E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Topalli: Me ndryshimet kushtetuese, po themelohet republika e dytë parlamentare

Zonja Topalli, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar disa amendamente për Kushtetutën lidhur me zgjedhjen e Presidentit, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, dhe për rastin kur kërkohet mocion ndaj kryeministrit për shkarkimin e tij.  Çfarë synojnë këto ndryshime të Kushtetutës së Shqipërisë?
Është e vërtetë që është bërë formalizimi dhe dorëzimi i tyre në komisionin e ligjeve për t’iu paraqitur fillimisht anëtarëve të komisionit të ligjeve, e më pas, të gjithë deputetëve në  seancë. Propozimet për ndryshimet kushtetuese, në ato kapituj që ju përmendët, përbëjnë në fakt bazën e asaj që është reforma e shtetit. Them që janë formalizuar pardje, pasi domosdoshmëria e ecjes përpara të reformave në këto fusha, ka kohë që diskutohet. Kujtoj që diskutimet mbi këto reforma kanë lindur qysh në periudhën që në qeveri ka qenë partia socialiste me rastin e mocioneve që iu bënë kryeministrit të asaj periudhe dhe mbi faktin që politkanët kuptuan që kushtetuta kishte një ngërç brenda vetes që mund të çonte në krizë vendin dhe s’lejonte mundësinë e zgjidhjeve të momenteve të tilla. Ka qenë krizë e verifikuar, e prekur e diskutuar dhe ka nisur të debatohet në momentin e zgjedhjes së presidentit të Republikës në vitin e kaluar, gjë që menjëherë e bëri të vetëdijshme klasën politike mbi domosdoshmërinë e ndërhyrjes në Kushtetutë, për të mos i shkaktuar vendit një lëngim të gjatë për shkak të problemeve dhe moszgjidhjeve që Kushtetuta aktuale ka brenda vetes. Problemet e tjera, si ai mbi mandatin e Prokuorit të Përgjithshëm, është po ashtu temë që diskutohet gjatë dhe që ka sjellë krizë në jetën politike dhe parlamentare të vendit. Unë besoj që të gjitha këto së bashkë me reformën zgjedhore përbëjnë bazën e asaj që do projektojnë konsolidimin e institucioneve shqiptare dhe vedosjen e bazës legale mbi ligjin themelor, të atij që do të jetë shteti modern.
Pra realisht, kjo është  reformë që kërkon kurajo të madhe, reformë që jam e bindur që do të krijojë pakënaqësi tek ndonjë individ, parti e caktuar apo institucion, për shkak të lidhjes së ngushtë që bëjnë me veten e tyre, me interesa të caktuara  apo karriget e tyre.
Kjo reformë i bën një projeksion të jashtëzakonshëm stabilitetit të vendit tonë, konsolidimit të institucioneve dhe shmangjes së krizave, të cilat i kanë rrezikuar, institucionet shqiptare, gjatë viteve të kaluara.

Lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit, çfarë rekomandohet në këto propozime?
E zgjidh plotësisht në formën e dhënies së mundësisë së zgjedhjes së presidentit në raundin e pestë, pra  nuk do të ndodhë më siç ka ndodhur ose siç rrezikohej të ndodhte, në korrikun e vitit të kaluar.  Ne bëmë të mundur përmes një procedure parlamentare jashtëzakonisht të vështirë, kur kandidatët nuk pranonin të hynin në rrugën kushtetuesë për të provuar veten, peshën dhe mbështetjen e tyre, dhe vendi rrezikohej të shkonte në një krizë të madhe, që parlamenti të realizojë me sukses bërjen e vendit me president, përmes një përpjekje titanike të jashtëzakonshme, dhe sikur kjo të mos bëhej e mundur, ne sot nuk do të kishim marrë ftesën në NATO.

