E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, mungojnë masat në kufi me Greqinë

Përhapja e gripit të derrit në shtetin grek, pavarësisht nga numri i lartë i të infektuarve, nuk ka çuar në shtimin e masave të kontrollit në pikat e kalimit kufitar. Ardhja e turistëve dhe emigrantëve në këtë periudhë vere, që konsiderohet e rrezikshme për përhapjen e virusit H1N1, nuk ka ndikuar në rritjen dhe përforcimin e masave parandaluese dhe në kontrollet që janë të detyrueshme të kryhen ndaj shtetasve që regjistrohen në hyrje të territorit vendas. Masat për parandalimin e virusit duket se mungojnë edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, pavarësisht nga prezenca e inspektorëve të Shëndetit Publik. Këta të fundit më tepër udhëzojnë shtetasit në hyrje të territorit vendas, të vendosur në një sportel që është çelur disa muaj më parë për këtë qëllim dhe për identifikimin e personave që mund të jenë bartës të virusit. Kryesisht lidhur me virusin jepen informacione në kufi, ndërkohë që sipas personave që vijnë nga Greqia, në pikën e kalimit nuk është kryer asnjë kontroll apo proces intervistimi për këtë sëmundje dhe në rast se së fundmi kanë shfaqur shenja të një gjendjeje gripale. Sipas inspektorëve të Shëndetit Publik kryhet vetëm udhëzimi i qytetarëve dhe vetëm rastet që konsiderohen si të dyshimta drejtohen për kontrolle të mëtejshme dhe i nënshtrohen verifikimit mjekësor. Deri tani, pavarësisht nga hyrjet e shumta në këtë pikë kufitare, sipas inspektorëve nuk ka pasur asnjë rast të dyshimtë të infektimit, që t‘i nënshtrohet vizitës mjekësore e më tej kalimit drejt spitalit. Virusi, sipas specialistëve, është vështirë të identifikohet nga këto kontrolle, edhe për faktin se nga prekja deri në shfaqjen e simptomave të para duhet të kalojë një periudhë inkubimi prej të paktën 7 ditësh. Ndryshe nga muajt e mëparshëm, kur me shfaqjen e virusit në territorin doganor u kryen dezinfektime, edhe pse rreziku i përhapjes gjendet tashmë afër kufirit, nuk ka asnjë masë për spërkatjen e ambienteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›