoj që është njëkohësisht rezultative, përsa i përket asaj që ne duam të transmetojmë tek qytetarët dhe tek strukturat partiake. Përgjatë kësaj fushate nuk kanë munguar dhe rastet e përplasjeve fjalësore dhe simbolike, gjë që është paralajmërim i ritmit të ndezur që do të marrë fushata gjatë dy javëve në vazhdim. Formati ynë fushator shkon drejt aplikimit të një qytetarie dhe morali i cili përputhet plotësisht me vetë natyrën e Elbasanit, format që priret drejt respektimit të rivalit, drejt shikimit me sy kritik të mënyrës së qeverisjes së deritanishme të qytetit, drejt ofrimit të zgjidhjeve konkrete dhe reale, pa kosto qytetare, të gamës më të madhe të problemeve që shqetësojnë sot pikërisht ata që ne në programin tonë i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë gjithmonë të parët. Duhet thënë se nuk kemi gjetur të njëjtën klimë tek mënyra e Aleancës për të ardhmen e cila vazhdon të sillet me proceset zgjedhore me një papërgjegjshmëri të paprecedentë. Brenda saj mungojnë alternativat programore, mungon bashkërendimi me problemet reale, mungon sensi i dhënies llogari për punët e pabëra dhe aferat e bëra. Rezultat i gjithë kësaj është auto-lëvdimi, kërkimi i ethshëm për të gjetur fajtorë ekstra, burracakllëku që shkon deri në shmangie të ballafaqimeve televizive dhe sigurisht që e gjitha kjo nuk se si të mos shoqërohet me akte diversioniste, guerrilase apo debatikase tipike majtiste si grisje posterash, simbolesh, kërcënime telefonike apo kërcënime paralajmëruese me bllokime bravash e deri tek ato banalet që i kemi parë vetëm në filmat që evokojnë luftën civile në Shqipërinë e 1941-1944. Kjo nuk ka sesi të mos shkaktojë një tis të hollë humori dhe njëkohësisht një revoltë e cila nuk duhet të mbesin thjesht e tillë, por duhet të reflektohet dhe me votë.
Koalicioni“Aleanca për qytetarin” kandidon në këto zgjedhje me Z. Durim Hushin. Cilat mendoni se janë epërsitë e z.Hushi përballë rivalit të tij?
Durim Hushi i përket kastës së politikanëve që kanë dhënë kontribute të çmuara për proceset demokratike në vend. Ai është një politikan karriere, i sprovuar, me horizont e vizion të qartë dhe e di mirë dhe e ka treguar që politika për të është shërbim për qytetarët dhe jo biznes personal e familjar, është punë përkushtuese dhe jo shëtitje thashethemnajash, është nderim për qytetin dhe jo honor individual
Si kreu i PD-së së Elbasanit, deputet, por edhe si qytetar, si mendoni se është qeverisur Elbasanit në këto vite?
Mund ta përkufizoja thjesht “në mënyrën më të keqe të mundshme”, por kjo nuk mjafton, pasi dëmi global që ka pësuar Elbasani nga qeverisja lokale është shumë më i madh nga sa e pasqyrojnë shifrat. Ajo që më ka tmerruar vazhdimisht është pikërisht instalimi në mënyrën e qeverisjes së një lloj diktature të mediokritetit, të arkaizmit dhe të triumfit të mesatares intelektuale, gjë që shkon ndesh me natyrën e qytetarisë elbasanase, dhe që ka gjeneruar ato pasoja të rënda shifrore dhe jo shifrore. Si rrjedhojë Elbasani nuk ka reflektuar përgjatë këtyre viteve që është qytet universitar, që është qytet me kulturë, që është qytet me sens dhe perspektivë ekonomike. Bashkia në tërë punën e saj udhëhiqet nga një lloj avashllëku dhe një lloj dembelizmi i cili shkon deri në përbuzje për punën dhe qytetarin. Në Bashkinë Elbasan gjithçka funksionon në formë informative personale, me regjistrime bisedash e gallatash të niveleve për t’u përbuzur. Ajo as nuk ka reflektuar dhe as ka qenë aktive e ideve dhe e proceseve që çojnë përpara një shoqëri. Ne vazhdojmë të mbetemi qyteti i braktisjes nga të rinjtë, qytet i ndotur, qytet pa biznese të mëdha, qytet pa frymëmarrje urbanistike
A ka pasur Elbasani vëmendjen e qeverisë gjatë këtyre viteve? Për pak ditë, për Elbasanin do të nisë investimi më i madh infrastrukturorë në vend pas rrugës Durrës-Kukës, ai i tunelit dhe rrugës. Sa i ndihmon qytetarët ky investim?
Në optikën e qeverisë qendrore Elbasani është parë gjithmonë si një qendër shumë e rëndësishme ekonomike, kulturore, sociale e universitare. Kjo reflektohet si në rritjen e vazhdueshme të granteve për bashkinë, të cilat duhet thënë se janë keqpërdorur duke u harxhuar në formën e shpërblimeve dhe pagave për militantët të cilat mbushin sheshet e protestave të PS, ashtu dhe në financimet e vazhdueshme për Universitetin dhe arsimin në përgjithësi, për shëndetësinë etj. Dhe ajo që i vë vulën këtij përkujdesi është pikërisht vendimi për rrugën që lidh Elbasanin me Tiranën, efektet e së cilës për Elbasanin e më gjerë janë tashmë të njohura.
Sa besoni në fitoren e koalicionit “Aleanca për të Qytetarin” në Elbasan, më 8 maj?
Kam bindjen se do ia dalim me sukses.
Si kreu i forcës politike më të madhe të koalicioni në Elbasan, cili do të ishte mesazhi Juaj për zgjedhësit?
Votoni programin më të mirë për ju, votoni të sotmen dhe të ardhmen që ju ofrojmë, votoni kandidatin e Aleancës për Qytetarin Durim Hushin, votoni Partinë Demokratike. Ne kemi dëshmuar që punojmë për ju dhe që dëshirat tuaja për zhvillim, përparim, mirëqenie janë detyrimi ynë më i madh.