Në kushtet kur në Shqipëri ka një klimë politike konfliktuale, a nuk do të ishte mirë që presidenti të zgjidhej me votë popullore?
Kjo s’ka të bëjë me konfliktualitetin. Kjo ka të bëjë me problemet që ka Kushtetuta, me mungesat që ajo ka, apo me ndërlikimin në kapituj të caktuar  që Kushtetuta ka sjellë. Dhe kjo situatë ka bërë që, në vend që të zgjidhë  problemet që ka patur në marëdhëniet mes institucioneve të ndryshme shqiptare, ka krijuar mundësi të krizave artificiale, të cilat realisht e rrezikonin të ardhmen integruese të vendit. Përsa i takon variantit të menduar për zgjedhje të Presidentit nga populli, mendoj se ajo do të ishte pastaj një përmbysje totale kushtetuese, pasi Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe në Republikën Parlamentare, institucioni qendror, ku bëhet gjithë politika, arena e debatit, reformat, është Parlamenti. Ndërsa Presidenti, është një institucion gjerësisht ceremonial, me një shtyllë të fuqishme në fushën ushtarake, meqenëse Presidenti është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Kjo është komponentja  që ka Presidenti i Republikës së Shqipërisë, pjesa tjetër është ceremonial.

Pra ky është vizioni i juaj, por a rrezikon ky propozim për t’i bërë amendamente Kushtetutës, të krijojë një konfliktualitet përsëri në fushën politike në Shqipëri?
Ky nuk është vizioni im, është realiteti shqiptar, ne jemi një Republikë Parlamentare.
Unë besoj se Partia Socialiste do të jetë mbështetëse, sepse një pjesë e problemeve janë ngritur dhe nga deputetë të kësaj partie. Kujtoj këtu zotin Blushi, Rama, por dhe deputetë të tjerë, të cilët në përgjegjësinë e politikanit serioz, e dinë se cilat janë defektet e kushtetutës duke qenë se forca më e madhe opozitare ka përgjegjesinë e asaj, që do të
jetë Shqipëria në të ardhmen , veçanërisht në projektet integruese dhe e dinë sesa e rëndësishme është  për të menduar për vendin dhe jo për emrin, për të ardhmen, dhe jo karrigen personale. Në këtë aspekt besoj se do të ketë një përgjigje pozitive, nëqoftëse i përgjigjen seriozisht atij artikulimi serioz  mbi ndërtimin e një shteti modern dhe mbi nevojën e reformës së shtetit shqiptar. Me këto ndryshime mund ta quajmë Republika e dytë Parlamentare nëse i referohemi faktit se para 17 vitesh mund ta quanim Republika e Parë Parlamentare. Ndryshimet janë të tërësishmë, duke ndjekur atë që do të jetë Shipqëria e sfidave të këtij shekulli dhe Shqipëria e integruar në NATO. Ftesa në NATO ka ardhur pikërisht në sajë të guximit të reformave që ka marrë Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë, dhe këto kanë qenë dy institucionet bazë, që kanë bërë të mundur marrjen e ftesës në NATO. Dhe këto insitucione nuk mund të ndalen se thjesht kanë marrë ftesën, përkundrazi, vetë ftesa nënkupton reformat të tjera shumë të rëndësishme dhe shumë të forta.

Një nga faktorët përveç rrugës së reformave ku ka hyrë Shqipëria është dhe krijimi i një klime politike të shëndoshë mes pozitës dhe opozitës. Jeni ju të bindur se do të keni konsensusin e opozitës socialiste në ndërmarrjen e këtyre reformave?
Besoj se po. Për sa kohë programet tona nuk kanë diferencë në fushën e procesit të integrimit në BE dhe përpjekjeve për anëtarësim në NATO dhe të detyrimeve që sjell ky anëtarësim. Unë besoj se veçanërisht midis dy forcave politike që kanë pasur përgjegjesinë e qeverisjes së vendit në vite, por dhe forcave të tjera, ekziston serioziteti i duhur, ekziston lidershipi i duhur për të guxuar, për të ndërmarrë reforma të rëndësishmë pa e lidhur këtë me partinë, me interesa të ngushta partiake apo edhe më keq, duke e lidhur këtë me karrigen apo një emër të caktuar.Këtu ndryshojne shtetarët nga politikanët rutinë.

