E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidët protestojnë para Bashkisë për transportin urban

Emanuela Sako
Shoqata e invalidëve ka protestuar sot përpara Bashkisë së Tiranës për vështirësitë që janë shfaqur kohën e fundit në transportin urban. Kjo çështje muajt e fundit ka hapur debat mes Shoqatës së Transportit Urban, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Transporteve dhe qytetarëve të Tiranës, të cilët nuk janë dakord me rritjen e çmimit të biletës. Për këtë arsye, Kryebashkiaku, Edi Rama u është përgjigjur protestuesve se diskriminimi i tyre në transportin qytetas vjen nga siguria e librezave që janë aktualisht në përdorim. Rama, siguroi se duke nisur që nga 4 janari, invalidët do të pajisen me libreza të reja, që në përbërjen e tyre do të ketë elementë të lartë sigurie. Prej disa muajsh Shoqata e Transportit Urban i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës që të rrisë cmimin e abonesë deri në 50 lekë. Madje ka kërcënuar se në fillim të janarit nuk do të lejojë asnjë qytetar që të lëvizë me urban me biletë, abone apo dokumenta të tjera që lejohet lëvizja falas. Përdorimi në masë i aboneve nga udhetarët që përdorin shërbimin urban në kryeqytet, sidomos vënia në përdorim nga ana e Bashkisë së Tiranës të aboneve të përgjithshme, atyre të studentit dhe të librezave të ndryshme që sigurojnë udhëtimin falas për disa kategori qytetarësh, janë problemi më i madh për operatorët privatë. Këta të fundit kanë kohë që po diskutojnë mundësinë e heqjes ose më mirë të mosnjohjes së aboneve në linjat e tyre. Kjo për arsye se abonetë e shumta në qarkullim, që tashmë shiten edhe nëpër pikat e tregtimit të gazetave dhe revistave, kanë ulur ndjeshëm fitimet bruto të firmave të urbanëve në Tiranë. Për këtë, kreu i Shoqatës së Operatorëve të Transportit Urban, Ibrahimi, ka kërkuar që të hiqen nga tregu të gjitha abonetë, sidomos ato të përgjithshmet, por të ekzistojnë vetëm abone që shpërndahen nga vetë operatorët urbanë. Të gjitha pretendimet e Shoqatës së Operatorëve urbanë janë dërguar prej kohësh në Bashkinë e Tiranës dhe bashkë me to edhe kërkësa për të shtrenjtuar çmimin e biletave.

18 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›