E Diel, 1 Nëntor 2026

Invalidët letër Berishës: Plotësoni kërkesat ose do të hyjmë në grevë

Jonida Tashi

Invalidët i janë drejtuar nëpërmjet një letre zyrtare kryeministrit të vendit, për të zgjidhur kërkesat e tyre. Lajmi bëhet i ditur nga Shoqata e invalidëve para dhe tetraplegjikë, drejtuesit e së cilës sqarojnë se prej dy ditësh kanë dërguar një shkresë zyrtare në adresë të kryeministrit Berisha dhe ministrit të Punës, Spiro Ksera. Nëpërmjet kësaj letre, invalidët kërkojnë që të zbatohet vendimi mbi ndihmën ekonomike të paaftësisë, si dhe për pagën e shoqëruesve të para dhe tetraplegjikëve.
Pagesa
Aktualisht ndihma që kjo kategori përfiton është 8700 lekë, nga 9800 lekë që duhet të marrin realisht. Zëvendëspresidenti i Shoqatës së invalidëve, Ali Plaka, pohon se kërkesa e tyre u është bërë me dije institucioneve përkatëse prej disa muajsh. “Vetë kryeministri ka miratuar që sa herë ngrihen rrogat buxhetore të punonjësve, ngrihet dhe rroga e invalidit para dhe tetraplegjik. Ne kemi që në korrik që vazhdojmë të marrim një ndihmë ekonomike prej 8700 lekësh, në të vërtetë na takon të marrim 9800 lekë. Nuk paska shteti 6 milion lekë të vjetra për ne? Ku është buxheti që na premtoi kryeministri?”, - ka deklaruar Plaka.
Greva
Invalidët paralajmërojnë se nëse kërkesa e tyre nuk do të marrë një zgjidhje konkrete nga qeveria, ata do të nisin protestat, që do të pasohen nga një grevë tjetër urie, pas asaj që u bë në mars të këtij viti, ku premtimet e bëra u realizuan pjesërisht. “Jemi gati të zhvillojmë protestat para Ministrisë së Punës, para Kryeministrisë për mos zbatim ligji. Neve do të marrim masat deri në grevë urie”,- thekson Ali Plaka. Kjo kategori njerëzish kanë kërkuar një paketë minimale për përballimin e kushteve të rënda të jetesës për shkak të aftësive të kufizuara. Janë rreth 3650 para dhe tetraplegjikë në të gjithë vendin, që shpesh kanë kërkuar t’u jepet zgjidhje kërkesave të tyre, ndërsa mungesa e vëmendjes nga shteti shpesh i ka detyruar të dalin në protesta deri në përshkallëzimin e tyre në grevë urie.

Ndihma ekonomike
Projektligji i ri, vlerësimi i paaftësisë të bëhet nga Ministria e Punës

Ministria e Punës kërkon nga qeveria që vlerësimi i personave që kërkojnë të marrin pagesën e aftësisë së kufizuar të bëhet nga dy dikaster. Duke marrë shkas nga situata e krijuar, ku numri i personave që e përfitojnë një pagesë të tillë në vendin tonë është rritur ndjeshëm, Ministria e Punës propozon t’i përcaktojë vetë personat me aftësi të kufizuar, që duhet të trajtohen me pagesë. Në bazë të Ligjit Nr.7703 “Për Sigurimet Shoqërore në RSH”, i ndryshuar, janë ngritur dhe funksionojnë 12 komisione të caktimit të paaftësisë (KMCAP) pranë drejtorive rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH) dhe 2 degëve të sigurimeve në rrethe. Në këto komisione përveç invalidëve të punës, vlerësohen edhe personat me aftësi të kufizuar të lindur ose bërë të tillë për shkaqe që nuk lidhen me punësimin, të cilët, sipas këtij ligji, përfitojnë pagesën e aftësisë së kufizuar. Numri i përfituesve është rritur në mënyrë të ndjeshme për arsye të: ndërgjegjësimit të popullsisë; grupit më të mirë të personave sipas diagnozave të aftësisë së kufizuar; keq administrimit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar. Nisur nga kjo, në projektligj propozohet që vlerësimi i aftësisë së kufizuar të mos jetë vetëm mjekësor, por të jete multidisiplinar dhe të kryhet nga strukturat e Ministrisë së Punës. Efekti financiar për
ristrukturimin e sistemit të vlerësimit është 96 milionë lekë. Si rezultat i decentralizimit dhe transferimit të institucioneve rezidencialë të përkujdesit në vartësi të qeverisjes vendore është evidentuar një fenomen i ri që lidhet me nevojën e ngritjes së shërbimeve rezidenciale për disa grupe specifike, si: fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja, trajtimi i personave me aftësi të kufizuara, etj., të cilat plotësojnë nevojat në nivel kombëtar. Për këtë arsye, propozohet që në ligjin ekzistues të shtohet shprehja: “Shërbimi Social Shtetëror administron shërbime shoqërore për individët në nivel kombëtar”. Ky përmirësim krijon mundësinë që Shërbimi Social Shtetëror të mund të administroj shërbime sociale të përkujdesit të këtij karakteri. Në projektligj parashikohen disa përmirësime që synojnë garantimin e përfshirjes dhe mosdiskrimimin, duke mbështetur me prioritet disa grupe vulnerabël si: fëmijët, gratë e vetmuara, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët të cilëve u është hequr e drejta prindërore apo vuajnë dënime të gjata etj.

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›