Gjobiten 20 firma të gurit dekorativ
Pas urdhrit që Prefekti i Qarkut të Beratit u ka dërguar dy ditë më parë, katër institucioneve shtetërore, këta të fundit kanë ndërmarrë një operacion kontrolli në terren, në të gjitha firmat e nxjerrjes, përpunimit dhe tregtimit të pllakave të gurit dekorativ, në fshatin Novaj, të rrethit të Skraparit. Objekt i këtij operacioni kanë qenë dokumentacioni ligjor për kryerjen e këtij aktiviteti, deklarimi i fuqisë punëtore, kushtet teknike në të cilat ato punojnë, etj. Shkak, për lëshimin e urdhrit dhe ndërmarrjen e operacionit, është bërë ngjarja e rëndë e pak ditëve më parë, në subjektin "Qato-01", ku humbën jetën në mënyrë tragjike dy persona. Lili Tumani dhe Jani Pirgu, përkatësisht 52 e 41 vjeç, të dy banorë të Urës-Vajgurore, pas hetimeve të prokurorisë, rezultuan, se ishin të pa siguruar dhe punonin jashtë kushteve teknike, për të cilat, organi i prokurorisë mori në ndjekje penale pronarin e "Qato-01", Gentjan Qato. Burime pranë Prefektit të Qarkut Berat, thanë dje për gazetën, se ky operacion do të vazhdojë deri në disiplinimin e plotë ligjor të këtij aktiviteti, duke ndëshkuar çdo shkelje ligjore të konstatuar. Gjatë kontrollit janë gjetur shkelje. Për këtë janë aplikuar gjoba dhe janë përgatitur dosje penale për disa nga këto subjekte. Ndërkohë, burime zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave, sqaruan dje për gazetën, se vetëm gjatë ditës së parë të këtij operacioni janë marrë në kontroll mbi 20 subjekte private të nxjerrjes, përpunimit dhe tregtimit të pllakave të gurit dekorativ, ku janë konstatuar mungesa të dokumentacionit, për të cilat janë marrë masat e duhura ligjore dhe janë kapur në flagrancë 23 punonjës të pa siguruar. Drejtori i Tatim-Taksave Myslym Haxhia, tha se ndaj subjekteve që iu kapën punëtorë të pa deklaruar në sigurimet shoqërore u vendosën gjoba 10 mijë lekëshe dhe për një pjesë të tyre, që kanë qenë përsëritës, Sektori i antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë ka nisur procedimin penal, për organin e prokurorisë.