Bojaxhi “Ende nuk ka filluar per kreun e PD-se”
Eljona Ballhysa
Gjergj Bojaxhi është në pritje të momentit të duhur për të shpallur ose jo kandidaturën për kreun e PD-së së degës së Tiranës. I kontaktuar nga gazeta “Albania”, Bojaxhi ka bërë të ditur se gara nuk ka filluar ende dhe se ai nuk mund të thotë ende as po dhe as jo për postin e kryetarit të degës së Tiranës. Një përgjigje e tillë nënkupton se Bojaxhi nuk e mohon mundësinë e kandidimit të tij për këtë post të rëndësishëm politik të selisë “blu”. Ai lë të hapur mundësinë se do të jetë pjesë e garës dhe se vendimi për këtë pritet të merret në një moment më të përshtatshëm politik.
Sfida
Vetëm pak ditë më parë, kandidati i shpallur publikisht, Besnik Mustafaj, u shpreh se nëse përballë tij do të jetë Bojaxhi, ai është fitues. Ish-ministri i Jashtëm, megjithëse ka vlerësuar figurën e Bojaxhiut, duke e cilësuar të qytetëruar dhe me vlera, ai ka shprehur bindje se është fitues para tij. “Unë nuk e kam dëgjuar zotin Bojaxhi të ketë deklaruar publikisht se do të jetë kandidat për kryesinë e PD-së së Tiranës, por mendoj se zoti Bojaxhi është një vlerë në PD dhe do të mendoja se, nëse do të ishte zoti Bojaxhi, unë jam i sigurt se fushata do të jetë shumë moderne, pasi do të jetë një ballafaqim platformash, do të jetë e qytetëruar, do të jetë civile. Unë besoj se do të fitoj, por pavarësisht nga kjo, përsëri mendoj se PD-ja, në rivalitetin e saj brenda konkurrencës, brenda personaliteteve të saj duhet të fusë një frymë të re moderne”, - është shprehur Mustafaj vetëm pak ditë më parë.
Zgjedhjet
Me gjithë deklaratat publike për fillimin e një fushate zgjedhore brenda selisë “blu”, duket se ende kjo parti po heziton të nisë një fushatë konkrete. Nga njëra anë drejtuesit e partisë bëjnë të ditur për fillimin e punës për riorganizimin e strukturave të partisë në rrethe, nga ana tjetër kandidatët për kryetarë ende mendojnë se gara nuk ka filluar, madje janë të paqartë për rregullat e garës. Vetëm pak kohë më parë Kryesia qendrore e Partisë Demokratike zhvilloi një mbledhje në të cilën miratoi disa ndryshime në statutin e partisë. Kështu, kryesia vendosi shkrirjen e nëndegëve të partisë në rrethe dhe riorganizimin e strukturave në bazë të seksioneve, grupseksioneve, degëve dhe qarqeve. Shkrirja e nëndegëve shmang zhvillimin e zgjedhjeve në bazë të parimit “një anëtar, një votë” dhe rikthen variantin e vjetër të zgjedhjes së kryetarëve të degëve. Ky variant parashikon që seksionet e partisë dhe grupseksionet të propozojnë emra kandidatësh për kryetarë të degëve. Emrat e kandidatëve merren në shqyrtim nga Kryesia qendrore e Partisë Demokratike. Kjo e fundit, pas diskutimesh dhe verifikimesh, i dërgon sërish grupseksioneve, të cilat janë strukturat e partisë në bazë, emrat e dy ose tre kandidatëve. Më pas mblidhen kryesitë e grupseksioneve, të cilat votojnë midis këtyre kandidaturave që janë propozuar nga Kryesia qendrore e partisë. Pikërisht kjo do të jetë procedura që do të ndiqet për të zgjedhur kryetarin e degës së Tiranës, ku pritet të ketë një “luftë” kandidaturash për shkak të rëndësisë politike që ka ky post në kryeqytet.
Marti Ahtisari nderohet më çmimin “Nobel” për Paqen
Çmimi prestigjioz “Nobel” për Paqen i është dhënë ish-presidentit të Finlandës, Marti Ahtisari, për punën e tij në negocimin e zgjidhjeve paqësore nga Kosova në Nigeri. Komiteti norvegjez i Çmimit “Nobel” vuri në dukje se përpjekjet e zotit Ahtisari gjatë një periudhe mbi 30-vjeçare kanë kontribuar drejt një bote më paqësore. Ky komitet thotë se 71-vjeçari Ahtisari hartoi një plan që Kosovës t’i jepej pavarësia e mbikëqyrur nga komuniteti ndërkombëtar, plan që po zbatohet. Komiteti i Çmimit “Nobel” tha se ish-presidenti finlandez luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në arritjen e pavarësisë së Namibisë në vitin 1990. Komiteti i Çmimit “Nobel” tha se shpreson që njerëz të tjerë të mund të frymëzohen nga përpjekjet dhe arritjet e tij. Vitin e kaluar, çmimi “Nobel” i Paqes iu dha ish-presidentit amerikan Al Gor dhe një komisioni të Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike për punën e tyre për të paralajmëruar botën ndaj kërcënimeve të ngrohjes globale.
Qeveria ul 20% tarifat e programeve të studimeve të larta
Qeveria miratoi gjatë mbledhjes së djeshme uljen me 20 për qind të tarifave për të gjitha programet e studimeve të larta të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë për vitin akademik 2008-2009. Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se "qeveria e tij do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet për të mbështetur arsimin, i cili është një nga prioritetet më madhore të qeverisë". Qeveria miratoi dje një sërë vendimesh për hapjen e programeve të studimeve “Master” i nivelit të parë dhe i nivelit të dytë për vitin akademik 2008-2009, në disa universitete publike të vendit si në Universitetin Bujqësor në Kamzë, “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, “Fan Noli” në Korçë, “Ismail Qemali” në Vlorë, si dhe në Universitetin Shtetëror të Tiranës.
11 Tetor 2008