Studimet e pjesshme, UT nxjerr listat e fituesve sipas fakulteteve
Jonida Tashi
Universiteti i Tiranës publikon zyrtarisht fituesit e studimeve me kohë të pjesshme, për fakultetet ku ishte bërë vetëm renditja e tyre sipas mesatares. Më konkretisht bëhet fjalë për kandidatët që kanë aplikuar për të vijuar studimet e larta me sistemin e pjesshëm të studimeve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për degën Biologji, në Fakultetin Ekonomik për degët Financë dhe Biznes, në Fakultetin e Drejtësisë për degën Juridik dhe në Fakultetin e Histori-Filologjisë për degët, Gjuhë-Letërsi, Histori, Gjeografi.
Regjistrimi
Pas daljes së emrave fitues, këta të fundit duhet të kryejnë procedurën e regjistrimit pranë sekretarive të fakulteteve përkatëse, duke paraqitur vetëm Dëftesën origjinale të shkollës së mesme. Kandidatët që nuk do të paraqiten për regjistrim, pasi kanë fituar në fakultete të tjera do të lenë vendin bosh dhe në këtë mënyrë do të ketë plotësim të kuotave, duke spostuar listën e fituesve në bazë të mesatares, sipas renditjes së publikuar para pak ditësh nga Rektorati i Universitetit të Tiranës. Ndërsa regjistrimi i kandidatëve për transferim studimesh do të kryhet pas shpërndarjes nga Ministria e Arsimit, të kuotave të përcaktuara. Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, universitetet do të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit në datën 22 dhjetor, listat përfundimtare të kandidatëve fitues të regjistruar. Kuotat e pranimeve që do të mbeten të parealizuara, do të rishpërndahen sipas universiteteve dhe programeve të ndryshme të studimit nga Ministria e Arsimit.
17 Dhjetor 2009