E Shtunë, 31 Tetor 2026

KJO ISHTE PASQYRA EUROPIANE

Zgjedhjet në Shqipëri u bënë, numërimi i votave po mbyllet dhe qeveria është gati. Gjatë më shumë se një jave të gjitha zotësitë mendore të vendit u vunë në shërbim të një sinergjie të vetme: cili do të jetë ekuacioni i formulës qeverisëse. Për të tjerat, çfarë mendësie u shpreh prej zgjedhësve dhe lidershipit, sa iu afrua a iu largua mendimi shqiptar mendësisë europeiste, natyrisht ka kohë të mendohet! Shumë qytetarëve të këtij vendi, një ditë pas mbarimit të procesit zgjedhor, para-raporti i vëzhguesve europianë me siguri u ka shkaktuar tronditje. Standardet nuk u arritën, institucionet euroatlantike presin që ato të vërtetohen në zgjedhjet e ardhshme. Nuk vlejnë më vlerësime të tilla, si: "një hap përpara", "të mira për Shqipërinë", "përparim relativ". Madje edhe cilësimi "të lira e të ndershme" nuk është më term që mund të përdoret. Një raport rreptësisht kritik, pa kuptime të dyfishta, që thuajse nuk pritej.

Po çfarë ndodhi në të vërtetë? Të paktën dy janë prirjet themelore të realitetit që çuan te kjo "çudi".

E para, zgjedhësit shqiptarë dëshmuan një kulturë elektorale që kurrë nuk ishte arritur më parë, duke lënë prapa klasën e vet politike, e cila mbetet më e vjetruara në Europën e dikurshme bolshevike. Ndërsa zgjedhësit, të paktën në një ditë, e paraqitën veten para disa qindra vëzhguesve të huaj me sjellje të vërteta europeiste, prijësit e tyre jo vetëm që nuk mundën ta kalojnë provimin, por vazhduan të thellojnë autoritarizmin e tyre tipik ballkanik, mendësinë e fjalës së urrejtjes (Hate Speech).

E dyta, lidershipi i këtij vendi me sa duket kishte harruar se kërkesat europiane nuk do të ishin më si për një vend aspirant, pra përgjegjësi vullnetare; por do të ishin si për një vend tashmë të anëtarësuar në një prej organizatave politike-ushtarake europiane, në NATO, pra përgjegjësi juridikisht të parashkruara dhe pa asnjë ekuivok nuk do të tolerohej asnjë dozë amatorizmi e asnjë tonalitet qoftë dhe i vogël tinëzarie mes dy forcave të mëdha.

Përballë pasqyrës europiane u shfaq një Shqipëri politike krahinoriste, për të thënë fjalën më të butë. Krahinorizmi dhe tribalizmi në të vërtetë nuk janë dhe aq larg njëri-tjetrit.

Po pse kjo Shqipëri krahinoriste, e cila, ndër të tjera, nuk pati vëmendje të qortonte veten duke vlerësuar mendimin e njerëzve të lirë të shtetit të vet, që i patën shqiptuar shumicën e vërejtjeve europiane para se ato të merrnin karakterin e një raporti zyrtar?

Në kuptimin klasik politik vota ndan shumicën dhe pakicën, të majtën dhe të djathtën dhe kjo është efekti i vetëm ndarës i ligjshëm në një votim të përgjithshëm. Nëse çështjen do ta thjeshtonim edhe ca, gjë që është e domosdoshme në gjykimin politik të punëve, atëherë vota duhej të ndante pjesën që jeton prej punës (të majtën) nga pjesa që jeton prej pronës (popullsinë rentiere, të djathtën).

Mund të thuhet se të gjitha ndarjet e mundshme ndodhën, vetëm kjo që ishte e vetmja e ligjshme nuk ndodhi. Për ndryshe, paradoksalisht, do të na duhej të besonim se pjesa më e pasur e popullit shqiptar jeton në Dibër e Kukës, ku kafeja, për shkak të "standardit të lartë", vazhdon të shërbehet me 20 lekë të vjetra si në vitin 1992!

Vota e 28 qershorit nuk ndau të majtët e të djathtët, të varfrit e të pasurit. Ajo riktheu në Shqipëri opozicione anakronike, që shumë njerëz, në mos idealistë, të paktën të motivuar për të ardhmen, i mendonin të tejkaluar. Fantazma e ndarjes veri-jug, toskë e gegë, që konsiderohej e mbyllur në muze, u shpreh me kontraste të forta ngjyrash kuqeblu, duke ndjekur pikërisht vijën e ndarjes etnografike të kohërave para-romantike, rrjedhën e Shkumbinit.

