Kthehet nga Anglia, e gjen shtëpinë të shembur nga përmbytjet
Përveç dëmeve materiale dhe të mbjellave, përmbytjet në zonën e Nënshkodrës kanë arritur të shembin dhe një banesë, e cila ndodhet në fshatin Kamicë, buzë liqenit të Shkodrës. Shtëpia është shembur gjatë përmbytjes së parë të regjistruar këtë fillimviti, por është vënë re nga familjarët vetëm para pak ditësh, kohë kur janë kthyer për pushime nga Anglia, ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh. Pronari i saj, Hasan Hasaj, thotë se ndonëse banesa është shembur nga përmbytja masive e ndodhur në muajin janar, grupet e verifikimit nuk e kanë shënuar në listat e dëmeve. Duke folur për gazetën Hasan Hasaj shprehet se: ”kam dëgjuar me shumë vëmendje nga Anglia lajmet që flisnin për përmbytjet që ndodhën në Shkodër, por kurrë nuk kisha menduar se do ta gjeja shtëpinë të shembur nga uji. Aktualisht, ajo është e pabanueshme, nuk mund të hysh brenda, pasi tavani dhe muret janë shembur. E gjithë kjo ka ndodhur pasi shtëpia ka qëndruar për shumë ditë nën ujë. Kam shkuar në të gjitha dyert e institucioneve dhe të gjithë ngrenë supet, shprehin habi se si ka mundësi. Kërkoj nga shteti të shqyrtohem si një rast i veçantë, pasi jam i vetmi që më është shembur shtëpia dhe ndër të vetmit që nuk më është shënuar emri për të marrë dëmshpërblim. Kam ardhur të kaloj disa ditë në shtëpinë time, por nuk kam se ku të qëndroj. Shteti duhet të përgjigjet ashtu siç është përgjigjur dhe për familjet e tjera”. Ndërkohë, burime nga Qarku Shkodër shprehen se ka qenë një gabim njerëzor i grupit të verifikimit, i cili nuk e ka futur banesën e Hasajve në listën e familjeve që duhen dëmshpërblyer dhe në këto kushte kur grupet e verifikimeve janë mbyllur është e pamundur që personi në fjalë të marrë dëmshpërblim. Ky është rasti i vetëm në Qarkun e Shkodrës ku përmbytja ka arritur të shembë një shtëpi dhe në mënyrën më absurde kjo familje nuk do të mund të dëmshpërblehet për dëmin e pësuar.
#