E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë/ Albana Vokshi, kandidate e PD-së në qarkun e Durrësit

Edi Rama dhe kryesia e tij e ndërtuesve po braktisen në Durrës, edhe nga militantë që e kanë ndjekur PS-në prej vitesh 

“Vetë socialistët këtë herë do ta hedhin votën e tyre për Partinë Demokratike dhe modelin e Sali Berishës që kjo parti ofron. Është ky modeli i fitores së thellë, është ky modeli që sjell rritjen e mirëqenies për çdo shqiptar, e jo vetëm për një grusht njerëzish. Është ky modeli i cili Shqipërinë e NATO-s do ta bëjë Shqipëri Evropiane. Është ky modeli që do të sjellë më shumë zhvillim ekonomik, social si dhe modernizim dhe integrim të plotë në familjen evropiane. Është ky modeli që nuk bazohet në preferenca partiake, por që mendon për çdo banor të Shqipërisë. Është ky modeli që shqiptarët kanë vendosur tashmë ta votojnë, e për këtë arsye fitorja në këto zgjedhje do të jetë më e madhja ndonjëherë”

Albana Vokshi kandidate e PD-së në qarkun e Durrësit në një intervistë për gazetën “55” shprehet se që në krijimin e Partisë Demokratike kam përqafuar politikat e saj. Ajo është aktivizuar në të gjitha mënyrat për progresin e kësaj Partie dhe për të kontribuar në suksesin e zbatimit të politikave të saj. Sipas saj, ajo ka një lidhje të gjatë e substanciale me këtë Parti. 

Për zgjedhjen e saj për kandidimin në PD, Vokshi tha se, “natyrshëm zgjodha PD-në sepse është Partia e idealeve të mia rinore, sepse është Partia e ndryshimit të madh, është Partia që diti të zbatojë modelin e duhur të zhvillimit, modelin e reformave , të luftës kundër trafiqeve e krimit të organizuar, të integrimit Euroatlantik të vendit, të krijimit të një infrastrukture moderne evropiane…, modelin e suksesit, ‘Berisha’”

Për rezultatet e 28 qershorit Albana Vokshi është e bindur se në Durrës pritet një fitore e thellë e PD-së, sepse investimet e kryera gjatë mandatit aktual, financimet e dhjetëfishuara në rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, në zonat rurale, dyfishimi i pagave e pensioneve, nxjerrja e shumë njerëzve nga niveli i varfërisë, rritja e mirëqenies, janë lajmëtarët e fitores së Partisë që kam nderin të përfaqësoj. 

Për sa i përket fushatës e elektorale në Durrës Vokshi thotë se fushata e PD-së nuk bazohet në ato që kemi arritur deri më tani për Qarkun e Durrësit, por në premtimet për atë që do të bëjmë në katër vitet që vijnë. PD ka një vizion të qartë për Qarkun e Durrësit për katër vitet që vijnë që do ta bëjnë atë të jetë një qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare dhe turistike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.  

Për sa i përket PS, ajo shprehet se nuk di se ku kanë shkuar dhe ku janë fshehur jo vetëm liderët e saj, por edhe aktivistet që në fushata të tjera shiheshin që punonin si milingona ditë e natë. Nuk ndjehet prania e PS asgjëkund. Edi Ramës dhe kryesisë së tij të ndërtuesve dhe G 99 e kanë lënë tashmë edhe ata aktiviste militantë që e kanë ndjekur PS-së për vite e vite me radhë.

Kush është Albana Vokshi? 

