E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore 2009, mënyra se si duhen llogaritur pikët

Në ndihmë të llogarive, që maturantët duhet të kryejnë për të renditur dhjetë preferencat e tyre për degët në universitetet publike, është formula e vendosur nga Ministria e Arsimit. [(D1+D2+M)xKsh+Z1xKz1+Z2xKz2]x100. Është pikërisht këtu sekreti i llogarive që çdo maturant, kandidat për në institucionet e arsimit të lartë, duhet të kryejë në mënyrë që të bëjë një zgjedhje të mençur për të ardhmen e tij.

Sipas drejtuesve të APRIAL-it, është vendosur që me D1 të cilësohet rezultati i provimit të parë i detyruar i Maturës Shtetërore, ai i gjuhës dhe letërsisë. Me D2 shënohet rezultati i provimit të matematikës. Ndërsa me Z1 dhe Z2 janë provimet e lëndëve me zgjedhje, që maturantët e këtij viti do t‘u nënshtrohen nesër, më 10 korrik. M është simboli i mesatares së shkollës së mesme. Gjithashtu, në këtë formulë një vend mjaft të rëndësishëm zënë edhe tri llojet e koeficienteve. Ksh, ose ndryshe koeficienti i llojit të shkollës së mesme, që ka frekuentuar secili për 4 ose 5 vite me radhë, Kz1 është koeficienti i lëndës së parë me zgjedhje dhe Kz2 është i së dytës. Drejtuesit e APRIAL-it theksojnë se logjika e llogaritjes së pikëve të secilit kandidat e përdorur në këtë formulë është e thjeshtë. Ajo mbështetet mbi aftësitë dhe talentin e gjithsecilit, nëse është i prirur për shkencat sociale apo ato natyrore. Kështu, në rastin kur një maturant është i dalluar në shkencat sociale dhe jep provim lëndën njohuri për shoqërinë nuk është i preferuar në shkencat natyrore, p.sh. matematikë. Rrjedhimisht, koeficientet këtu janë në disproporcion: 1.3 për drejtimin shoqëror dhe 1 për drejtimin natyror. Dhe anasjelltas, një maturant që jep provim me zgjedhje fizikën është i preferuar në drejtimin natyror, ku ka edhe koeficient më të lartë. P.sh. në programin e studimit fizikë. Pas kësaj logjike matematike përllogaritjesh është ngritur pyetja: Cilat lëndë do të zgjedhë maturanti të japë provim me zgjedhje, ato që zotëron më mirë, apo ato që kanë koeficient më të lartë? Përfaqësuesit e APRIAL-it, mbështetur edhe në eksperiencën e këtyre viteve të maturës, pohojnë se kjo është një dilemë që jo rrallë është zgjidhur në mënyrë të gabuar nga maturantët dhe rrethi i tyre. Ata ofrojnë shembullin e një kandidati për student, i cili është i profilit shoqëror dhe ka në një nga preferencat e tij programin e studimit Drejtësi (që e ka koeficientin e shkollës 1.4) dhe lëndët që ka zgjedhur për të dhënë provim janë njohuri për shoqërinë dhe ekonomi-filozofi (që e kanë koeficientin maksimal 1.3). Maturanti ka marrë këto vlerësime: D1=8.64; D2=8.2; Z1=8.85; Z2=9.68; M=9.41. Me këto të dhëna ky maturant, në përputhje me formulën e mësipërme, fiton në total 6083.9 pikë. Natyrshëm ky maturant për këtë program studimi do të ketë pikët maksimale për rezultate maksimale. I njëjti rezultat vlen edhe për programet e tjera të studimit, që kanë këto koeficiente, ku përgjithësisht hyjnë programet e studimit me drejtim shkencat humane. Por, shpeshherë, gjatë plotësimit të preferencave, bëjnë të ditur përfaqësuesit e APRIAL-it, maturantët orientohen në disa programe studimi, që jo vetëm nuk kanë afri, por janë diametralisht të kundërt. Ata shtrojnë pyetjen: A mund të ketë rezultat maturanti për programet e studimit ku bazë janë shkencat ekzakte? Për t‘i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje shtrohet për ilustrim një shembull nga programet e studimit të Fakultetit të Ekonomikut, Ekonomiks. Ky fakultet për maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme me profil shoqëror, koeficientin e shkollës e ka 1.2, pra krahasuar me shembullin e Drejtësisë kemi një diferencë prej -0.2 në këtë element. Po të analizohen koeficientet e lëndëve me zgjedhje gjithashtu vihet re se lënda njohuri për shoqërinë ka koeficientin 1, pra -0.3 krahasuar me Drejtësinë, po kështu edhe Ekonomi e Filozofi. Nëse do të llogarisim pikët me koeficientet e ndryshuar, për këtë program studimi, vihet re se maturanti pëson një ulje të ndjeshme të pikëve.

Një dukuri tjetër që vihet re, është se një maturant mund të kërkojë të njëjtin program studimi, p.sh. Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Shkodrës. Pavarësisht se programi i studimit është me të njëjtin emërtim mund të mos marrë të njëjtat pikë. Kështu, në UT mund të marrë 4241.9 pikë dhe në atë të Shkodrës merr 4027.7 pikë. Kjo për arsye se vetë fakultetet e këtyre universiteteve kanë propozuar koeficiente të ndryshme për të njëjtën emërtesë të programit të studimit. Pra, rekomandohet që maturantët duhet t‘i njohin mirë koeficientet e secilit program studimi dhe se si mund të ndikojnë ato në sasinë e pikëve që mund të fitojë.

Nga ana tjetër, i mëshohet fort idesë thelbësore se koeficientet nuk janë elementet determinues në fitimin e pikëve, por është përgatitja e maturantit gjatë katër viteve të shkollimit dhe notat me të cilat vlerësohet në të katër provimet. Nga eksperienca e këtyre viteve, pohojnë përfaqësuesit e APRIAL-it, kemi vërejtur se shumë maturantë zgjedhin për të dhënë provim lëndë me zgjedhje që kanë koeficient të lartë për programet e studimit që ata synojnë. Por ata nuk marrin parasysh se sa janë të përgatitur për provimin e asaj lënde.

Pra, maturanti duhet të zgjedhë për të dhënë provim me zgjedhje atë lëndë ku e ndjen veten më të përgatitur. Roli i koeficienteve është i madh, kur maturantë me të njëjtin vlerësim në provimin me zgjedhje, kanë zgjedhur lëndën e duhur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›