Intervistë me Fatos Durmishin, mundës i vitit 2006/07

Shkup - Fatos Durmishi ka lindur në vitin 1986 në Prishtinë, rrjedh nga një familje sportive që e ka në shpirt mundjen. I ati i tij Shefki Durmishi në të kaluarën ka qenë mundës mjaft cilësor, kurse tani ai e drejton KM "Turun ëaimo Mies" në Turku të Finlandës. Fatosi hapat e parë me këtë sport i filloi qysh në moshën 5 vjecare nën udhëheqjen e prindit të vet, ndërsa deri tani ka shënuar suksese shumë të mira në kampionatet vendore dhe ato ndërkombëtare.
Koha: Prej kur keni filluar me mundje?
Me sportin e mundjes kam filluar qysh në moshën 5 vjecare nën përkujdesjen e babait tim Shefki Durmishit. Ai i ka meritat më të mëdha për suksesin tim deri më tani. Në fillim kemi ushtruar në kushte të vështira ngase okupimi i atëhershëm serb na e ka pamundësuar aktivitetin. Kemi stërvitur në shtëpi së bashku me vëllain tim Vlorimin dhe motrën Fitoren, deri në moshën 14 vjecare. Në vitin 1999 kam filluar aktivitetin tim në ish klubin e babait tim, Prishtina, të cilën e ka udhëhequr që nga viti 1976-86, pastaj kam vazhduar në KM "Era" që është themeluar pas luftës nga i ati im.
Koha: Cilët ishin sukseset e para?
Suksesi im i parë ishte në moshën 15 vjecare, kur në vitin 2001 në Kampionatin e Kosovës për kadetë e fitova vendin e parë, duke mposhtur kundërshtarët e mi. Po në atë vit arrita që nga Federata e Kosovës të shpallem mundësi më i mirë i vitit për të rinj.
Koha: Po tjera suksese keni?
Karriera ime është e mbushur me suksese. 11 herë kam arritur të bëhem Kampion i Kosovës në kategori të ndryshme. Jam fitues i shumë turneve vendore dhe ndërkombëtare. 2 vite kam qëndruar në Finlandë, ku kam garuar për KM "Turun ëaimo Mies", me këtë klub, ku kam ngadhënjyer dy herë në Kupën e Finlandës në vitin 2004 dhe 2005. Gjithashtu kam fituar edhe turneun e fortë në Gjermani, "Hernan Kare XXVI" në vitin 2004.
Koha: Sa ju ka ndihmuar sporti në jetë?
Sporti më ka ndihmuar shumë, ngase kam përjetuar shume momente të mira. Aktivitetet e ndryshme fizike më kanë ndihmuar edhe në përgatitjen e provimeve, sepse studioj në Fakultetin e Edukatës Fizike në Prishtinë. Ndërsa sa i përket gjendjes ekonomike më ka lënë mbrapa, sepse një sportist i merituar si unë, nuk ka kurrfarë të ardhura nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ashtu sic e praktikojnë të gjitha shtetet tjera. Me vjen keq po me duhet të them atë që ndiej në zemër, pas luftës e deri në vitin 2005, unë nuk kam qenë aspak i ndihmuar nga organet sportive shtetërore për sukseset e arritura. S'kam pasur as përkrahje morale përvec prindit tim. Viti 2006 ka qenë më ndryshe, sepse kam pasur disa përkrahje nga federata dhe sporti në përgjithësi. Sa do të zgjasë kjo, mbetet të shihet nga organet zyrtare.
Koha: Sa është e përgatitur mundja kosovare për arenën ndërkombëtare?
Mundja kosovare nuk është larg nga arena ndërkombëtare. Besoj se me një përkushtim më të madh dhe me një përkrahje, së shpejti mundësit tanë do të tregohen mjaft të suksesshëm edhe në këto gara.
Koha: Kur pritet anëtarsimi në FILA?
Deri tani unë nuk shoh asnjë punë që dikush ka punuar në këtë drejtim. Arsyen nuk e di as unë! Kemi mjaft personalitete të shquara, ku vetëm me punë një ditë do ta shohim mundjen e Kosovës në listën e FILA-s. Besoj që do të punohet më shumë në këtë drejtim.
Koha: Momentalisht për cilin klub garoni?
Jam anëtar i ri në KM "Shkupi" nga Maqedonia. Shpresoj që me përvojën time shumë vjecare ta tregoj forcën edhe në super ligën e shtetit fqinj. Kurse njëkohësisht do të paraqitem edhe në Kampionatin e Kosovës, pasi që shteti ynë ende nuk ka përpiluar garë klasike si përshembull Liga.
Koha: Planet në të ardhmen?
Po ëndërroj gjithnjë, që një ditë të përfaqësoj shtetin tim Kosovën me sukses në arenën ndërkombëtare. Shpresoj kjo të ndodh një ditë ngase jam duke punuar shumë në këtë drejtim.
Avdyl SALIHU