Përgjigjen e kësaj pyetjeje desha ta ndaj në dy pjesë. E para ka të bëjë me mua si përfaqësuese e Partisë Demokratike në këto zgjedhje. Që ne krijimin e Partisë Demokratike kam përqafuar politikat e saj. Jam aktivizuar në të gjitha mënyrat për progresin e kësaj Partie dhe për të kontribuar në suksesin e zbatimit të politikave të saj. Pra, kam një lidhje të gjatë e substanciale me këtë Parti. Jam krenare që iu bashkova që në fillim zërit dhe energjisë rinore që solli transformimin rrënjësor të sistemit politik, ekonomik e social të vendit. Në prag të zgjedhjeve të vitit 2005 u bëra pjesë aktive e nismës së krijimit të KOP dhe dhashë kontributin tim në hartimin e programit të Partisë Demokratike , program i cili solli ndryshimin e madh të Shqipërisë. Kontributin e mirëfilltë politik timin e jap dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në strukturat më të larta drejtuese të PD-së si Këshilli Kombëtar i PD-së, anëtare e të cilit jam Së fundmi, më është besuar edhe një, të cilën e konsideroj të rëndësishme , pikërisht drejtimi i Lidhjes Demokrate të Gruas Shqiptare (LDGSH). E dyta ka të bëjë me mua si profesioniste. Aktualisht i prezantohem elektoratit me një background dhe eksperience të suksesshme. Një eksperiencë akademike (Master në Politikat Manaxhuese Ekonomike në Columbia University, New York) dhe një eksperiencë profesionale (10 vjet administratë publike, 5 vjet në organizma ndërkombëtarë USAID dhe PNUD në Kosovën dhe Afganistanin e pasluftës). Kontributi politik dhe eksperienca profesionale, të shoqëruara me cilësitë e ndjeshmërisë njerëzore që më jep qenia nënë e dy vajzave të mrekullueshme, tregojnë besoj se unë jam një person i denjë dhe i aftë për t’iu bashkuar zërave të deputetëve të PD-së në Parlamentin e ri e për të kontribuar në realizimin e reformave që programi i ri qeverisës i PD-së na vë përpara. Për këtë besoj se PD-ja më zgjodhi mua. 

Përse zgjodhët PD, dhe kush ua bëri këtë ofertë?

Natyrshëm zgjodha PD-në, sepse është Partia e idealeve të mia rinore, sepse është Partia e ndryshimit të madh, është Partia që diti të zbatojë modelin e duhur të zhvillimit , modelin e reformave , të luftës kundër trafiqeve e krimit të organizuar, të integrimit Euroatlantik të vendit, të krijimit të një infrastrukture moderne evropiane…, modelin e suksesit, “Berisha”. Kandidimi nuk është një dhuratë, por një përgjegjësi e angazhim nga më të sfidantët e jetës sime. Sigurisht që e kam kënaqësi të jem pjesë e Kuvendit. Për këtë u jam mirënjohëse, strukturave të Partisë Demokratike, të cilat më përzgjodhën. Përzgjedhja është bërë në bazë të statutit të PD, duke kaluar në forumet përkatëse dhe procedurat përkatëse. Ka pasur diskutime të zgjeruara për vendosjen përfundimtare të kësaj liste. Për përzgjedhjen janë marrë parasysh kritere të tilla si: profesionalizmi, përfaqësimi i qyteteve apo grupeve të ndryshme në të, lidhja me Partinë Demokratike, integriteti personal etj. Për vlerësimin e kontributit dhe eksperiencës sime, gjej rastin këtu t’i falënderoj këto struktura dhe veçanërisht liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. 

Cilat janë problemet e qarkut të Durrësit dhe çfarë i ofroni ju për t’i zgjidhur këto probleme? 

Gjatë mandatit tonë 4-vjeçar ka shumë arritje, por sigurisht nuk është arritur perfeksioni. Ka akoma projekte të mbetura në proces si mungesa e ujit, segmente rrugore për t’u shtruar, nevoja për më shumë institucione arsimore e shëndetësore, më shumë për turizmin, më shumë për punësimin. Këto do të jenë përparësitë e programit të PD-së për Qarkun e Durrësit. Partia Demokratike ka përgatitur tashmë një program për Zhvillimin e Integruar të Qarkut te Durrësit i cili kryesisht bazohet në vizionin e kësaj partie për Durrësin që fokusohet në zhvillimin e 3 T-ve (Transport – Turizëm – Tregti). Këto janë projektet prioritare të programit qeverisës të PD-së në 4-vjeçarin e ardhshëm. Të gjitha do të sigurohen në këtë 4-vjeçar nëpërmjet politikave transparente, reformuese, nëpërmjet angazhimit maksimal për të sjellë në Qarkun e Durrësit më shumë investime e kontribute. 

Çfarë rezultati pritet në Durrës? Në krahasim me vitin 2005, cili është më i favorizuar për të fituar? 