Lidhur me reformën zgjedhore si ka ecur kjo reformë dhe puna në komisionin e ngritur për të?
Unë do e shihja reformën zgjedhore në dy shtylla kryesore. Shtylla e pare ka të bëjë me detyrimet që kemi për të plotësuar standarde për zgjedhje të lira. Dhe këto kanë të bëjnë me kartat e identitetit, me pasaportat biometrike dhe me regjistrin civil elektronik të zgjedhësve, për të cilat po ecet shumë mirë dhe këto standarde do të plotësohen.
Shtylla e dytë ka të bëjë me vizionin e krjimit të një sistemi elektoral që të prodhojë një qeveri stabël, qoftë kjo e majtë apo e djathtë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo ka bërë që të shqyrtohen variante të ndryshme dhe të përafrohen më shumë drejt një sistemi propocional rajonal. Gjithsesi, ndryshimet themelore do të pasqyrohen njëherë në ndryshimin përkatës të nenin në Kushtetutë dhe më pas nga ky ndryshim do të kalohet në ndërtimin e  një kodi të ri elektoral, që do të kërkojë një kohë  më të gjatë.

Propozimi i Partisë Socialiste për një sistem propocional rajonal, ka gjetur dhe mbështetjen e Partisë Demokratike ka krijuar pakënaqësi në radhët e partive të vogla të cilat kanë shprehur se rrezikohet pluralizmi në Shqipëri. Komenti juaj lidhur me këtë …
Çdo reformë natyrisht krijon debat, madje sikur mos ngjallte debat nuk do të ishte reformë dhe aq më pak nuk do të ishte një reformë e rëndësishme. Një reformë që do të kërkonte ndryshimin e gjërave në thelb dhe në rrënjët e saj. Besoj së gjatë gjithë kësaj periudhe janë parë modele të ndryshme të funksionimit dhe të realizimit të sistemeve elektorale dhe propozimi i sjellë është me idenë e krijimit të një qeverisje stabël, Cilado forcë politike që do të marrë pushtetin, e majtë apo e djathë, do të ketë mundësi të qeverisë për periudhën e mandatit pa qenë të kërcënuara nga presione të ndryshme apo nga situata të ndryshme. Kjo besoj se i shërben vendit në mënyrë të veçantë, në një fazë të caktuar kur Shqipëria ka nevojë të ecë përpara me të njëjtat ritme në reforma. Kështu që, në këtë aspekt nuk është se sistemi i ri do të krjojë një spektër politik në parlament që do të përbëht nga dy parti , kjo s’është e vërtetë , ky është abuzim dhe një spekulim. Përkundrazi do të ketë 5-6-7 forca të ndryshme politike është një fotografi normale e asaj që është pesha reale e forcave të ndryshme politike dhe që do bëjnë më funksionale dhe më efektive qeverisjen pas sistemit të ri zgjedhor.

Zonja Topalli, nisma juaj e kohëve të fundit, ajo e eleminimit të dhunës kundër grave, për të cilën ju organizuat dhe një seancë të veçantë në Kuvend, si po ecën kjo fushatë?
Ky është një problem i madh që nuk kufiziohet në kufijtë gjeografikë të Shqipërisë. Gjithësesi ne duhet të bëjmë punën tonë. Ajo ka filluar si një fushatë sensibilizimi në seance plenare, për t’u zhvendosur më pas në salla të ndryshme dhe në qytete të ndryshme, në komunikim me qytetarë, gra, dhe familjarë në Vlorë, Korçë dhe qytete të tjera Besoj se kjo është vetëm një prej shtyllave, me të cilën ne kemi punuar, por paralelisht me të, ka shumë punë për të bërë në parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës.
Është shumë i rëndësishëm sensibilizimi dhe parandalimi.Nuk është e lehtë. Ka të bëjë me mentalitetin, kulturën, ka të bëjë me edukimin, me mundësinë që u jepet familjarëve, por është një temë që po trajtohet shumë edhe nga media dhe ka tërhequr vëmendjen  e saj. Media po na mbështet, dhe roli i saj në këtë rast është shumë i rendësishëm. Unë i jam mirënjohëse. Gjithësesi është një rrugë e gjatë, një rrugë që kërkon përkushtim, dashuri, si dhe mbështetje nga të gjithë faktorët e shoqërisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›