Investimet e huaja, Berisha: Banka Islamike, partneri ynë i shkëlqyer

Sali Berisha / Foto arkiv
Në konferencën e Forumit të Investimeve në Shqipëri, kryeministri Berisha ka vlerësuar rolin e Bankës Islamike për Zhvillim, duke e cilësuar si një partner të shkëlqyer për shqiptarët përgjatë 20 viteve të fundit.
Këto 20 vite, Banka Islamike për Zhvillim ka qenë për shqiptarët një partner i shkëlqyer. Ka kryer dhjetëra investime në fusha të ndryshme, nga shkollat, qendrat shëndetësore, rrugët e autostradat etj, projekte që janë shndërruar në faktorë të rëndësishëm të zhvillimit të vendit. Në kurorë do të mbetet autostrada Tiranë-Elbasan, e cila ndryshon kushtet e transportit për mbi 1.2 milion shqiptarë, por edhe për qytetarët e Maqedonisë, të cilët mund të vijnë drejt Shqipërisë në një kohë shumë më të shkurtër, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, qeveria shqiptare është një nga 10 qeveritë më favorizuese për biznesin, çka ka sjellë edhe rritjen e investimeve të huaja nga viti 2007 e mbrapa.
Në rast se në vitin 2008, investimet e huaja ishin 40 milionë, në 2010-n, ato ishin 1 miliard dollarë. Nga 2007-a deri në 2010-n, ato u rritën me 316 për qind. Potencialet janë për shumë herë më të mëdha. Në 2009-n, Shqipëria firmosi në fushën e energjisë kontrata koncesionesh që kapin vlerën 5 milion euro. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të krijuar një klimë sa më të favorshme për ju. Shqipëria ka një nga 10 qeveritë më dorëshkurtra ndaj biznesit dhe një nga administratat më të vogla në botë, tha kreu i qeverisë. / G.N.