E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë e Presidentit Topi për BBC-në.

13 qershor 2008

Athinë,
Greqi.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë qëndrimit të tij në Athinë në kuadër të Samitin e shtatë të Krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, iu përgjigj interesimit të korrespondentit të BBC-së në Athinë, Robert Goro, lidhur me këtë veprimtari. Më poshtë vijon e plotë intervista e Presidentit Topi.

BBC: Në fjalën e tuaj në Samit, ju bëtë një ndërhyrje jashtë tekstit të shkruar, e cila u intrepretua si një replikë ndaj fjalëve që kishte thënë pak më parë Presidenti serb, Boris Tadiç dhe që lidhej me atë që ai e quajti “dhunë të shqiptarëve të Kosovës kundër serbëve”. A patët ju gjatë Samiti ndonjë takim qoftë dhe të shkurtër me Presidentin serb?

Presidenti Topi: Ndërhyrja kishte të bënte me një moment shumë të rëndësishëm, pasi ajo çka parashtroi në fjalën e tij Presidenti Tadiç, ishte jo vetëm në kushtet e të vërtetës, pasi gjërat në Kosovë kanë një sfond tjetër historik dhe nuk është ashtu siç u shpreh Presidenti Tadiç. Përkundrazi janë kosovarët ata që kanë ndjerë në mënyrë të vazhdueshme persekutimin nga institucionet serbe dhe ajo që më bëri të bëja këtë ndërhyrje, ishte një moment tjetër, që kishte të bënte pikërisht me frymën e takimit.

Ky takim që u zhvillua në Athinë, kishte të bënte me komunikimin, shkëmbimin e eksperiencave të secilit pjesëmarrës, për civilizimin për konsolidimin e vlerave kulturore, për rritjen e dialogut politik, dhe u duk që në fjalën e zotit Tadiç nuk kishte asnjë lloj situate kompatibiliteti midis asaj që ai shprehte dhe frymës së takimit të sotëm. Kjo qe arsyeja që unë bëra një ndërhyrje, e cila nuk kishte tendencën për të realizuar një replikë, po për të rivendosur, së paku në kushtet e këtij takimi, një të vërtetë historike, e cila u shtrëmbërua në mënyrë totale nga Presidenti Tadiç.

Ju më pyetët a kisha takim me Presidentin Tadiç gjatë punimeve të konferencë. Po, e kam takuar. Nuk ka qenë një takim formal, ka qenë një takim i rastësishëm, kemi shkëmbyer në mënyrë civile një komunikim, ku e kemi pyetur njeri tjetrin për situatën, dhe ky takim i shkurtër nuk përbën në vetvete një element për ta cituar.

BBC: Zoti President, siç e vutë dhe ju në dukje në përfundim të konferencës, takime të tilla gjithsesi kontribuojnë në krijimin e raporteve më të shëndosha, të një fryme më të mirë dhe më konstruktive ndërmjet gjithë vendeve të rajonit, të paktën sa i përket nivelit të presidentëve. Takime të tilla janë bërë vazhdimisht, por marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit ende vazhdojnë të jenë të kapura nga një ngërç. Dhe kjo ndoshta jo vetëm për shkak të reminishencave të vjetra, por edhe për shkak të zhvillimeve të tjera të brendshme që ka secili prej këtyre vendeve. A mendoni dhe ju kështu?

Presidenti Topi: Shikoni, situata në Ballkan natyrisht ka njohur një progres të dukshëm në marrëdhëniet midis shteteve, në Ballkan ka një situatë të re: pas datës 17 shkurt kemi një shtet të ri në Ballkan, Kosovën. Dhe natyrisht marrëdhëniet nuk mund të shkojnë “legis artis” në komunikimin midis lidershipeve, në komunikimin midis vendeve; patjetër që Ballkani ka problemet e veta, ka problemet e veta që kanë të bëjnë jo vetëm me retrospektivën, por kanë të bëjnë dhe me aktualitetet politike.

Kështu që nuk unë besoj që gjërat nuk mund të rregullohen në një ditë; gjithmonë do të ketë probleme, sepse problemet ekzistojnë përgjithësisht sidomos midis vendeve të rajonit ballkanik, ekzistojnë mentalitete të ndryshme, interesa të ndryshme, por ajo që duhet të merret në konsideratë është pikërisht substanca e mendimeve politike që vjen nga pjesa dërrmuese e vendeve ballkanike, të cilat në mënyrë definitive e shohin të ardhmen e tyre te integrimi euro-atlantik.

Kjo është më e rëndësishmja, pastaj komunikimi do të jetë i vazhdueshëm. Përpunimi i strategjive integruese do të jetë në vazhdimësi. Është me shumë rëndësi që gjithë lidershipi i vendeve ballkanike të krijojë kushte për bashkëpunimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, në mënyrë që rajoni i Ballkanit të arrijë standardet ekonomike dhe të jetë i gatshëm për t’u integruar në familjen europiane.

BBC: Gjatë parapërgatitjeve të Samitit a pati ndonjë sugjerim, qoftë nga ana juaj, qoftë nga ana e Kroacisë, bie fjala, që të ftohej edhe Kosova në këtë Samit?

Presidenti Topi: Nuk është shtruar kjo çështje, sepse takime të tilla përgatiten kohë më parë. Jo rastësisht në fjalën time në koferencën për shtyp unë vlerësova jo vetëm vullnetin politik dhe takimin e presidentëve, që konsiderohet niveli më i lartë i përfaqësimit politik, por vlerësova dhe ekspertizën, punën e ekspertëve, sepse janë ekspertët që punojnë prej kohësh.

Kështu që në këtë takim, i cili është projektuar një vit më parë, nuk ka qenë e parashikuar një gjë e tillë. Gjithsesi, gjë që e kemi shprehur edhe në takimin e Ohrit, edhe në takimet bilaterale, ka ardhur momenti që vendet ballkanike të vlerësojnë me një sy realist ndryshimet në hartën e Ballkanit: sot Kosova është sikurse thashë, një shtet sovran, i lirë, i pavarur, i cili është njohur nga shtete mjaft të rëndësishme, dhe patjetër që duhet të merret në konsideratë në gjeopolitikën e Ballkanit edhe Kosova me të gjitha strukturat e veta, sepse një Kosovë stabël, një Kosovë me institucione demokratike, një Kosovë e projektuar sipas planit të zotit Ahtisari, multietnike, me respekt të gjitha të drejtave të minoriteteve, patjetër me vlerat e saj, të historisë, të kulturës, të traditës, do të jetë jo vetëm kontribuese, por do të jetë mjaft e rëndësishme që të dëgjohet në tavolina të tilla.

Unë jam i bindur që e ardhmja, do të modifikojë edhe disa mendime, të cilat për fat të keq ende janë të kapura nga e kaluara. Jeta vazhdon, bota bën progres, vendet e Ballkanit nuk janë më në atë situatë që kanë qenë përpara, pavarësisht nga problemet të cilat janë të dukshme, nuk besoj që janë probleme apo situata substanciale, që do ta tërheqin Ballkanin në situata luftrash ndëretnike. Sot është një realitet i ri, të gjithë janë koshientë që e ardhmja e Ballkanit, sikurse e thashë dhe në fillim të intervistës, është patjetër në familjen e vendeve europiane dhe atlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›