E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i Dosjeve, fillimi i ndarjes me enverizmin

Kryeministri Sali Berisha konfirmoi dje se ndarja nga krimet e komunizmit është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, por ritmet e procesit do të vareshin shumë nga bashkëpunimi i të gjithë klasës politike si dhe nga respektimi i rregullave të shtetit ligjit. Njoftohet se së afërmi, do të dërgohet në parlament edhe Ligji për ngritjen e Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit është i vonuar

TIRANE – “Ndarja e Shqipërisë me krimet kundër njerëzimit të kryera nga sistemi komunist është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm”, deklaroi dje Kryeministri Sali Berisha, duke ripërsëritur vendosmërinë për të çuar deri në fund procesin e lustracionit.
Deklarimin e tij, Kryeministri Sali Berisha e bëri në përgjigje të interesimit të gazetarëve, ndërsa vizitoi dje ekspozitën fotografike “Besa - Shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ekspozitë e çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Midis të tjerave. Kryeministri informoi se “Instituti i Memories po ngrihet dhe ligji ka shkuar në parlament ku do të studiohet dhe do të shqyrtohet”.
    
Zoti Berisha, si e shpjegoni faktin që ende nuk është ngritur Instituti i Memories në Shqipëri?
Instituti i Memories po ngrihet, ligji ka shkuar në Parlament, do të studiohet dhe do të shqyrtohet. Ne kemi dërguar aty një ligj, i cili është i vonuar dhe jam plotësisht dakord me ju, meqenëse e shtroni në afat kohor, por problemi është se në këtë vend janë ende të pranishëm mendësitë e mbrojtjes së krimeve kundër njerëzimit dhe parimeve barbare të luftës së klasave. Ky Institut do të ketë si një nga qëllimet më madhore, krijimin e një qëndrimi të drejtë dhe të ri që buron nga dokumente ndërkombëtare që i ka firmosur Shqipëria, siç është Konventa e Gjenevës për dënimin e krimeve kundër njerëzimit, por që buron edhe nga vendosmëria e shqiptarëve për të ecur së bashku në respekt të njëri tjetrit, në harmoni, në tolerancë, në mirëkuptim, në paqe sociale dhe këto kanë kusht sin equa non dënimin e krimeve të shëmtuara kundër njerëzimit.

Do të thotë se nuk do të ketë të njëjtin fat me ligjin e lustracionit, i cili besohet se nuk do të zbatohet?
Të jeni të bindur ju, se për forcën politike që unë kryesoj, ndarja e Shqipërisë nga krimet kundër njerëzimit, të kryera nga sistemi komunist, është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, është një proces jetik, por që do të kryhet në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit ligjor. Por, ky është një proces i pandalshëm. Shteti ligjor është një kusht i këtij vendi, por, gjithashtu, kusht jetik është edhe ndarja nga ai kapitull, të cilin nuk po hyj ta trajtoj, por që shqiptarët përjetuan kohërat më të rënda që nga inkuizicioni e deri më sot.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›