Intervista/Te drejtat e pakicave në Malin e Zi duhet të jenë të garantuara me ligj
Gjatë një interviste për Kohën Javore që publikohet në Ulqin, Ramë Sinanaj, këshilltar i Unionit Demokratit të Shqiptareve në Komunën e Plavës shprehet për domosdoshmërinë e garantimit me kushtetutë të të drejtave të pakicave në Malin e Zi
Zoti Sinanaj, çfarë është pozita e shqiptareve sot në Mal të Zi, si jetojnë sot ata dhe ku janë në aspektin social dhe sa është zbatuar ligji për kthimin e pronave në komunën e Plavës dhe a po e gëzojnë qytetaret këtë të drejtë?
Unë personalisht mendoj se ka shumë gjëra për të thënë se si jetojnë sot shqiptarët në Mal të Zi. Unë nuk shoh anë pozitive. Por gjithnjë shoh se në trevat joshqiptare janë bërë investime shumë të mëdha dhe përmenden miliona të shumtë në investime në infrastrukturë, në ndërtimin e objekteve prodhuese, kurse në vendbanimet shqiptare nuk ka investime, edhe nëse janë, janë të pakta dhe me mundime të mëdha. Duhet thëne se ne vendbanimet ku jetojnë shqiptaret të mirat materiale dhe pronësore janë vërtetë të cunguara. Duke filluar nga Komuna e Ulqinit, ku i janë marrë të mirat detare dhe i janë kaluar Budvës, e kur dihet se 63 përqind të bregdetit të shfrytëzuar në Mal të Zi i takojnë Ulqinit, pastaj fushat e Tuzit, përmes Agrokombinatit 13 Korriku, fushat e Malësisë po uzurpohen,ashiqare po merren pronat e shqiptarëve. Tash u ka ngelur edhe Plava. Komunë kjo ku jetojnë 25 përqind e popullatës me përkatësi nacionale shqiptare, e që në vitin 1949 ishim mbi 60 përqind shqiptarë. Resurset natyrore që i ka Plava, janë malet dhe kullotat tona. Pyjet priten pamëshirshëm dhe pronat tona po shkretohen. Ndaj shqiptarëve bëhen të padrejta te shumta. Elementi kryesor i se drejtës së njeriut është prona,kurse tek ne prona është marrë nga shteti. Ligji mbi restituimin, tash katër- pesë vite është i vdekur dhe nuk zbatohet fare. Tjetër element që është shumë kyç për të jetuar këtu është punësimi. Në strukturat komunale janë shumë pak shqiptarë të punësuar. Në fakt kemi vetëm pesë shqiptarë me marrëdhënie pune në strukturat e shtetit. Ndërsa në kuadër të qeverisjes lokale kemi një avancim më të gjallë, janë diku 10 përqind shqiptarë të punësuar në komunë. Ky punësim nuk është në bazë të përpjesëtimit të popullsisë shqiptare që graviton në këtë komunë. Unë gjithmonë e kam theksuar se pa kuadro nuk ka kërkesa për të drejtat e një komuniteti. Sipas meje në Komunën e Plavës, neve si shqiptarë na takon t`i kemi të punësuar rreth 230 persona. Nëse i marrim të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm, gjithsejt janë të punësuar vetëm 52 veta, që do të thotë vetëm një e pesta e asaj që na takon është në marrëdhënie pune. Shumë intelektualë shqiptarë, kuadro të diplomuar as që paraqiten në entin për punësim. Paraqitjen e vlerësojnë si të kotë dhe si të pashpresë. Ne si parti politike kemi menduar që të bëjmë ndonjë kontratë me partinë në pushtet që të kërkojmë ndonjë vend pun si kusht për koalicionin e qeverisjes lokale. Me një fjalë, nuk përfaqësohemi në organet e shtetit e sidomos në policinë kufitare, në policinë lokale, në gjyqësi etj. Ne kemi pasur një konkurs për gjyqtar dhe kemi kërkuar që një shqiptare që i plotësonte të gjitha kushtet e që ishte superiore mbi të gjithë konkurrentët ajo nuk pranua për befasinë tonë. Dhe unë pyes veten se çka duhet të bëjmë ne që t`i përmbushim kushtet që të na pranojnë organet e qeverisë aktuale. Këto vetëm janë një shembull konkret qe dëshmon se Qeveria e Malit të Zi nuk është e interesuar që të zgjidhur së paku çështjen sociale të shqiptarëve dhe çështjet e tjera në shumë segmente të jetës së tyre.
