E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minoritetet, aktorët në tryezë për diskriminimin

 

Diskrimiminimi i minoriteteve dhe projektligji i ri për trajtimin e tyre. Këto ishin temat kyçe të takimit të djeshëm, organizuar nga Forumi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, në bashkëpunim me Unionin e Egjiptianëve të Ballkanit. I zhvilluar me tematikën “Pjesëmarrja efektive e komuniteteve etnike, e prekshme nga diskriminimi radikal në jetën publike të Ballkanit Perëndimor”  ai solli në qendër të vëmendjes një sërë diskutimesh e statistikash lidhur me minoritetet në Shqipëri dhe diskriminimit që ju bëhet atyre. Në këtë pikë, një vëmendje e veçantë ju kushtua edhe projektligjit më të fundit kundër diskriminimit të minoriteteve të caktuara, i hartuar nga Forumi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut. Prezentë në këtë takim, përmes përfaqësuesve të tyre, ishin një sërë organizatash dhe institucionesh të interesuara si Ministria e Jashtme, Ministria e Arsimit, shoqata të ndryshme të minoriteteve arumune, egjiptiane, rome, si dhe Ambasadori i Rumanisë. Ajo që në fakt u bë objekt bisede ishte deklarata e përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme në sektorin që merret me minoritetet, Qirjako Qirko, i cili dha një panoramë të gjerë lidhur me minoritetet në Shqipëri dhe ndarjen e tyre në dy grupime, në kombëtare dhe gjuhësore. Kjo në fakt mjaftoi që fjalën ta merrnin me radhë përfaqësues të komunitetit egjiptian, të cilët shfaqën pakënaqësitë e tyre lidhur me përcaktimin e tyre, si minoritet linguistik dhe jo etnik. Edhe sekretari i Shoqatës Arumune në Shqipëri, Robert Çollaku, theksoi se minoritetet e përcaktuara si gjuhësore janë ato që vuajnë diskriminim më të madh në Shqipëri, duke qenë se shteti nuk i përkrah aspak në asnjë iniciativë, qoftë kjo për arsimim, ashtu edhe kulturor. Ndërsa nga kampi rom përfaqësuesit e tyre kanë ngritur si problematikë mungesën e shkollave për 270 nxënës romë në zonën e Korçës. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, e cila ka vetëm tre ditë në këtë post, është shprehur e gatshme për të ndihmuar këtë komunitet lidhur me problemet e arsimit. Në fund ai që kritikoi ashpër qeverinë shqiptare për qëndrimin ndaj komuniteteve minoritare ka qenë Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Viorel Stanila, i cili u shpreh se nëse Shqipëria synonte integrimin duhet të bëjë një sërë përmirësimesh për sa i përket trajtimit të minoriteteve dhe duhet të zbatojë ashtu siç duhet konventat që ka ratifikuar.                                                    n.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›