Inva Mula anulon kontratën në Spanjë
Sopranoja shqiptare ishte ftuar të luante rolin e Mimit në operën "La Boheme" të Puçinit, e cila do të ketë premierën në datën 12 tetor.Në të njëjtën kohë kishte edhe një kontratë në San Francisco për "Elisire d'amore". Shlyen "gabimin", do kthehet për publikun në Teatrin Oviedo.
TIRANE- Inva Mula nuk do të ngjitet në Teatrin e Operas së Oviedos në Spanjë. Sopranoja shqiptare ishte ftuar të luante rolin e Mimit në operën "La Boheme" të Puçinit, e cila do të ketë premierën në datën 12 tetor. Për interpretimin në këtë rol, Mula kishte nënshkruar një kontratë që në vitin 2005. Por një përplasje datash në programin e koncerteve të përcaktuar nga agjentët e saj, e ka detyruar sopranon shqiptare të anulojë kontratën. Në të njëjtën kohë, ajo kishte një tjetër kontratë në San Francisco, për të interpretuar në operën "Elisire d'amore". Drejtuesit e Teatrit të Oviedos kanë reaguar për këtë mungesë të sopranos shqiptare. Kohë më parë ishte njoftuar se publikut do t'i ofrohej një Mimi në petkat e sopranos së njohur, e për këtë ata kanë bërë të ditur dhe prishjen e kontratës mes palëve. Ndonëse në gazetat spanjolle shkruhet se Inva Mula nuk i kishte lajmëruar më parë drejtuesit e Teatrit Oviedo e nuk kishte dhënë shpjegime, në një prononcim për "Gazetën", sopranoja shqiptare shprehet se ka kontaktuar disa herë me drejtuesit për të arritur në një kompromis të mundshëm. "Ka qenë një përplasje datash, e cila nuk ishte vënë re më parë. Në të njëjtën kohë unë kam edhe një kontratë në San Francisco. U mundova që ta zgjidhja këtë problem, duke propozuar një shtyrje datash të shfaqjeve, por nuk ramë dakord në këtë pikë. Atëherë unë isha e detyruar që t'i përmbahesha vetëm njërës nga kontratave", - shpjegon Mula. Ky është një nga ato rastet e rralla në kalendarin e ngjeshur artistik që sopranoja shqiptare ka në një pjesë të mirë të skenave të botës. Në fakt, ky nuk është një personazh i panjohur për sopranon shqiptare. Inva Mula e ka interpretuar edhe më parë rolin e Mimit te "La Boheme" të Puçinit, duke marrë edhe vlerësimet e kritikës.
Zëvendësimi
Ndërsa duhen vetëm dy ditë që "La Boheme" të ngjitet premierë në Operën Oviedo, Inva Mula është zëvendësuar nga sopranoja kroate Martina Zadro, e cila ka mbërritur në Spanjë për të bërë provat e fundit para premierës. Ndonëse nuk u shfaq për publikun si vajza e dashuruar Mimi, sopranoja shqiptare ka premtuar të kthehet në Operën Oviedo. Ajo ka propozuar realizimin e një koncerti recital për publikun spanjoll. "I kisha lajmëruar që më parë drejtuesit e Operas për përplasjet e kontratës, dhe pas disa diskutimesh, arritëm në një kompromis artistik për të shlyer këtë "gabim" timin. Do të kthehem në po të njëjtin teatër për të interpretuar në një koncert recital falas", - shprehet Inva Mula. "La Boheme" do të ngjitet në këtë teatër me regji të Emilio Sagit, në kuadër edhe të 150-vjetorit të lindjes së Xhakomo Puçinit. Sopranoja kroate, Martina Zadro, në rolin e vajzës së brishtë Mimi do të ketë në krah tenorin Carlos Cosías në rolin e Rudolfos, poetit bohemian. Zadro e ka interpretuar edhe njëherë më parë Mimin, në operën e Zagrebit. E pyetur nëse ka pasur vështirësi në përgatitjen e rolit, pasi ka zëvendësuar sopranon Mula, ajo është përgjigjur se "pjesëmarrjen në këtë operë ma ka komunikuar disa muaj më parë Javier Menéndez, kur unë isha duke punuar për "La Traviata" në Festivalin e Longsborough, në Angli. Nuk m'u desh të punoja shumë, sepse në kokën time ishte formuar tashmë karakteri i Mimit. Gjatë një viti unë e kam studiuar këtë personazh me të madhen Anna Moffo". Sopranoja kroate është pyetur gjithashtu nëse ajo e njeh punën e sopranos shqiptare Inva Mula. Lidhur me këtë, Zadro është shprehur se "nuk e kam parë asnjëherë nën petkat e këtij personazhi, por rastësisht e pashë në një interpretim të shkëlqyer në Kroaci. Kur shfaqja mbaroi, shkova ta përshëndesja e ta uroja. Aty i tregova se isha unë që do ta zëvendësoja në Oviedo. Ajo u gëzua shumë e më uroi më të mirën me një: Bravo!". "La Boheme" të çon në Parisin e vitit 1830, në një dimër të ftohtë. Personazhet vërtiten në një rreth artistik bohemian, në të cilin lind edhe dashuria e dy të rinjve, Mimit dhe Rodolfos. Një dashuri që përfundon tragjikisht, me vdekjen e vajzës së re.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)