E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rrugën hyrëse të qytetit e Kavajës

-Kryeministri u shpreh se kjo qeveri nuk i’a kërkon askujt votën për këto që ka bërë, por e kërkon votën për ato që do të bëjë në katër vitet e ardhshme

Në kuadër të turit “Shqipëria po Ndryshon”, Kryeministri Berisha inauguroi sot rrugën hyrëse në qytetin e Kavajës, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 109 milionë lekë. Rruga, me gjatësi 1.5 kilometër, është ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, me katër korsi, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim. 

Më fjalën e tij, drejtuar banorëve të Kavajës, Kryeministri Berisha u shpreh se kjo qeveri i ka mbajtur të gjitha premtimet dhe nuk i’a kërkon askujt votën për këto që ka bërë, por e kërkon votën për ato që do të bëjë në katër vitet e ardhshme. “Unë kam bindjen se mençuria e shqiptarëve është e tillë, që, midis ndryshimit bosh dhe ndryshimit me vepra, ndryshimit me fjalë dhe ndryshimit me rrugë, ndryshimit me mashtrime dhe ndryshimit me ura, shkolla e kopshte, ndryshimit me trillime dhe ndryshimit me paga dhe pensione të larta, ndryshimit me fantazira dhe anëtarësimit në NATO, dhe kandidimit për në Bashkimin Evropian, atij ndryshimi do t’i thonë ndryshkim. Atij ndryshimi do t’i thonë kthim mbrapa. Majtas, do të thotë kthim mbrapa. Ora e shqiptarëve është orë e djathtë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në këtë vizitë, Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioni, z. Sokol Olldashi, drejtues të pushtetit vendor, deputetë të zonës, etj.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;

“Unë, kam kënaqësi të veçantë, që sot së bashku me ju të inaugurojmë fillimin e punimeve për hyrjen moderne, për hyrjen që qyteti i Kavajës meriton të ketë. Gjatë këtyre katër viteve, qeveria që ju votuat ka investuar në qytetin e Kavajës mbi 12 milionë euro. Ka investuar në tërësi në rrethin e Kavajës 2.5 miliardë lekë. Ka investuar në rindërtimin e plotë të infrastrukturës së brendshme të këtij qyteti, për shkollat, spitalet, Pallatin e Kulturës dhe unë ju ftoj ju, autoritetet vendore, të gjeni truallin për të menduar edhe për dy projekte të tjera të mëdha; Pallatin e Sportit dhe tregun e qytetit.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kavajës,

Një tjetër premtim imi shumë i rëndësishëm është që ju të keni ujë 24 orë. Shpimet janë bërë dhe rezultati shpimeve të puseve tyre dëshmon se cilësia e ujit është e shkëlqyer, dhe se produkti i tyre është plotësisht i mjaftueshëm që Kavaja të ketë ujë 24 orë. Fjala ime e dhënë është që projekti do të fillojë sa më shpejtë ndërtimin dhe të përfundojë brenda një kohe sa më të shkurtër, në mënyrë që Kavaja të furnizohet me ujë 24 orë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Kavajës,

Katër vite të këtij mandati po plotësohen. Ju jeni dëshmitarë se këto katër vite Shqipëria ka ndryshuar më  shpejtë dhe më shumë se kurrë. Ju e prekni këtë ndryshim në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tuaja. Ju e prekni këtë ndryshim në shkollat e fëmijëve tuaj, tek mësuesit e fëmijëve tuaj. Ju e prekni këtë ndryshim në mbarë vendin tuaj që është shndërruar në një kantier të vërtetë. Shqipëria në këto 3 vitet që vinë do të jetë vendi me rrjetin rrugor më të ri dhe ndër më të mirët në Evropë. Ju e prekni këtë ndryshim sepse kjo qeveri rriti pensionet në qytet, dhe nga 1 maji që vjen, ato do të rriten nga 38 në 70 %.

Unë ju informoj ju se në mënyrë absolute nuk ka qeveri tjetër që bën një rritje të tillë pensionesh. E kundërta po ndodh. Për shkak të klimës financiare dhe ekonomike, vende të tjera po ngrinë pagat dhe pensionet, ndërsa ne jo vetëm që nuk do ti ngrimë, por në datën 1 maj do të bëjmë rritjen  më të madhe në krahasim me katër vitet që shkuan. E prekin ndryshimin të gjithë pensionistët e fshatit që me datën 1 maj i shohin të dyfishuara pensionet e tyre. E prekin ndryshimin të gjithë qytetarët shqiptarë në mbarë kombin sepse në 3 prill, Shqipëria, pas përpjekjeve të përbashkëta dhe shumë të mëdha, anëtarësohet në Aleancën e Atlantikut të Veriut, aleancën më të madhe të lirisë, të të gjitha kohërave, trashëgiminë më të madhe që ne shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre.

Shqipëria do të ketë një të ardhme të sigurt, në liri. Shqiptarët do mund të kapin me shpejtësi kohën e humbur.

Së shpejti, ne do të nisim procesin e kandidimit për në Bashkimin Evropian. Ne shkojmë ballëhapur në Strasburg sepse 26 Parlamente të NATO-s, 26 qeveri të NATO-s, kanë votuar duke e cilësuar më fjalët më të mira votën e tyre për Shqipërinë anëtare të NATO-s. Ne nisim të sigurt procesin e kandidimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sepse 27 vende anëtare të BE-së për shkak të vlerësimit të reformave tona kanë votuar në Parlamentet dhe qeveritë e tyre Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Shqipërinë.

