E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficeri i ushtrisë grabiti 250 mijë lekë

 

TIRANE - Pa kaluar 24 orë nga grabitja e një kazinoje te rruga e Elbasanit, policia e kryeqytetit ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë autorin e ngjarjes. Sipas burimeve nga policia, autori i grabitjes së 2.5 milionë lekëve në lokalin e lojërave të fatit "Apex", është një oficer i Repartit të Reagimit të Shpejtë. Ermal Taka, 30 vjeç, ka realizuar vjedhjen me armën e shërbimit, duke kërcënuar arkëtaren. Ngjarja ka ndodhur vetëm një orë pasi Taka kishte humbur 50 mijë lekë duke luajtur në kazino. Duke dashur të rikthejë paratë e humbura, oficeri është kthyer sërish, por këtë herë duke kërcënuar me armë dhe duke marrë të gjitha paratë që ndodheshin në arkë. Ngjarja është denoncuar në Komisariatin Nr.1 në Tiranë nga pronari i kazinosë, Dod Prenda. Ai ka treguar se një klient, që sapo kishte dalë nga lokali ishte rikthyer në orën 03:50 të ditës së mërkurë dhe kishte realizuar grabitjen e parave, duke kërcënuar me pistoletë arkëtaren. Oficerët e Seksionit të Vjedhjeve Kundër Biznesit e kanë kërkuar autorin përgjatë gjithë ditës dhe arrestimi i tij është kryer rreth orës 01:00. Sipas policisë, Ermal Taka ka hyrë të luajë në kompjuterët e lokalit të lojërave të fatit "Apex", pranë Drejtorisë së Tatimeve te rruga e Elbasanit. Aty ai ka lënë 5 mijë lekë të reja dhe ka ikur me mendjen për t'u kthyer sërish, jo më për të luajtur por për të vjedhur. Duke përdorur armën e shërbimit, tip pistoletë, 30-vjeçari ka detyruar arkëtaren të zbrazë kasën dhe është larguar me 250 mijë lekë të reja të xhiros ditore të lokalit. Sipas burimeve, oficeri i Repartit të Reagimit të Shpejtë, i veshur civil ka hyrë i vetëm në lokalin e lojërave të fatit, duke e realizuar vetë grabitjen. Ndërkohë gjatë dëshmisë së tij në polici Taka ka deklaruar se në momentin që ka realizuar vjedhjen ka qenë nën efektin e alkoolit, pasi kishte humbur paratë në kompjuter.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›