Në kuptimin e plotë të fjalës, patetizmi i lidershipit vendës se "nuk ka humbur askush, por ka fituar Shqipëria", është një mashtrim perfid, sepse vetëm Shqipëria nuk fitoi, përkundrazi, imazhi i saj u njollos, zyrtarisht e jozyrtarisht, përmes raporteve të vëzhguesve e përmes shkrimeve të kolegëve të huaj në shtypin e Perëndimit.

Vota që dhanë qytetarisht shqiptarët të dielën e shkuar dëshmoi se lidershipi i tyre aktual i përdori të gjitha mënyrat për t‘i ndarë, madje i përdori pa mëshirë: për t‘i ndarë nga pikëpamja krahinore; për t‘i ndarë në klane e ndikime "udhëheqësish popullorë", "trimash" e "boss-ësh"; për t‘i ndarë e vetëveçuar edhe sipas kriterit të prejardhjes apo të besimit. Prurja më e çuditshme e këtij procesi ishte shpërfaqja si organizatë politikisht e faktorizuar partia e bashkësisë së çamëve të shpërngulur, sikur ata të mos ishin shqiptarë si gjithë të tjerët.

Kur dëgjon "liderët e mëdhenj" që pohojnë pa asnjë ndjenjë vetëqortimi se një mandat na e shpëtuan (apo na e morën) "njerëzit e K. K" apo se "votat e mia në Myzeqe i mbrojti kreu i së djathtës" të duket sikur ky është një vend kaposh, që qeverisin me ligje të pashkruara, burra e gra kanuni, që marrin vota dhe marrin hak. Dhe mundohu të besosh pastaj se vendin e pret një qeveri integrimi. Cili integrim? A mund të përfytyrohet një proces i përshpejtuar bashkimi me Europën kur fati i interpretimit të vullnetit të popullit varet prej individësh autokratë, që sundojnë mjedisin si "lideri suprem" në Iran apo si Ten Hsiao Pini në Kinën e dikurshme; individë pa pushtet të ligjshëm, por me pushtet të vërtetë në jetën e vendit?

Më e pakta që mund të thuhet është se nuk duhet t‘i vëmë asnjë faj pasqyrës europiane që na u ofrua mirësisht për të parë veten; aq më pak paralajmërimit të tyre "shihemi pas katër vjetësh". Nuk ishte pasqyra ajo që shtrembëroi të vërtetën. Ishte vetë realiteti shqiptar pikërisht i refuzueshëm. A mund të jetë e denjë një Shqipëri krahinorisht e ndarë, me veriorë që u krekosen jugorëve dhe me jugorë që rrethojnë qendrat e numërimit të votave sepse nuk kanë besim tek ata që do të ndorojnë vullnetin e tyre; me grupime lokale popullatash që vetëveçohen për të mos ua lënë të tjerëve krahinën, "ishullin" zonal, bregun e lumit, selishtën e zallit, anën e këndejme të kanalit, dhe gjithfarë vetëpërcaktimesh parodike që vetëm në një vend që sheh nga Europa duke rrojtur me të shkuarën mund të ndodhë? Kjo prirje është kundër rrjedhave historike dhe kundër gjendjes së mendësisë europiane, por mbi të gjitha është kundër cilësisë së mendimit të lirë në Shqipëri. Dhe ajo që na u ofrua nga raporti më i fundmë i OSBE-së ditën e zgjedhjeve ishte ajo çka ishte parashikuar në fakt, të ish gjendja e atdheut tonë përballë atyre që na prisnin me ankth, në familjen e madhe europiane, një pasqyrë që u kris ngase mungonte një lidership jo vetëm politik, por dhe intelektual që demonstroi tërë kohës jo besueshmërinë e mjaftueshme të idealeve që përfaqësonin, pastërtinë e figurës, të vërtetën e pastër dhe sublime, iluminizmin e programeve që bëjnë turmat të vrapojnë e popullin të të votojë. Lidership që nuk la gjurmë individësh, por klanesh e shërbyesish! Për hir të së vërtetës, shumë prej qortimeve të rënda të vëzhguesve europianë janë nyjëtuar para tyre nga zëra të denjë të mendësisë europeiste në vend, por pa dobi: prej thirrjes që shtypi të mos i përziejë kufijtë me pushtetet dhe ironisë me entuziazmin e zonjave për të duartrokitur 30 për qindëshin, e deri te zërat e veçuar që partitë të krijojnë shumicë përmes motivimit prej së ardhmes, për të mos folur për ideale, sepse ato ende sot e gjithë ditën në Shqipëri duken jashtë realitetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›