Ju, të rinjtë, burrat dhe gratë e Kavajës, jeni dëshmitarë se në vitet ’90kishim vetëm një lajtmotiv “Shqipëria si Evropa”, “Shqipëria në NATO”. Kjo është Shqipëria si Evropa. Ndaj, dhe ju ftoj a kalojmë shndërrojmë këtë pranverë, në pranverën e një fushate festive dhe të fuqishme elektorale. Dhe, të mos harrojmë se kjo qeveri nuk ia kërkon askujt votën për këto që ka bërë, por e kërkon votën për ato që do të bëjë.

Por, kemi të drejtën morale t’ju kërkojmë besimin sepse i kemi mbajtur premtimet tona. Në qoftë se katër vite më parë, unë, të dashur qytetar dhe qytetare të Kavajës, kam renduar nëpër Shqipëri me premtime, të cilat në atë kohë ishin vetëm një shpresë, ndjej mirënjohjen më të thellë të atyre që na besuan. Sot këto premtime janë një realitet i prekshëm nga qytetarët shqiptarë. Ndaj dhe katër vitet që vinë, ne do të bëjmë që të përfundojnë të gjitha akset më të shkurtra rrugore, të bëhen me katër korsi arteriet më kryesore të vendit, do të përfundojmë boshtin e Jugut, rrugën e Abrti, rrugën e re Tiranë-Elbasan dhe Qafë Plloç-Qukës etj.

Shqiptarët nuk do të udhëtojnë më në rrugë që kanë trashëguar nga pushtimet dhe pushtuesit, të cilat i sillnin e i përcillnin majë maleve dhe kodra pas bregut, por në akse më të shkurtra dhe si qytetarë evropian. Katër vitet që vinë do të jenë vitet e rritjeve të mëdha të pagave dhe pensioneve. Në këto katër vite ne ia dolëm të lëmë pas për paga dhe pensione, për frymë të popullsisë, disa vende të Bashkimit Evropian. Në katër vitet që vinë ne do të lëmë pas për rroga dhe pensione, vende të tjera të Bashkimit Evropian. Qëllimi ynë është që shqiptarët të shpërblehen sa më mirë për punën që bëjnë dhe për djersën që kanë derdhur.

Vëllezër dhe motra

Ne ju kemi premtuar ju se në fund të 2007 nuk do të ketë më ndërprerje të programuara të energjisë elektrike. Së bashku jemi krenarë, sepse përveç efekteve të papërgjegjshmërisë njerëzore, në mënyrën më absolute, nuk ka pasur asnjë orë ndërprerje të energjisë elektrike nga fundi i 2007 e deri më sot. Kjo nuk ka ndodhur se ka patur shira, përkundrazi, prodhimi i përgjithshëm në vitin 2008 ka qenë gjithsej 3.2 miliardë kilovat/orë, kundrejt  3.8 miliardë kilovat/orë që është prodhimi mesatar, por kjo ndodhi sepse ne u zotuam përpara jush dhe kemi blerë përgjatë vitit të kaluar 12 herë më shumë sec kanë blerë qeveria e mëparshme në dy vite të marra së bashku. Por, a është vetëm kjo? Jo, të dashur vëllezër. Ne jemi të vendosur të blejmë të gjithë energjine elektrike që duhet për ju, në mënyrë që të mos e  pësojnë shqiptarët nga ndërprerjet e saj. Kur ne, një vit e gjysme më parë  deklaruam se do ta bëjmë ketë vend një superfuqi të vogël energjetike në Ballkan,  nuk qenë të paktë ata, sidomos në kampin opozitar, që për qeshën dhe protestuan. Sot, ju mund të më thoni se ku jemi? Unë ju ju them se ne kemi firmosur rreth 50 kontrata koncesionare për hidrocentrale nga të cilat është dhe projekti më i madh në Evropë, Kaskada e Devollit, e cila fillon punimet në këto 2-3 muajt që vinë. Ne kemi firmosur për mbi 40 hidrocentrale të tjera. Kemi firmosur kontrata për parqe të mëdha të erës për prodhimin e energjisë. Kemi firmosur  mbi 3 miliardë euro kontrata në fushën e energjisë. Pra, po hedhim themelet e një Shqipërie, e cila do të shndërrohet në një eksportues të fuqishëm energjie në Ballkan dhe me gjerë.

Unë kam bindjen se mençuria e shqiptarëve është e tillë, që midis ndryshimit bosh dhe ndryshimit me vepra, ndryshimit me fjalë dhe ndryshimit me rrugë, ndryshimit me mashtrime dhe ndryshimit me ura, shkolla, kopshte, ndryshimit me trillime dhe ndryshimit me rroga dhe pensione të larta, ndryshimit me fantazira dhe në anëtarësimit në NATO, dhe kandidimit për në Bashkimin Evropian, shqiptarët atij ndryshimi do t’i thonë ndryshkim. Atij ndryshimi do ti thonë kthim mbrapa. Majtas, do të thotë kthim pas. Ora e shqiptarëve është orë e djathtë.

Vëllezër dhe motra,

Së fundi, ju ftoj ju, i ftoj të gjithë të gjithë qytetarët shqiptarë që të marrin letërnjoftimet elektronike sepse janë dokumenti personale të identitetit tuaj dhe janë, absolutisht dokumentat e teknologjisë më të lartë që përdoren sot në Evropë dhe në botë. Janë dokumente, me të cilat ju do të mund t’i përdorni për dhjetëra e dhjetëra shërbime.  Janë dokumenta, me të cilat ju do të mund të udhëtoni në të katër anët e Evropës si qytetarë të saj. Janë dokumenta, me të cilat ne do të paraqitemi në kutinë e votimit dhe do t’i tregojmë mbarë Evropës se do të votojmë në mënyrë të qytetëruar dhe do të korrim fitoret që do të meritojmë.

Ju faleminderit!”


23/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›