Peshëngritje, Evropiani mbyllet me tre medalje
Kombëtarja shqiptare e peshëngritjes e ka mbyllur Kampionatin Evropian me tre medalje, një të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë, të fituara nga shtangistja Romela Begaj. Ndonëse disa prej shtangistëve kuqezinj kanë dhuruar paraqitje shumë të mira në këtë eveniment, bilanci i Kombëtares shqiptare është mbyllur me këto tre medalje. Megjithatë drejtuesit e shtangës shqiptare e kanë cilësuar si shumë pozitive pjesëmarrjen në aktivitet, duke parë se shtangistët e rinj kanë shfaqur aftësitë e tyre duke u shfaqur si të barabartë me disa prej emrave më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. I fundit në garë ka qenë Endri Karina, i cili ka konkurruar në kategorinë 105 kg, por duke u renditur i 13-ti në klasifikimin e përgjithshëm. Një gjë e tillë nuk ka garantuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në Lojërat Olimpike Pekin 2008, por mendohet se Federata Ndërkombëtare do të dërgojë dy ftesa në adresë të shtangës shqiptare. Një ftesë do të jetë pikërisht për Romela Begajn, e cila në peshën 58 kg arriti të sigurojë tre medalje, duke provuar se mund të pretendojë për një renditje shumë të mirë edhe në Lojërat Olimpike. Ndërsa një tjetër ftesë do të jepet për peshëngritjen e meshkujve, ku të gjithë atletët kanë arritur të përfundojnë garat, pavarësisht pozicionimit të tyre jashtë podiumit. Nga kjo ftesë pritet të përfitojë Erkand Qerimaj, i cili në peshën 73 kg arriti të renditet i katërti.