Në Durrës pritet një fitore e thellë e PD-së. Sepse investimet e kryera gjatë mandatit aktual, financimet e dhjetëfishuara në rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, në zonat rurale, dyfishimi i pagave e pensioneve, nxjerrja e shumë njerëzve nga niveli i varfërisë, rritja e mirëqenies, janë lajmëtarët e fitores së Partisë që unë kam nderin të përfaqësoj. Këto ditë të fushatës kam prekur çdo pëllëmbë të periferisë së Durrësit. Me shumë kënaqësi ju them se jam impresionuar nga rrugët e standardeve evropiane që janë ndërtuar gjithkund. Jam impresionuar nga njerëzit që na ndalojnë në rrugë e na takojnë me përzemërsi duke na falënderuar për investimet e kryera, e na thonë: vota jonë është për ju sepse ju na ndryshuar jetën, na bëtë të ndihemi njerëz me dinjitet e personalitet. Mirënjohja e elektoratit për arritjet e pamohueshme të PD-së në këto katër vjet patjetër do të konkretizohet në shtim të votave të fitores. 

Nga dallon fushata e PD-se në qarkun e Durrësi nga ajo e rivalëve socialistë? 

Fushata e PD është një fushatë masive, që prek në çdo qelizë të gjitha strukturat e PD-së. Fushata nuk është e përqendruar vetëm te takimet me masive e me entuziaste se kurrë të Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk është e përqendruar në takimet masive të çdo kandidati, por më shumë është e përqendruar në një fushatë intensive lagje më lagje, shtëpi më shtëpi, pallat me pallat, dere më dere. Anëtarët dhe simpatizantët e PD-ës, i sheh ngado, janë më aktive se kurrë sepse tek ata gjatë këtyre viteve ka lindur optimizmi dhe shpresa e ndryshimit qe ishte ndryshkur për shumë vite nga Partia Socialiste. Fushata e PD-së nuk bazohet në ato që kemi arritur deri më tani për Qarkun e Durrësit, por në premtimet për atë që do të bëjmë në katër vitet që vijnë. PD ka një vizion të qartë për Qarkun e Durrësit për katër vitet që vijnë që do ta bëjnë atë të jetë një qendër e rëndësishme ekonomike, tregtare dhe turistike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. 

Për sa i përket PS, unë nuk di se ku kanë shkuar dhe ku janë fshehur jo vetëm liderët e saj por edhe aktivistet që në fushata të tjera shiheshin që punonin si milingona ditë e natë. Nuk ndjehet prania e PS asgjëkund. Edi Ramës dhe kryesisë së tij të ndërtuesve dhe G-99 e kanë lënë tashmë edhe ata aktiviste militantë që e kanë ndjekur PS-së për vite e vite me radhë. Kjo ndodh pasi: morali i asaj që ofron Edi Rama, nuk përputhet me moralin e tyre; pasi tezat që ofron Edi Rama përtej të majtës e të djathtës nuk kanë asgjë të përbashkët me idealët e tyre për të majtën; pasi modeli i korrupsionit të Edi Ramës punon që vetëm një grup shumë i vogël njerëzit rreth tij të fitojnë e nuk ofron asgjë edhe për këta militantë të ndershëm që e kanë ndjekur Partinë Socialiste për vite e vite me radhë. Pra zhgënjimi është shumë i madh në sytë dhe qenien e tyre. Sepse Edi Rama ofron modelin e korrupsionit e të dështimit. Është kjo arsyeja që edhe vetë socialistët këtë herë do ta hedhin votën e tyre për Partinë Demokratike dhe modelin e Sali Berishës që kjo parti ofron. Është ky modeli i fitores së thellë, është ky modeli që sjell rritjen e mirëqenies për çdo shqiptar, e jo vetëm për një grusht njerëzish. Është ky modeli i cili Shqipërinë e NATO-s do ta bëjë Shqipëri Evropiane. Është ky modeli që do të sjellë më shumë zhvillim ekonomik, social si dhe modernizim dhe integrim të plotë në familjen evropiane. Është ky modeli që nuk bazohet në preferenca partiake, por që mendon për çdo banor të Shqipërisë. Është ky modeli që shqiptarët kanë vendosur tashmë ta votojnë, e për këtë arsye fitorja në këto zgjedhje do të jetë më e madhja ndonjëherë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›