E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, debate mes Braçes, Pollos e Nishanit

Autori i Lajmit: red.
Nënkrytari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe ka hedhur poshtë deklaratat e Ministrit të Brendshëm, Nishani për normalitetin e procesit të pajisjes me karta identiteti. Sipas deputetit Braçe, është shumë shqetësues fakti që pas një muaji e katër ditësh nga dita e fillimit të procesit, asnjë qytetar nuk është pajisur me kartën e identitetit. “Procesi i kartave është shumë i rëndësishëm sepse ka të bejë me të drejtën për të votuar, procesi nuk po ecën normalisht, madje po shkon drejt dështimit”- është shprehur Braçe, gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit. Ai ka kundërshtuar ministrin Nishani duke thënë se listat e shpërndara kanë mangësi të dukshme dhe serioze dhe ka ende persona që nuk ndodhen në lista. Por ministri i Brendshëm tha se procesi i pajisjes me karta identiteti është duke ecur normalisht dhe brenda parashikimeve. Ai pohoi se prioritet u është dhënë personave që nuk kanë pasaporta, duke bërë të ditur se janë siguruar të gjitha kapacitetet e nevojshme që të pajiset me kartë çdo qytetar pa pasaportë. Sipas Nishanit, qeveria ka vendosur standarde reale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke siguruar se në zgjedhjet e 28 qershorit, asnjë person nuk do të ketë emrin në listat e zgjedhësve më tepër se një herë.
Ky lajm është publikuar: 17/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›