E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvarritet dosja “Gërdeci”, ende pa një gjyqtar

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Dosja “Gërdeci”

Dosja “Gërdeci” do të zvarritet sërish në Gjykatën e Shkallës së Parë. Problemet e para me këtë dosje kanë nisur që me përcaktimin e gjyqtarëve. Edhe pse shorti është hedhur për të dytën herë dje, gjykata do ta rihedhë sërish, pasi një prej gjyqtarëve të përzgjedhur nuk është pjesë e dhomës penale pranë gjykatës, pasi pak ditë më parë ai është emëruar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Nga shorti elektronik doli se kjo dosje do të gjykohet nga gjyqtarët Ridvan Hado që do të jetë kryesues, Shefkie Demiraj, anëtare si dhe Fehmi Petku anëtar. Por ky i fundit nuk është i disponueshëm për ta gjykuar këtë dosje, pasi ai është emëruar për në Apelin e Krimeve të Rënda, çka do të detyrojë gjykatën të rihedhë sërish shortin për të zgjedhur një tjetër gjyqtar. Por ndryshe nga hera e parë, kur shorti u hodh për të zgjedhur sërish tre gjyqtarë, këtë herë nuk do të ketë më zgjedhje të tre gjyqtarëve, por vetëm të një anëtari. Emri i ri që do të jetë pjesë e trupit gjykues, pritet të përcaktohet ditën e sotme.
Zvarritja
Dosja, edhe pse ka mbërritur në gjykatë që një javë më parë, vazhdon të sorollatet sa në një gjyqtar në një tjetër. Në Gjykatën e Tiranës, dje u hodh për herë të dytë shorti dhe sot do të hidhet sërish. Por këto zvarritje shkojnë në dëm të atyre të pandehurve që kanë interes që procesi të zhvillohet normalisht dhe drejtësia të vendosë për personat përgjegjës. Pas hedhjes së shortit dhe përcaktimit të një tjetër gjyqtari për treshen gjykuese, pritet që dosja të merret në shqyrtim dhe të përcaktohet një datë për zhvillimin e seancës së parë. Për shkak të volumit që ka kjo dosje pritet që data e seancës së parë të mos jetë shumë afër, për shkak se gjyqtarëve do t u duhet shumë kohë për t u njohur me të gjitha aktet, duke pasur këtu parasysh edhe ngarkesën e tyre me dosjet e tjera.
Gjyqtarët
Kontestimi i gjyqtarëve për shqyrtimin e dosjes më të rëndësishme që ka njohur ndonjëherë drejtësia shqiptare, ka filluar që në Gjykatën e Lartë, kur prokurorët e çështjes kërkuan përjashtimin e Besnik Imerajt me pretendimin se e bija e tij ishte juriste pranë një studioje që mbronte interesat e një prej të pandehurve. Më pas i njëjti problem u has edhe në Gjykatën e Tiranës kur gjyqtari Kreshnik Omari dha dorëheqjen për shkak të konfliktit të interesit. Por edhe për herë të tretë nuk është mundur të përcaktohen gjyqtarë të pakontestuar, pasi Fehmi Petku, në mbledhjen e fundit të KLD-së, është emëruar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Në shpalljen e vendimit të KLD-së thuhet: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë shqyrtoi kandidaturat e paraqitura pranë Këshillit, për plotësimin e një vendi vakant në pozicionin gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, shpallur me Vendimin Nr. 229/a/2, datë 21.04.2008 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe në përfundim vendosi t i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e zotit Fehmi Petku si gjyqtar në Gjykatën Apelit për Krime të Rënda Tiranë. Vetëm një ditë më pas Presidenti pranoi emrin e gjyqtarit Fehmi Petku, i cili prej asaj dite është pjesë e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.

Ky lajm është publikuar: 18/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›