E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nënshkruan Deklaratën e Samitit të Athinës.

13 qershor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi në krye të delegacionit zyrtar shqiptar në Samitin e Krerëve të shteteve të Evropës Juglindore që u zhvillua në kryeqytetin grek, nënshkroi sot pasdite në emër të Shqipërisë Deklaratën e Samitit të Athinës.

Pas një vizite në Muzeun e Akropolisit, takimeve informale me homologë si Presidenti grek, Papulias, ai kroat, Mesiç, Presidenti bullgar, Parvanov dhe Presidentin e Serbisë, Tadiç, Presidenti Topi mori pjesë në seancën e dytë plenare të Samitit, ku u miratua unanimisht Deklarata e Athinës dhe u ra dakort nga Presidentët e shteteve dhe krerët e delegacioneve të tjerë që Samiti i vitit të ardhshmë mbi “Shumëllojshmërinë e kulturave dhe promovimin e turizmit” do të zhvillohet në Mal të Zi në vitin 2009.

Në përfundim gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Kreu i shtetit shqiptar bëri këtë deklaratë për mediat e pranishme:

“Është e natyrshme që në fund të takimeve të tilla të bëhen dhe të jepen falenderime dhe vlerësime. Falenderimi i parë është për zotin Papulias, i cili na dhuroi këtë mikpritje të këndshme nëAthinë. Vlerësimi i dytë është për zotin Macura, për Këshillin e Evropës si dhe një vlerësim të veçantë dëshiroj t’ua jap ekspertëve, të cilët bënë të mundur realizimin teknik të vullnetit politik të nivelit të lartë që u shpreh sot këtu.

Ky është njëmoment shumë i rëndësishëm për zhvillimin e dialogut politik, për intensifikimin e tij të mëtejshëm dhe ky është një shembull i gjallë i vullnetit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore për të intensifikuar akoma edhe më tej marrëdhëniet dhe për të realizuar atë, që dikur e kemi vuajtur si një hendikap: komunikimin ndërkulturor, konsolidimin e vlerave tona, shkëmbimin e përvojave, ashtu siç u arrit çdo gjë sot këtu në Samitin e Athinës.

Mendoj që e ardhmja e këtyre marrëdhënieve të vendeve të Evropës Juglindore do të jetë patjetër në kontekstin e integrimit që të gjithë vendet e rajonit tonë synojnë ta realizojnë në institucionet ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe organizma të tjera, të cilët ofrojnë mundësitë në këtë botë globale për njerëzit dhe kulturat të mos ndjehen të izoluara, por të komunikojnë me njëri-tjetrin në funksion të ruajtjes së vlerave individuale dhe atyre botërore”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›