E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika shqiptare përshëndet njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi dhe nga Maqedonia



Qeveria shqiptare, Presidenti i Republikës dhe kryetarja e Kuvendit kanë përshëndetur dje njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi dhe nga Maqedonia. Gjatë një deklarate për shtyp Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e cilësoi vendimin e shteteve fqinje, Malit të Zi dhe Maqedonisë, një gjest të shumëpritur dhe mjaft të rëndësishëm për zhvillimet e perspektivës së marrëdhënieve në rajonin tonë ballkanik. “Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Malit të Zi dhe nga Republika e Maqedonisë është jo vetëm një lajm mjaft i mirë që i kontribuon stabilitetit në rajonin ballkanik, por, nga ana tjetër, unë besoj që do të ndikojë ndjeshëm edhe në rritjen e ndjeshmërisë të vendeve që janë më larg nga rajoni ballkanik për të marrë vendimin e duhur, të mirëpritur për njohjen nga sa më shumë vende të pavarësisë së Kosovës”, - është shprehur Topi. Ai theksoi se Shqipëria vlerëson stabilitetin në rajonin ballkanik, mënyrën e moderuar të sjelljes së lidershipit politik në të gjitha këto vende që kanë bërë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Po kështu Topi vlerësoi dhe sjelljen e lidershipit politik të Kosovës, të të gjitha institucioneve, të cilat, sipas tij, po japin shembuj të qartë të ndërtimit të një shteti mbi bazat e multietnicitetit.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë e ka përshëndetur vendimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës dhe e konsideron atë si një hap të rëndësishëm e të përgjegjshëm që bëhet në kohën dhe drejtimin e duhur. “Njohja zyrtare prej tyre e shtetit më të ri të Europës, vetëm një ditë pas miratimit në OKB të nismës së Serbisë për të kërkuar mendim këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, dëshmon se pavarësia e saj është një realitet i pakthyeshëm”, - bën të ditur Ministria e Jashtme në njoftimin zyrtar.

Ministri Anastas Duro betohet në Presidencë, mungon Berisha

Ministri i ri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, bëri dje betimin përpara Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në ceremoninë zyrtare të rastit, të organizuar në mjediset e Pallatit të Brigadave, ishin të pranishëm kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, deputetët e kësaj partie, Leonard Solis dhe Spiro Peçi dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të formulës së betimit, si dhe të dekretit të emërimit, Anastas Duro u betua përpara Presidentit të Republikës, i cili, nga ana e tij, i shprehu ministrit të ri urimet më të mira për suksese në përmbushjen e detyrës shumë të rëndësishme. Në këtë ceremoni ashtu si edhe në raste të tjera mungonin kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›