Në kuadrin e bashkëqeverisjes sa keni arritur t`i përmbushni kërkesat e elektoratit dhe si qëndron çështja e përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare?
Një komunitet për të realizuar të drejtat e veta në një shtet ku është pakicë, së parit duhet të rregullohet legjislativi. Ta marrim shembull Kosovën. Deshe apo s`deshe duhet pakica serbe t`i ketë 20 deputetë serbë në parlament. Tek ne ende nuk ka arritur një gjë e tillë, andaj kushtëzohen njerëzit, kushtëzohet edhe deputeti. Unë mendoj që pakica duhet të jetë gjithmonë e kyçur në pushtet, brenda në qeveri sepse si pakicë nuk guxojmë të jemi në opozitë, sepse ne nuk jemi të interesuar ta marrim pushtetin në Mal të Zi,por në qeveri të luftojmë dhe të kërkojmë të drejtat tona. Pra, ne duhet të jemi ashtu si janë shqiptarët në Maqedoni, ashtu siç janë shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe përfundimisht ashtu siç ju kanë dhënë të drejta pakicës serbe në Kosovë. Pra të drejtat e pakicës duhet të jenë të garantuara me ligj e jo të janë të luhatshme. Ne na ka ndodhur që për festën e flamurit , 28 Nëntorit, të hiqet flamuri shqiptar dhe ndaj personit që ka vendosur flamurin në Qendrën e Kulturës të ngritet aktpadia. Pra kjo është mungesë e legjislativit. Ne jemi themelues të shtetit të pavarur të Malit të Zi, andaj si të tillë duhet t`i gëzojmë të drejtat tona.
Sa po zbatohet ligji i restituimit dhe sa jeni të kënaqur me aplikimin e tij në komunën ku ju qeverisni?
Duhet ditur se shteti nga viti 1955 -61 me anë të një akti ligjor të cilin e ka miratuar qeveria e atëhershme mbi nacionalizimin e pronave , maleve dhe kullotave më së shumti janë prekur pronat e shqiptareve. Mbi 70 përqind e pronave të uzurpuara nga shteti u takojnë shqiptarëve. Nga këto uzurpime shumica e njerëzve kanë ikur dhe braktisur vendin. Shumica e tyre kanë i ikur përtej oqeanit në SHBA. Unë besoj se nga Plava dhe Gucia rreth 15 mijë shqiptarë jetojnë në SHBA dhe kryesisht janë të koncentruar në Nju Jork. Është edhe një e padrejtë tjetër në Komunën e Plavës që aplikohet ndaj shqiptareve e kjo është dygjuhësia. Nuk respektohen të drejtat elementare të shqiptareve siç është bie fjala përdorimi i gjuhës amtare në të gjitha nivelet e organeve brenda komunës. Diçka është bërë në sferën e legjislativit. Në Statutin e komunës është aprovuar dygjuhësia , por ekzekutivi është shumë i ngadalshëm dhe dygjuhësia thuajse fare nuk përdoret. Element tjetër me rëndësi që duhet ta kenë shqiptarët në Malin e Zi është ndjenja ndaj tij si shtet te vetin për të cilin kanë votuar. Në Mal të Zi shqiptarët duhet të bashkohen përmes parive politike legale dhe ta hartojnë një program të përbashkët se si të sillen ndaj shtetit në atë mënyrë që ky shtet të na i njohë ato veçori të posaçme ku jemi si popull më shumicë. Për votimin e Statutit të komunës kemi marr pjesë dy partitë shqiptare që participojmë në Kuvendin e Plavës, duke menduar se janë përmbushur disa kërkesa tona që dygjuhësia të futet në Statutin e komunës. Legjislativi këtë çështje e ka rregulluar, por ekzekutivi ende nuk ka dëshirë që të zbatoj këtë normë.
