E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku i punës, Këshilli i Ministrave miraton projektligjin “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”

Miratohet projektligji “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”. Tashmë punëdhënësit janë të detyruar të marrin masa parandaluese për të siguruar jetën dhe shëndetin e punëmarrësve. Miratimi i këtij projektligji është bërë ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Projektligji “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë” është hartuar nga Ministria e Punës dhe ka për objekt garantimin e sigurisë dhe shëndetit në punë të punëmarrësve dhe përcaktimin e përgjegjësive të punëmarrësve për të arritur një nivel të përshtatshëm të mbrojtjes së shëndetit të punonjësve ndaj rreziqeve në punë, duke hartuar masa koherente, të koordinuara dhe efikase për parandalimin e rreziqeve në punë. Po ashtu është parashikuar ngritja për herë të parë dhe funksionimi i shërbimeve të mbrojtjes dhe parandalimit si dhe Këshillit të Sigurisë dhe shëndetit. Këto struktura do të shërbejnë për zbatimin e masave parandaluese dhe pjesëmarrjen e balancuar të punëmarrësve në hartimin e dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rreziqeve që burojnë nga puna. Një tjetër risi është detyrimi i punëdhënësve për të hartuar dokumentin e vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, i cili përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjiene-sanitare, të cilat do të zbatohen sipas kushteve specifike të vendeve të punës të aktivitetit. Projektligji parashikon që çdo punëdhënës i një subjekti publik apo privat, vendas apo i huaj, fizik apo juridik është i detyruar të mbulojë me shërbim mjekësor në punë, nëpërmjet mjekut të punës. Një tjetër parashikim është ai, që në rastet e aksidenteve në punë, si dhe të sëmundjeve profesionale punëdhënësi është i detyruar të njoftojë menjëherë Inspektoratin e Punës, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, organet e Prokurorisë, etj. Një tjetër e re e këtij projektligji është klasifikimi në katër shkallë i aksidenteve, duke u bazuar në pasojat që shkakton aksidenti dhe numrin e personave të dëmtuar.

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›