E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidët letër Berishës: Plotësoni kërkesat ose hymë në grevë

TIRANË- Shoqata e invalidëve para dhe tetraplegjikë që prej dy ditësh kanë dërguar një shkresë zyrtare në adresë të kryeministrit Berisha dhe ministrit të Punëve dhe cështjeve sociale Spiro Ksera.

Në përmbajtje të kësaj letre, kërkohet të zbatohet vendimi mbi ndihmën ekonomike të paaftësisë, si dhe për pagën e shoqëruesve të para dhe tetraplegjikëve.

Aktualisht ndihma që ky target grup merr është 87 mijë lekë të vjetra, nga 98 mijë lekë të vjetra që duhet të marrin realisht.

Sic thekson zv/presidenti i shoqatës së invalidëve, Ali Plaka kërkesa e tyre u është bërë me dije institucioneve përkatëse prej disa muajsh.

“Vetë kryeministri ka miratuar që sa herë ngrihen rrogat buxhetore të punonjësve, ngrihet dhe rroga e invalidit para dhe tetraplegjik. Ne kemi që në korrik që vazhdojmë të marrim një ndihmë ekonomike prej 87 mijë lekësh, në të vërtetë na takon të marrim 98 mijë lekë të vjetra. Nuk paska shteti 6 milion lekë të vjetra për ne? Ku është buxheti që nga premtoi kryeministri?”

Nëse kërkesa e tyre do të mbetet në sirtar pa marrë një zgjidhje konkrete, invalidët paralajmërojnë protesta e deri në një grevë tjetër urie, pas asaj që u bë në mars të këtij viti, ku premtimet e bëra u realizuan pjesërisht.

“Jemi gati të zhvillojmë protestat para ministrisë së Punës, para kryeministrisë për mos zbatim ligji. Neve do të marrim masat deri në grevë urie”, thekson Plaka.

Kjo kategori njerëzish kanë kërkuar një paketë minimale për përballimin e kushteve të rënda të jetesës për shkak të aftësive të kufizuara. Janë rreth 3650 para dhe tetraplegjikë në të gjithë vendin, që shpesh kanë kërkuar tu jepet zgjidhje kërkesave të tyre, ndërsa mungesa e vëmendjes nga shteti shpesh i ka detyruar të dalin në protesta deri në përshkallëzimin e tyre në grevë urie.
(m.a/News24-BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›