Tirana zyrtare vlerëson zgjedhjet në Kosovë: Shqiptarët treguan dhe njëherë se dinë të respektojnë standardet demokratike
- Rezultatet paraprake të KQZ-së nxjerrin fitues Thaçin. PDK deklaron fitoren
- Kontestimet e para vijnë nga AAK: Zgjedhjet, larg standardeve të kërkuara
- BE: Të ndëshkohen shkelësit e ligjit
- Vetëvendosja vazhdon të konsolidohet si forcë e tretë politike me 13% të votave
UPDATE- Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto dha një konferencë për shtyp pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë. Në këtë konferencë për shtyp, ministri Haxhinasto vlerësoi qetësinë dhe rregullin me të cilat u zhvilluan zgjedhjet e fundit në Kosovë. “Këto janë zgjedhje historike pasi janë zgjedhjet e para që zhvillohen pas pavarësimit të saj. Së dyti desha të vlerësoj pjesëmarrjen e lartë në këto votime si shprehje e asaj përzgjedhje që ka bërë çdo etni dhe komunitet në Kosovë, përzgjedhje që do të thotë që të gjitha problemet e saj do të zgjidhen nëpërmjet angazhimit konkret në jetën atje dhe nëpërmjet përfaqësimit politik në institucionet legjitime të Kosovës. Ndërsa presim të krijohen institucionet e dala nga këto zgjedhje, dëshiroj të garantoj qeverinë e re të Kosovës dhe popullin kosovar se Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e madhe për zhvillimet atje, do të jetë një mbështetëse e madhe për vazhdimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe, gjithashtu, do të jetë e gatshme dhe e angazhuar plotësisht për të zhvilluar marrëdhënie dypalëshe në të gjitha fushat me qëllim që edhe Kosova dhe rajoni të integrohen sa më shpejt ne BE”- u shpreh kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto. Një vit më parë, edhe Shqipëria zhvilloi zgjedhjet parlamentare, duke dëshmuar një pjekuri të theksuar demokratike, në respektimin e ligjit dhe rekomandimeve të opinionit ndërkombëtar. Prandaj, zgjedhjet e së dielën në Kosovë, sprovuan dhe njëherë karakterin evropian të qytetarëve shqiptarë në respektimin e normave dhe standardeve më të larta demokratike.
PDU
Partia Drejtësi dhe Unitet përshëndet zgjedhjet e ditës së djeshme në Kosovë dhe sensin e pjekurisë dhe maturisë që shqiptarët e Kosovës ruajtën, duke votuar si qytetarë evropianë. Vota e djeshme do t’i ndihmojë bashkëkombasit tanë në Kosovë në procesin e liberalizimit të shpejtë të vizave. PDU dëshiron të urojë të gjitha forcat politike në Kosovë për rezultatet e arritura dhe shpreson që legjislatura që nis të jetë ajo e axhendës së Kosovës në strukturat evropiane dhe NATO-s dhe e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë me Shqipërinë.
Rezultatet paraprake, PDK-ja avancon me 31% të votave, LDK-ja 26%, të ndjekura nga "Vetvendosja" me 13%
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” bën publikimin e rezultateve pas numërimit të më shumë se 51 % votave. Partia Demokratike e Kosovës është ajo që prin me numër më të madh të votave. Hashim Thaçi shpalli mbrëmë fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u zhvilluan dje në Kosovë. Denoncohen parregullsi ne komunen Drenas e Skenderaj. Rezultatet paraprake të publikuara nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” nxjerrin në avantazh PDK-në e Thaçit. Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, ka bërë publikimin e rezultateve të numërimit të më shumë se 51 % votave, nga të cilat Partia Demokratike e Kosovës është ajo që prin me numër më të madh të votave. “Rezultati është ky: PDK-ja ka fituar 30.69% të votave, LDK-ja 26.2%, Lëvizja Vetëvendosje radhitet e treta me 12.78%, pastaj AAK-ja me 10.89%, AKR-ja me 7.85%, e pasuar nga FeR-i me 2.35% dhe LDD-ja me 2.78% të votave të numëruara deri më tani dhe të tjerat 6.64%”. Kreu i “Demokracisë në Veprim”, Ismet Kryeziu, në konferencën për gazetarë bëri të ditur se për shkak të parregullsive të evidentuara, është ndërprerë numërimi i votave në komunën e Skënderajt dhe në atë të Drenasit
Thaçi deklaron fitoren
Ende pa u shpallur rezultatet paraprake të KQZ-së, kreu i PDK-se, Hashim Thaçi shpalli fitoren nga Sheshi 21 i Prishtinës duke iu drejtua simpatizantëve të partisë së tij me fjalët “Fitorja është jona, urime, urime demokratë, urime qytetarë të nderuar të Kosovës, kjo është fitore e demokracisë dhe e vlerave demokratike”. Ai tha se PDK-ja ka shënuar fitore bindëse e të thellë në Prizren, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj e shumë komuna tjera. Nga ana e tij kreu i LDK-se Isa Musfata deklaroi se priste rezultatet e KQZ-se. Në zgjedhjet parlamentare, të cilat u mbajtën dje në Kosovë morën pjesë mbi 47.80% e votuesve. Zyrtarët e KQZ-së dhe ata të “Demokracisë në Veprim” vlerësuan procesin e zgjedhor si të rregullt. Serbët e Kosovës bojkotuar votimet në Mitrovicën e Veriut, ndërsa shkaktuan incident në zonën e Zubin Potokut dhe Serbovacit.
