E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvajti, gati investimet në Shqipëri

• Kuvajti do të jetë më shumë i pranishëm në Shqipëri përmes investimeve.Adi ShkëmbiPremtimin e bëri dje në Tiranë kryeministri i Kuvajtit, Sheik Naser AL Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha. Pas një takimi kokë më kokë mes tyre, i cili zgjati rreth 40 minuta, dy delegacionet biseduan për rreth 15 minuta mes tyre dhe më pas u nënshkruan shtatë marrëveshje bashkëpunimi. Një delegacion nga Kuvajti, i kryesuar nga kryeministri, kanë nisur një vizitë treditore në vendin tonë. Në konferencën për shtyp kryeministri i Kuvajtit u shpreh, se ai ka ardhur në Shqipëri bashkë me përfaqësues të lartë të Dhomës së Tregtisë, çka do të thotë sipas tij, se sektori privat kuvajtian do të investojë në Shqipëri. "Ne e dimë që në Shqipëri janë të pranishëm një ose dy sektorë, por ne dëshirojmë që këtu të jenë të pranishëm të gjithë sektorët e tjerë për të bërë investime të ndryshme dhe jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Në qytetet e mëdha mund të ndërtojnë më shumë, por në zona të tjera mund të zhvillojmë më shumë turizmin. Në lidhje me zonat malore, do të na falni, pasi ne nuk jemi shumë të mësuar me zonat malore, por mendoj se sektori ynë privat do të shkojë edhe në zonat malore. Kur garancitë kushtetuese për investimet e huaja janë, do të shikoni se investitorët kuvajtianë do të jenë në Shqipëri", u shpreh kryeministri i Kuvajtit. Nga ana tjetër kryeministri u ka sugjeruar investitorëve kuvajtianë të shikojnë Shqipërinë si një mundësi reale për të investuar. Sipas Berishës, nga 1 janari Shqipëria bëhet vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë. "Dua t'i siguroj ata se kanë mbrojtje të plotë kushtetuese dhe ligjore për investimet e tyre dhe se Shqipëria në tërësi është një "Win win story" për investitorët. Shqipëria ka një legjislacion shumë të mirë dhe ajo që është më e rëndësishme më 1 janar ne do të jemi vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë", u shpreh Berisha. Në këtë konferencë Berisha dhe Sheik Naser AL Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, si dhe lidhjet e vjetra mes dy popujve. Kryeministri i Kuvajtit kujtoi në të njëjtën kohë edhe vizitën e kryeministrit Berisha, në vitin 1992 në Kuvajt, si president i vendit. "Të kujtojmë edhe një herë vizitën që ju i bëtë Emirit të Kuvajtit, në vitin 1992 kur ju ishit president dhe për bisedimet shumë të frytshme që ju keni pasur me të. Shqipëria nuk është shumë lag me ne, vetëm 4 orë e 10 minuta. Ne nuk duhet të mendojmë që jemi në distancë të largët mes njëri-tjetrit, që ne jemi në Azi dhe ju në Evropë. Ndjenjat që popujt tanë kanë për njëri-tjetrin na mbajnë ne së bashku", theksoi kryeministri kuvajtian. Ndërsa nga ana e tij kryeministri Berisha tha, se "Ne i jemi mirënjohës vendit tuaj për të gjithë mbështetjen e fuqishme që na ka dhënë që nga fillimi i viteve '90 e deri më sot. Vendi juaj mik ka qenë një nga vendet e para që kam vizituar në Azi. Ruaj kujtimin më të mirë nga i ndjeri, Emiri Al Sabah, i cili me bujarinë e tij dhe ndjenjat miqësore ndihmoi shumë për kapërcimin e vështirësive të asaj periudhe".Marrëveshjet e nënshkruara• Marrëveshja mbi vendosjen e komitetit të përbashkët të bashkëpunimit.• Memorandum Mirëkuptimi për konsultim dypalësh midis dy Ministrive te Jashtme• Marrëveshja për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Teknik• Marrëveshja mbi inkurajimin dhe mbrojtjen reciproke te investimeve• Marrëveshja mbi bashkëpunimin Turistik• Marrëveshja mbi Kulturën dhe Artin• Marrëveshja midis Dhomave Të Tregtisë përkatës"SHBA e BE, pro paketës Ahtisari"Kryeministri Berisha tha dje, se SHBA-ja dhe BE-ja janë pro paketës Ahtisari për pavarësinë e Kosovës. "SHBA-ja, siç u shpreh qartë presidenti Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë më 12 qershor, mbështesin tërësisht dhe plotësisht pavarësinë, si zgjidhja e vetme që jep paqe dhe stabilitet në rajon. Zhvillim tjetër shumë pozitiv është fakti se vendet e Bashkimit Evropian janë të bashkuara në qëndrimin e tyre", tha Berisha."Bota më e lirë pa Sadamin dhe Millosheviçin"Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Berisha u shpreh, se bota është më e lirë sot pa Sadam Hysein dhe ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Milloshevic. "Ne kemi mbështetur plotësisht ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Irak, sepse, në bindjen tonë, bota pa Sadam Husein është shumë më e lirë dhe e sigurt dhe kështu është edhe pa Sllobodan Millosheviç. Ndaj kemi bërë vetëm detyrën", tha Berisha."Pro pavarësisë së Kosovës"Kryeministri i Kuvajtit, Sheik Naser AL Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, tha dje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, se vendi i tij do të votojë pro pavarësisë së Kosovës si në Konferencën Islamike, ashtu edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave shqiptare lidhur me këtë çështje, kryeministri i Kuvajtit u shpreh, se "Ne kemi diskutuar për këtë çështje, e cila është ende duke u diskutuar në Këshillin e Sigurimit. Shpresojmë që të kalojë në Asamblenë e Përgjithshme dhe vota jonë do të jetë gjithmonë pro, do të jetë pozitive", u shpreh dje kryeministri i Kuvajtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›