E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidët: Kërkojmë rimbursim për karburantin

Njerëzit me aftësi të kufizuara fizike kërkojnë rritjen e kompensimit për karburantin, si dhe rifutjen në programet e strehimit. Disa muaj më parë, kur ata hynë në grevë urie, një prej kërkesave që nuk u plotësua ishte dhe ajo mbi çmimin e karburantit, për të cilin duhet të rimbursohen. Sipas ligjit, invalidët e punës duhet të kompensohen për karburantin. "Një prej kërkesave gjatë grevës së urisë ishte rritja e kompensimit për karburantin nga 80 lekë për litër në 90 lekë, si edhe marrjen e kompensimit për të gjithë personat me aftësi të kufizuara", thotë Ali Plaka, nënkryetari i Shoqatës së Njerëzve me Aftësi të Kufizuara. Sipas ligjit, aktualisht përfitojnë rimbursim 500 invalidë pune, ndërkohë që gjithsej invalidë të lindur janë 3 mijë. Vetëm gjatë këtij muaji, çmimi i karburantit është rritur nga 1 050 lekë, në 1 300 lekë për litër.

Një kërkesë tjetër e tyre është rifutja në programet e strehimit. Sipas ligjit, ata përfitojnë kredi të zbutur nga shteti, deri në 21 milionë lekë të vjetra. Dhe nëse shteti nuk mund të ndërtojë nga Enti i Banesave shtëpi për ta, si dhe nuk mund të ndërhyjë për dhënien e kredive, i trajton me banesë sociale me qira. Qiraja për këtë kategori është 40 mijë lekë të vjetra në muaj sipas ligjit. Personi i fundit i trajtuar me kredi nga shteti, që ka marrë 21 milionë, e ka përfituar atë katër vite më parë. Më pas, gjatë katër viteve nuk ka mundur të përfitojë asnjë njeri me aftësi të kufizuara. Gjatë grevës së urisë, një prej kërkesave të tyre ishte rritja e pagesës së kujdestarisë në 10 mijë lekë, si paga minimale, edhe rrija e pagesës së paketës higjienike, e cila u rrit pas grevës me vendim qeverie 40 për qind.

Personat me aftësi të kufizuara pak muaj më parë ishin në një grevë urie, e cila zgjati për disa ditë me radhë. Pasi u pritën nga një grup i përfaqësuesve të shtetit, ata vendosën ndërprerjen e grevës. Më pas, qeveria vendosi të merrte një vendim për ta për të plotësuar disa nga kërkesat e tyre, arsyet kryesore për të cilat iu drejtuan grevës së urisë.

Kohët e fundit, çmimi i karburantit ka pësuar rritje të mëtejshme të çmimit. Në të tilla kushte dhe të ndodhur në një gjendje kur për personat me aftësi të kufizuara ka shumë pak mundësi punësimi, për të mos thënë aspak, ata kërkojnë politika lehtësuese për strehimin dhe të familjarëve të tyre.

Deri tani, disa banesa për të ofruar strehim për këto kategori janë ndërtuar në qytetin e Durrësit, por edhe ky proces ka pasur probleme dhe shqetësime të tjera. Për sa u takon invalidëve, ata kanë kërkuar herë pas here të kenë politika stimuluese për të gjetur vende pune, për të pasur një infrastrukturë të mirë për kushtet e tyre dhe për të qenë pjesë e aktiviteteve private, ku mund të japin kontribut më të madh, sipas mundësive që ofrojnë.

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, u premtoi atyre dy vjet më parë, se infrastruktura e Ministrisë së Jashtme në të ardhmen do t‘i plotësojë të gjitha kushtet për të punësuar edhe persona me aftësi të kufizuara. Mustafaj ka qenë i pari që bëri një deklaratë të tillë në rangun e "kolegëve" të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›