E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komedia e fundit, komedia e të parëve



Astrit LULUSHI (SHBA)
Fillimi i gjysmës së shefullit të XX, për shqiptarët vështirë të quhet ndryshe, veçse hyrje në një periudhë ku edhe më pesimisti përpiqej të bindte veten se ishte optimist. Lufta e Dytë kishte përfunduar, shpresat patriotike ishin vrarë, përfaqësuesit e fundit të atij brezi rilindasish, që kishte krijuar shtetin e parë shqiptar qysh prej kohëve që nuk mbaheshin mend, tani endeshin kampeve të Europës apo dergjeshin burgjeve, duke pritur çastin e ekzekutimit. Koha, në të cilën shqiptarët po hynin, do të bënte që çdo periudhë tjetër në të kaluarën të dukej e artë.
“Falë Zotit”, do të thoshte Gëte po të ishte gjallë, “që nuk jam i ri në këtë botë që ka mbaruar.”

* * *
Të gjitha trojet shqiptare, pavarësisht në cilin shtet, dukeshin të mjera dhe të shkreta. Me mijëra ishin vrarë, burgosur, internuar nga shqiptarë të rinj në moshë e ide, por jo më pak të pamëshirshëm sesa të huajt.
Për shumicën, jeta e ndërprerë duhej të fillonte nga e para. Njerëzit dukeshin të shokuar nga ato që kishin provuar e parë. “Luga e florinjtë”, që u ishte premtuar, u shndërrua në metal pa vlerë, si monedha që u vihej të vdekurve mes dhëmbëve për të paguar kalimin në botën tjetër.
Kurrë jeta nuk kishte qënë aq pa kuptim, pa shpresë dhe e shpërdorur.
E ardhmja, që gjithmonë pritej të vinte, dukej e skaduar. Vendi i ngjante një trupi pa shpirt. Ideali i ri, Komunizmi, kishte marrë pamje të rëndë dhe, për t’u dukur jo i frikshëm, filloi të synonte të ardhmen, ku vetëm sytë e rinj mund të shikonin; të vjetrit ishin lodhur dhe, pasi e kishin ndjekur për shumë kohë, të zhgënjyer, tani ata talleshin.
* * *
Kështu, të rinjtë jetonin në të ardhmen, ashtu si të moshuarit në të kaluarën. Por njerëzit, shumica, detyroheshin të jetonin në të tashmen, dhe e tashmja ishte ferr.
Sa mijëra besimtarë ideologjikë luftuan a dhanë jetën për këtë utopi?
Sa vetë jetuan me shpresa se dritë prej saj do të rridhte?
Sa prej tyre, nga bij të revolucionit u kthyen në dhëndurë të “reaksionit”?
Sa shkrimtarë, poetë, kompozitorë i grisën veprat e tyre?
Dhe, kur ideologjisë i erdhi fundi, të parët dolën ata, që asgjë nuk kishin mësuar dhe asgjë nuk kishin harruar. Çfarë komedie kjo tragjedi, me të qeshura e lot të hidhur.

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›