E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrjedh Sena në vargje



Maks VELO

Parisi

Një kolonë si një pikëllim gjigant
Sa lodhje ka në statujat
që kullojnë të gjelbër bronzi
Urat mbi Senë karamanjolla shekullore
rrugët gërryer nga mendimi i pathënë
Sena damar i prerë për vetëvrasje
nga dashuria për ty
Sheshet e hapura si mielli në magje
Notrë-Damë organo e muzikës Gale
Bastija kështjellë fantazmë
që nuk ka ekzistuar kurrë
Tur Ejfeli shiringë droge
në trupin e shekullit të ri
Një parmak metroje ka
tërë artin e kohës moderne
Trishtimi i kafeneve si vepra e papërfunduar
Qielli me diell e shi
si pasiguria e lumturisë femërore
Gota e verës mbushur me një qetësi të pikëlluar
Këtu revolucionet e arti
bëhen lehtësisht në një kafe të vjetër
Perdja e lëshuar mbas dritares
Sipari i dashurisë dhimbjeheshtur
brendi dhome me një nudo Matisi
Çatitë e katedraleve
pëlhura lini hedhur mbi kohën
si negativ i pastampuar
Një mjegull e lehtë
larg silueti i urës së vjetër

Shi në Paris

Një figurë me ombrellë i shtoj akuarelit
Larg një kupolë mbyll perspektivën
Retë e ulëta ngjyra plumbi
me dorë i vendos mbi urat
Me radhë shuaj dritat e qiellit

E diela në Paris

Barkat çajnë pa zhurmë, Senën mos zgjojnë
Çarçafi gri i hotelit, varur në qiell,
është grisur. Një dritë vjen nga lart
si llamba e ndezur harruar majë një shtylle
Kambanat kumbojnë
tingujt njëri mbi tjetrin peshojnë
Parizienët indiferentë
të dielën mbështjellin si tortë
në shtëpi e çojnë

Parisi sureal

Bukët piqen mbi çati
ulluqet kullojnë verë rozë
karrocat janë mbushur me djathë
pikturë pointiliste ylberi mbi Notrë-Damë
urat e Senës kanë dalë shëtitje
një fizarmonikë sa Tur Ejfeli bën muzikë
Drejt Mesdheut është nisur një ëndërrtar
Qyteti jeton pleqërinë dhe rininë

Parisi i nxirë

Si qymyrxhi në punë gjatë javës
nxihet e nxihet. Të shtunën
lan fytyrën, fërkon duart me furçë
Të dielën, për meshë,
vesh këmishën e mirë

Qyteti i vetmisë

Dritarja e hapur sjell zhurmat e qytetit
Edhe në rrugë njerëzit ecin një e nga një
Njerëzit shohin drejt, nuk takojnë asnjë
vështrim njerëzor. Secili jeton vetminë
Qyteti nuk i bashkon dot

Banor i mansardave

Parisit përditë i shoh vetëm çatitë
veshur me lëkurë plumbi. Si kafshë pi ujë
buzë Senës. Shoh oxhakët të harruar
si mendime të pavlerësuara
Tym nuk nxjerrin fare, prapë i mbajnë,
i ruajnë si një koleksion çibukësh
që njeri s’i përdor më
Këtu sipër jam unë
Më parë quheshim Bohemë
tani quhemi banorë pa ashensor
Ngjitemi çdo ditë në qiell më këmbë

Organoja e Notrë-Damës

Tempull tingujsh rrethuar me kolona metalike
tuba zëri të gjallë, feçka elefanti drejt publikut
Katedralja dridhet, brenda vetes ringjallet
e sytë kthen
Tërmet muzikor
Ti vazhdon... Një dritë e rënë
mbi metalin e tubave ndrit si ylberi
tingujt u ngjyen në blu. Ashtu si kërcimtarë
hidhen e dridhen në ajër
lëkunden, vallëzojnë, zhyten e prapë ngrihen
kalojnë me hapa para altarit
fshihen mbas kolonave, ngjiten tek kupola
pingul bien dhe pushojnë
Kur luan organoja
katedralja është prej tingujsh

