E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat zhgënjejnë studentët i skualifikon mesatarja

Studentë të fakultetit të Shkencave Sociale, nuk kanë rezultuar në listën e fituesve pasi kriteri i përzgedhjes së tyre ka qenë nota mesatare, kriter i cili ka sjellë skualifikimin edhe për 0.2 pikë. Shkencat Sociale pranojnë vetëm ato me mbi 7.5. 

TIRANE- Kanë aplikuar për të nisur Master të Nivelit të Parë ose ciklin e dytë të studimeve, por janë skualifikuar. Kjo ka ndodhur me studentët e fakultetit të Shkencave Sociale, të cilët nuk kanë rezultuar në listën e fituesve, pas konkurrimit me dosje. Ata kanë mbetur të pakënaqur edhe për faktin se kriteri i përzgedhjes së tyre ka qenë nota mesatare, kriter i cili ka sjellë skualifikimin edhe për 0.2 pikë. Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, të Universitetit të Tiranës, ngrenë edhe një tjetër pretendim përsa i përket notës mesatare. "Për masterat kanë aplikuar edhe studentë që kanë mbaruar 3-vjeçaren në Shkodër ose në Elbasan. Dhe ne mendojmë se ka një diferencë midis notave të marra në Universitetin e Tiranës dhe ata të një universiteti tjetër, pavarësisht kësaj, në listat e fituesve janë klasifikuar studentët e rretheve, duke na lënë jashtë kësaj liste, neve që kemi mbaruar në Tiranë", - shprehet njëra prej studentëve, e cila nuk ka mundur të klasifikohet në listat e fituesve, vetëm për një diferencë fare të vogël pikësh. Ndërkohë në fakultetin e Gjuhëve të Huaja janë përzgjedhur fituesit e ciklit të dytë të studimeve, ndërsa janë në pritje të vendimit të rektoratit për të shpallur edhe fituesit e Masterit të nivelit të parë. Filologjiku do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme regjistrimet për të gjithë të interesuarit që duan të çojnë më tej studimet e larta, ndërsa listën e fituesve dio ta shpalë ditën e hënë, më 3 nëntor. Auditoret do të jenë të hapura për të pritur studentët fitues të këtij cikli studimesh më 10 nënëtor.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›