A e keni ngritur zërin si këshilltar i subjektit politik shqiptar që Ligji për përdorimin e dygjuhësisë të mos mbetet vetëm në letër? Toponimet e vendbanimeve shqiptare rezultojnë të jenë shkruar në gjuhën zyrtare, si e komentoni këtë?
Shumë herë në kuvendet e mbajtura komunale personalisht kam ngritur zërin dhe kam kërkuar që të formohen kushtet për zbatimin e Statutit. Në kuadrin e komunës mbishkrimet brenda godinës së komunës, mbishkrimet e zyrave, emblemat e punëtoreve janë në dygjuhësi, çka do të thotë se jashtë dyerve të komunës nuk përdoret dygjuhësia. Jo vetëm toponimet, por asgjë tjetër nuk shkon jashtë ndërtesës së komunës. Andaj ketu kemi një lëvizje vetem brenda gëzhojës, apo më mirë të themi kemi ngelur aty ku ishim.
Një ndër pikat e ndjeshme është edhe projekti famoz për shpalljen e parkut Nacional në territorin e Plavës e Gucisë. A mund të na thoni se si është qëndrimi i juaj lidhur më zbatimin e këtij akti ligjor. Si mendoni ju?
Është shumë interesant se si është sjellë puna e këtij projekti. Projekti për shpalljen e parkut Nacional ka qenë i fshehtë, për të askush nuk ka ditur, as qeverisja lokale as partitë politike as opinioni i gjerë, nuk ka ditur për këtë projekt e as që është diskutuar me publikun. Ne kemi dëgjuar nga qarqet jozyrtare për iniciativën e këtij projekti. Kemi reaguar ne mënyrë shumë të ashpër në një debat rreth Parkut Nacional. Ne kemi marrë pjesë pa dëshirën e organizatorëve të atij debati. Projekti për shpalljen e Alpeve Shqiptare si Park Nacional në mënyrë se si është paraqitur dhe në nxjerrjen e projektligjit për parqe nacionale na çon të mendojmë se ka konotacion tjetër e jo atë të zhvillimit. Me ketë ligj çdo gjë ndalohet dhe sanksionohet, asgjë nuk është e dobishme për popullatën që është pronare e sipërfaqes tokësore të paraparë për shpallje si Park Nacional. Është shumë interesant se ky park i prekë 90 përqind pronat e shqiptareve. Ai shtrihet nga lumi Gërnçar, hyn mbi fshatrat shqiptare siç janë Doli, Vuthajt, Krusheva, Hakajt, Hoti e Jesenica deri te trekëndëshi Mali i Zi - Kosovë - Shqipëri, ndërsa pronat malazeze janë jashtë këtij projekti si Visitori, Morina etj. Ky "park" është i ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë thuhet se nuk mund të bëhet asgjë pa lejen e posaçme, pjesa e dytë përfshin lejimin e punës se kufizuar dhe pjesa e tretë quhet " zona e kontaktit" e cila i ka parametrat e zonës së dytë ku çdo gjë ndalohet dhe çdo gjë kontrollohet. Ne e kemi ngritur zërin si këshilltarë dhe si qytetarë e si përfaqësues partiak në disa seanca të kuvendit komunal, me ç`rast e kemi njoftuar opinionin me qëndrimet tona. Kemi thënë se ky projekt ka erë të një kolonizimi të tretë, pra i ngjashëm me ato të viteve 1933, të viteve 1955-61 kur është kryer nacionalizimi i pronave shqiptare dhe tani është futja nën kontroll e pronave dhe pronarëve shqiptar. Unë personalisht e njoh Zllatko Buliqin. Shpeshherë kemi pas ekspedita bjeshkatare se bashku. Kurrë nuk kam menduar se ai mund të hartojë një projekt të këtillë. Ne e kemi shprehur përmes komunikatës dhe mendimi ynë ka qenë se vetë projekti dhe mënyra e hartimit të tij nuk tregon parametrat e zhvillimit ekonomik të vendit por vetëm na çon deri tek ajo që të mendojmë se ky projekt ka konotacione politik, me tendencë të spastrimit etnik.