E Shtunë, 31 Tetor 2026

Soriano: Henri qëndron, Rajkard ndoshta

Zv.presidenti i Barcelonës, Ferran Soriano, ka bërë të qartë se sulmuesi Tierri Henri nuk do të kthehet në kampionatin anglez pas përfundimit të këtij sezoni, pasi do të vazhdojë të jetë pjesë e katalanasve. Sipas Sorianos, problemet e fundit të skuadrës nuk kanë ndikuar në dëshirën e lojtarit për të vazhduar aventurën e tij në Spanjë, ndonëse nuk ka shkëlqyer në vitin e tij të parë te Barcelona. Gjatë ditëve të fundit, mediat angleze kanë spekuluar me dëshirën e Henrit për t‘u kthyer në Londër dhe faktit që ai nuk po aktivizohet në pozicionin e tij të preferuar, qendrën e sulmit, por duke luajtur si mesfushor i majtë.

"Unë nuk besoj se ai do të largohet. Kam folur gjatë me të vetëm një javë më parë dhe ai është i lumtur te Barcelona. Jemi të gjithë pak të zhgënjyer, pasi skuadra jonë mund të fitojë çdo turne, por nuk po ecim siç pritet në kampionat. Përveç këtij fakti, unë mendoj se ai gjendet mjaft mirë te ne dhe jam i bindur se nuk do të kthehet në Angli. A i mungon kampionati anglez? Aspak.", ishte përgjigja e prerë e Sorianos, i cili u përgjigj menjëherë "po" kur gazetarët e pyetën nëse lojtari do të konfirmohej për sezonin e ardhshëm. Por zv.presidenti i Barcelonës nuk ka qenë aq i prerë edhe me spekulimet mbi të ardhmen e trajnerit Rajkard, duke lënë të nënkuptohet se situata e holandezit do të rishikohej pas mbylljes së bilancit të këtij sezoni. "Nuk mund të thuhet asnjëherë me 100 për qind siguri se ai do të qëndrojë, pasi në fund të sezonit në do të shohim sërish paraqitjen e lojtarëve dhe të trajnerit. Por unë mendoj se ai nuk ka asnjë plan të largohet nga Barcelona për të shkuar te Çelsi. Ne kemi vendosur që të mos flasim rreth kësaj çështjeje deri në fundin e sezonit, pasi jemi shumë të përqendruar. Dy ndeshjet kundër Mançester Junajtid janë shumë të rëndësishme për ne, ndaj nuk duam të flasim rreth askujt. Ne e kemi pasur Rajkard si trajner për 5 vjet dhe ai ka bërë një punë të shkëlqyer. Mund të jetë shumë e vështirë të drejtosh një skuadër të madhe me kaq shumë yje. Nuk është e lehtë të administrosh lojtarë si Ronaldinjo, Mesi, Henri, Eto‘o apo emra të tjerë, ndërsa ne na pëlqen mënyra e tij e punës, stili i tij personal dhe mënyra se si e përfaqëson klubin. Normalisht, fakti që nuk po arrijmë të marrim rezultatet e kërkuara në kampionat është faji i të gjithëve, i trajnerit dhe i drejtuesve, por e theksoj se jemi shumë të kënaqur me Frenk Rajkard", vijoi ai. Më pas, Soriano bëri të qartë se tashmë objektivi kryesor për klubin katalanas është fitorja në Ligën e Kampioneve përballë Mançester Junajtid, pasi në kampionat duket e pamundur që të arrihet Reali i Madridit. "Është një nga përballjet më të forta që do të jetë në këtë sezon, ndaj të gjithë po e presin me padurim. Çdo turne është i ndryshëm nga tjetri dhe lojtarët tanë janë shumë të fokusuar te Liga e Kampioneve. Kjo është arsyeja pse mendojmë se Liga e Kampioneve është kthyer në objektivin kryesor të ekipit", përfundoi Soriano, duke treguar besimin e tij se skuadra mund të arrijë të sigurojë finalen e Moskës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›