Kontestimet e para vijnë nga AAK: Zgjedhjet, larg standardeve të kërkuara
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se zgjedhjet e djeshme ishin larg përmbushjes së standardeve të parapara dhe denoncon raste të tjera manipulimesh jo vetëm në Skënderaj e Drenas. Shefi i Shtabit Zgjedhor të AAK-së, Blerim Kuçi, tha se AAK-ja konsideron se sistemi zgjedhor dhe demokracia në Kosovë janë dëmtuar rëndë. “Rasti Skenderaj dhe Drenas janë sa për të tërhequr vëmendjen e opinionit, por keqpërdorime të mëdha ka pasur edhe në komuna të tjera, si në Shtime, Malishevë, Klinë Kaçanik etj”- tha Kuçi. Lidhur me rezultatet e prezantuara nga “Demokracia në Veprim”, Kuçi tha se ato janë pjesë e manipulimeve të përgjithshme në zgjedhjet e së dieles. Kuçi tha se AAK-ja do prononcohet nëse do t’i pranojë apo jo rezultatet e zgjedhjeve, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i japë rezultatet e para preliminare.
BE: Masa ligjor për të zgjidhur problemet në Skënderaj dhe Drenas
Delegacioni vëzhgues i Parlamentit Evropian që mbikëqyri ecurinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë vlerëson se procesi në përgjithësi ishte organizuar mirë dhe se pjesëmarrja në votime inkurajon zhvillimin e demokracisë në vend. Eurodeputëtët u kanë kërkuar institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për të zgjidhur problemet që flasin për mashtrime në komunën e Skënderajt dhe të Drenasit Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack ka bërë thirrje kosovarëve që të respektojnë institucionet dhe kërkoi që ata t’u besojnë atyre. “Ato do të duhet të tregojnë se janë të besueshme”- nënvizoi Pack. Nga ana e saj Eurodepeputetja Ulrike Lunacek tha se partitë politike duhet t’u drejtohen mekanizmave përgjegjës, pra Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me pakënaqësitë për ecurinë e procesit zgjedhor në dy komunat në fjalë. “Është e rëndësishme që qytetarët dhe partitë t’i drejtohen fillimisht PZAP-it për t’i paraqitur ankesat e tyre. Nëse ankesat nuk merren seriozisht ata duhet ta bëjnë publike dhe këtë. Ne do t’i dëgjojmë ata nëse sërish ka probleme dhe nëse nuk shqyrtohen ankesat”- u shpreh Lunacek duke theksuar nevojën që ndaj keqbërësve të merren masat ndëshkuese në rast se vërtetohen parregullsitë. Sipas shifrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen në votime, në Skenderaj kanë votuar 93.68% e qytetarëve, ndërsa në komunën e Drenasit kutive të votimit u janë drejtuar 86.94%. Partitë politike, ndër të tjera, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me votime të shumëfishta që, sipas tyre, kanë ndodhur në këto komuna për shkak të mosfunksionimit të baterive ultravjollce. Delegacioni i PE-së është udhëhequr nga Doris Pack dhe përfshin Eduard Kukan, Jutta Steinruck, Francesco de Angelis, Jelko Kacin, Fiona Hall dhe Ulrike Lunacek.
...