E Diel, 1 Nëntor 2026

Si shëmtohet imazhi i një qyteti

Disa muaj më heret, isha duke biseduar me një mik timin rreth muzikës sonë burimore. Ai, përndryshe, i doktoruar në fushën e muzikës, më tha, me dëshprim në zë, se është dëm i madh që askush nga shqiptarët nuk u kushton kujdes dhe nuk i shënon tiparet e muzikës burimore shqipe në mjedise lokale, veçanërisht ato në Malësi. Më tha me hidhërim, se ato tipare, së shpejti do të zhduken dhe nuk do të ketë më kurrfarë gjurme për atë se çka ishte trashëgimia burimore muzikore e kësaj treve. U befasova për një dëshprim të këtillë të sinqertë profesionist, sepse miku im është malazias. Sepse, mendojmë se brengosja për diçka që është shqiptare i takon vetëm shqiptarit. Më duhet të bëhem ironike dhe të konstatoj se disa prej nesh më mirë kishin bërë sikur të mos ishin "brengosur" fare për fatin e popullit të vet.
Kjo bisedë mu kujtua, sepse, disa ditë më heret, me vrer të madh i ndiqja lajmet mbi një manifestim të turbo folk muzikës që mbahej në Ulqin. Pjesëmarrësit ishin nga Serbia, Mali i Zi dhe BeH. Zhvillohej tri ditë dhe ishte ndjekur me publicitet të madh në media të rajonit. Çka më pengoi këtu. Nuk isha e sigurt se si do të duhej të definohej kjo ndjenjë. E dija vetëm se Ulqini, edhe pse ky ishte një organizator privat, nuk do të duhej të kishte asgjë të përbashkët me turbo muzikën nga ish-Jugosllavia. Dhe jo vetëm nga ish-Jugosllavia. Pse nuk e gjetën ndonjë vend tjetër, po pikërisht Ulqinin, mendoja. Ishte kjo një ndjenjë e natyrshme që ekziston te secili njeri, që plehu të hiqet nga shtëpia dhe nëse nuk ka ku të hidhet, të lihet te dera e fqiut.
E vërtetë është se njerëzit kudo në botë kanë liri të lëvizin kah të duan. Kjo vlen edhe për organizatorët e këtij pseudo-evenimenti. Por, është diçka në kulturë që quhet imazh dhe brend. P.sh. deri tani, brendi i Ulqinit në kulturë ishin Skena verore, Panairi i librit, Kalaja e cila duket sikur kështjellat që i paramendonim si fëmijë duke i dëgjuar dhe lexuar përrallat. Këto ishin sinonime të Ulqinit. Kështu krijohet brendi në kulturë i një qyteti, krahine, ose, edhe shteti.
Rasti i "turbo-Ulqinit" ishte vetëm shkas që të konstatoj me dëshprim të madh se shqiptarët në Mal të Zi gjenden në procesin e akulturimit dhe, kjo bëhet, në pjesë të madhe, me fajin e vet shqiptarëve. Sepse, plehu kulturor shkon atje ku gjen interes financiar. Kështu ka ndodhur edhe me këtë "manifestim".
Por, kjo ishte vetëm një pikë më tepër që ta mbushë kupën. Nëse e hapim cilindo sajt botëror që ka të bëjë me kulturën shqiptare, veçanërisht muzikën, do të hasim në gjëra që mua më duken të tmerrshme. Nuk dua të besoj se kemi rënë aq poshtë. Këto ditë, në një sajt (a ishte Wikipedia, nuk jam e sigurt, sepse, kur pashë se çfarë shkruante aty, thashë me vete, o Zot, nuk dua të dijë se kjo është e vërtetë), lidhur me folk muzikën shqiptare, hasa në një konstatim të ftohtë dhe real se muzika e sotme shqiptare është me ndikime të forta të muzikës jevge. Nuk është ky kurrfarë racizmi, është vetëm konstatim se kemi humbur udhën e identitetit dhe jemi duke "ecur llugave", siç thonë në Kosovë.
Kur të hyjmë një ditë në Bashkimin Europian, me çfarë identiteti do të hyjmë. Në Kontratën mbi BE, paragrafi 4 i preambulës, shkruan se nevoja e vendeve të Europës për ekzistimin e Bashkimit Europian gjendet në dëshirën e tyre "që të thellohet solidariteti i popujve që e përbëjnë, krahas respektimit të historisë, kulturës dhe traditave të tyre". Çka do të mbetet nga historia, kultura dhe tradita jonë deri atëherë?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›