E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i Bolonjës, Tafaj e Kule: Kusht për tu renditur përkrah universiteteve evropiane

Aplikimi i sistemit të Bolonjës për vendin tonë është konsideruar nga drejtuesit e Arsimit si një nga kushtet për t’u renditur përkrah universiteteve evropiane. Kjo ka qenë deklarata e bërë dje nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, në aktivitetin e organizuar nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, në thelbin e të cilit qëndronte Karta e Bolonjës dhe zbatimi i saj në Fakultetin e Ekonomisë. Në të njëjtën linjë me ministrin e Arsimit ka qenë dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili u shpreh se studentët që lenë auditorët, tani janë më cilësorë se ata të sistemit të vjetër 4-vjeçar. Edhe pse arsimi i lartë është masivizuar, sipas Kules, ai po plotësohet me cikle të tjera studimi të cilat më parë kanë munguar. Në këtë mënyrë Tafaj dhe Kule, pavarësisht konflikteve mes studentëve dhe drejtuesve të arsimit, të shkaktuara nga aplikimi i sistemit të Bolonjës, kanë hedhur poshtë problemet që studentët po hasin me këtë sistem studimi. Sistemi i Bolonjës po hyn në vitin e dhjetë të tij të aplikimit nga vendet evropiane. Ai ka filluar të zbatohet që nga viti 1999, kur në Bolonja u nënshkrua marrëveshja për zbatimin e sistemit tre plus dy.

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›