Urat

Urat e Parisit
si këmbë të bukura femrash
futur në Senë
Fustani ngritur sipër
bërë urë

Sena flokëshkulur

Lumi flokëshkulur vajton një jetë
Një trup zhduket, fundoset
duket prapë si një mendim i vjetër
Sena e lodhur e nxjerr në breg

Qielli letër

Qielli i Parisit letër pasteli
gri, poshtë si pllakë plumbi
çatitë me sklepa në sy
Zogjtë
pika të zeza në lëvizje,
zvogëlohen largohen
afrohen zmadhohen
si mendimet e mia të palidhura
këtë të diel

Notrë-Damë

Ulur në karrigen dru e kashtë
ngre kokën lart
Shpirti i Francës m’u shfaq me ngjyra
futur në një rreth vibrues
Është
vitrazh i madh

Vera

Tapa kërcet e gëzuar si një akt zhvirgjërimi
Lëngu mban aromën e trupit të femrës
e shiut me erë
e traut prej lisi të prerë
e qirinjve që digjen në katedralen e errët
Pi verë
në buzë kam tërë Francën e vjetër

Jeta në rozë

Shishet janë bosh, portat të mbyllura
rrugët janë të qeta
mbi urat nuk kalon njeri
lulet e vetmuara farëmbjellëse të mungesës
më vonë do të vijnë njerëzit
për ta kuptuar më mirë, analizuar më mirë
Hapësira u la bosh një moment
forma primare si dekor ëndrrash
sipërfaqe të ndara të ngjashme
me mozaikë antikë
vija të brendshme
ngjyra pastel si tinguj harmonikë
variacion mbi një temë
Çdo gjë është e butë çdo gjë është ëndërr
perfeksion spontan
në gri në blu
është jeta në rozë

Në dorë një shishe

Asnjë pllakë nuk gjeta të gdhendur
Këtu ka vdekur një lypës i dehur i parruar
Në dorë një shishe vere, ngurtësuar buzë Senës
poshtë urës në mëngjes e gjetën të ngrirë

Hoteli më i lirë

Pardësyja e lagur e varur
në hekurin e shtrembër të perdes
ka zënë dritaren e vetme
Nuk shoh dot jashtë çatitë
Hotelin me shkallë druri
të ngushta spirale që kërcasin
e paguaj nga mbetja
e faturave të jetës

Trishtimi

Trishtimi gri si shiu i rrallë
në mbrëmjen që po shuhet
largohet në heshtje
Trishtimi gri litar që zgjidhet
nga ganxhat e Senës
në ujë bie
Barka natë e tërheq lehtësisht

Muzikë në metro

Muzikë false sentiment i vërtetë
luan të tjerët po dhimbjen
e ka të vetën

Helmeta e burrit

Mbas luftës qindvjeçare
në kohë paqeje farkëtarët
helmetat e hekurta i vunë mbi katedrale
Buritë e betejave i ngulën mbi pallate
Me hinkën e verës zbukuruan
çdo kullë me kate

Vëllezër njerëz

Parisi ka shumë pllaka tregimmtare
Njëlloj të derdhura në bronz
I lexoj përherë kronikë dhe histori
Po njërën veç të tjerash e kujtoj
Një figurë aspak e njohur
humbur diku në shekullin e pesëmbëdhjetë
në Mesjetë
E përfytyroj çdo mbrëmje në tavernë
në njërën dorë ka brokën plot me verë
tjetrën futur poshtë fustanit të bukuroshes
rrobalarëse bardhoshe shtalartë gjarpëroshe
skena gëzimi
në Paris të përsëritur me mijëra herë
Po ai, François de Montcorbier, pat thënë:
Vëllezër njerëz që mbas nesh do të vini
kundrejt nesh mos kini zemër të egërsuar

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›