Invalidët, të paushqyer edhe natën e Vitit të Ri
Tiranë- Viti 2011 po mbaron me një surprizë të hidhur për shtresat më nevojtare të shoqërisë, invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar. Prej disa muajsh në shumë rrethe të vendit qeveria nuk ka bërë pagesat e kësaj kategorie, e cila jeton vetëm falë ndihmës që merr nga buxheti. Lajmi konfirmohet edhe nga vetë shoqata e invalidëve të punës.
Presidenti i saj Abdullah Omuri thotë se në disa rrethe si Durrësi apo edhe Puka invalidët kanë mbi dy muaj që nuk marrin pagesën nga buxheti, ndërsa në qarqet e tjera të vendit pagesat janë vonuar mbi një muaj.
Teksa festa e fundvitit po afron, invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuara, ka gjasa që këtë vit jo vetëm të mos festojnë, por të mbesin pa minimumin jetik të të ardhurave të domosdoshme për kurim apo shpenzimet e tjera të nevojshme. Shoqata thotë se nga komunikimet që ka patur me drejtues të Ministrisë së Financave u është thënë se nuk ka fonde.
Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave thanë se fondi është lëvruar i tëri që në fillim të vitit, por zyrtarët e bashkive dhe komunave, që administrojnë këto fonde, thonë se nuk i kanë marrë. Megjithatë buryime jo zyrtare pohojnë se zyrtarët lokale, në prag të zgjedhjeve vendore, për aryse elektorale, kanë futur në listat e përfituesve shumë familje e persona që nuk u takojnë të paguahet duke shpenzuar kështu të tërë fondin. Dhe duke lënë pa pagesa edhe ata që janë vërtet invalidë.
Vonesat në pagesat për personat me aftësi të kufizuar marrin trajtën e një skandali, gati ç’njerëzor, në kohën kur qeveria po kryen shpenzime të tjera, të cilat nuk janë aq urgjente sa ndihma për mbijetesë. Pak ditë më parë qeveria tha se do të ndajë këtë javë 8 milionë dollarë si kompesim për ish-pronarët, ndërkohë që për personat me aftësi të kufizuar, ata të cilët mbijetojnë vetëm në sajë të ndihmës që marrin nga buxheti, pagesat shtyhen.
Shkrime të tjera me interes:
- Festat e fundvitit- Invalidët dhe pensionistët pa “gjelin e detit” në tryeza Tiranë- Personat me aftësi të kufizuar nuk do të marrin...
- PAK, Arvizu: Reforma për rritjen e shanseve për punësim Tiranë- Ambasadori i Shtetëve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë,...
- Mbërritja e verës në Australi, festohet natën me sërf Australi- Ndërsa jemi veshur të gjithë trashë dhe po përballemi...