Invalidët, rëndohet shëndeti i një grevisti
Në ditën e dytë të grevës së urisë të tetra dhe paraplegjikëve është rënduar gjendja shëndetësore e njërit prej grevistëve. Mësohet se dje është rënduar gjendja shëndetësore e Sal Paçit, i cili nuk është person me aftësi të kufizuara, por ka hyrë në grevë në vend të bashkëshortes së tij, e cila është e shtruar në spital. Menjëherë Sal Paçi është dërguar në spital, pasi ka pasur probleme me tensionin. Por, edhe pse një nga grevistët është çuar me urgjencë në spitalin civil për të marrë mjekim, ata kanë theksuar se nuk do të dalin nga greva derisa të plotësohen kërkesat e tyre. “Ne nuk do të largohemi nga greva derisa të vijnë të na japin një rrugëzgjidhje. Greva jonë është pa shkëputje”, - deklaroi një prej grevistëve. Ditën e enjte 21 persona me aftësi të kufizuar vendosën të hynin në grevë urie, për të plotësuar kërkesat e tyre. Ata kërkojnë rritjen e paketës higjieno-sanitare, rritjen e masës së karburantit që përfitohet, duke e çuar në 80 litra në muaj, një rritje page për kujdestarët dhe njohja e siguracioneve të tyre janë kërkesat e para dhe tetraplegjikëve drejtuar qeverisë. “Për shërbimin e njeriut 150 mijë lekë minimalja, sepse nuk na shërben njeri me 90 mijë lekë”, - pohon një prej grevistëve. “Duam 80 litra karburant, sepse nuk mund të lëvizim. Ka shumë persona nga ne që janë pa shtëpi dhe banojnë nëpër shtëpi me qira, që nuk kanë asnjë akses për pozicionin tonë. Kërkojmë që shteti të japë shtëpi falas për këtë komunitet”, - thekson një tjetër. Por, me gjithë vendosmërinë e tyre për të çuar deri në fund grevën e nisur, deri në ditën e dytë të saj, për ta nuk ka pasur asnjë reagim nga strukturat përkatëse të shtetit. Aktualisht, në vendin tonë numërohen 5180 persona me aftësi të kufizuara, ndërsa vetëm në kryeqytet janë 1900 para dhe tetraplegjikë.